leoni

Kryetari i Ferizajt bisedoi me të rinjtë për shqetësimet e tyre

Rreth 40 të rinj ferizajas, bashkëbiseduan sot me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, lidhur me problemet që i preokupojnë ata më së shumti dhe për perspektivën e zgjidhjes së tyre.

Bashkëbisedimi u organizua nga PEN, në temën: “Angazhimi i të rinjve në proceset politike dhe zgjedhore”, mbështetur nga USAID përmes IFES.

Pjesëmarrësit, shumica studentë, u interesuan për mundësitë që ofron Komuna lidhur me sigurimin e konviktit dhe të mensës për studentët e USHAF, për azhurnimin e dhënies së bursave për studentë, investimet që duhet të bëjë Komuna për të zbutur vështirësitë e personave në nevojë, për nevojën e subvencionimit të praktikës së studentëve, për përparësitë që duhet të gëzojnë të rinjtë që shquhen si vullnetarë etj.

Kryetari Svarqa, u tha të rinjve se është koha që ata ta shmangin mendësinë se dikush tjetër do të na i ndërtojë jetët tona, mirëqenien tonë dhe vendin tonë, por të gjithë t’i përveshim mëngët për të investuar dijen, mundin, kreativitetin  dhe përpjekjet e pareshtura, në mënyrë që ta përmirësojmë jetesën këtu dhe të lakmojmë statusin e refugjatit në vende të tjera.

Ndërsa lidhur me çështjet konkrete që u shtruan, kryetari Svarqa tha se Komuna do të ofrojë gjithë mbështetjen që ia lejon ligji sa i takon përmirësimit të kushteve për studentët. Ai tha se vonesat e pagesës së bursave bëhen për shkak të procedurave, të cilat nganjëherë vonohen më shumë se ç’duhet. Ndërsa për lehtësimin e qarkullimit të personave me nevoja të veçanta, kryetari i Ferizajt tha se Komuna është e kujdesshme që të ndihmojë që të gjitha objektet publike t’ua afrojnë këtë mundësi hendikepatëve. Ai përmendi edhe disa aranzhime me organizata ndërkombëtare për mundësinë e subvencionimit të praktikës së studentëve dhe punësimit të të rinjve etj.

Nga ana tjetër, me të rinjtë e tubuar u zhvillua një komunikim edhe nga zyrtari i Komisionit komunal zgjedhor, Shaban Rexha.

Kontrolloni gjithashtu

Në Deçan, filloi nata e parë e Festivalit Gjithëkombëtar të Folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Në Deçan, filloi nata e parë e Festivalit Gjithëkombëtar të Folklorit “Eshkë e ndezur mbi …