Prezantohet analiza ekzistuese dhe vizionet strategjike të Komunës së Ferizajt në kuadër të Planit Zhvillimor Komunal

Në kuadër të procesit të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) të Ferizajt, sot është mbajtur një takim me Këshillin e Ekspertëve dhe përfaqësues të institucioneve relevante të Komunës së Ferizajt.

Në takim morën pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mjedisit, Arbër Bytyqi, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, drejtori i Kulturës, Gazmend Bytyçi, drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini, drejtori i Shërbimeve Publike, Alberton Sahiti, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve komunale.

Në hapje të takimit, drejtori i Urbanizimit dhe Mjedisit, Arbër Bytyqi, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti strategjik, duke vlerësuar se procesi i hartimit të PZHK-së ka hyrë në një fazë të rëndësishme dhe përcaktuese për zhvillimin e ardhshëm të komunës.

Ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe përcaktimi i zonave ekonomike janë ndër prioritetet kryesore të planit të ri. Sipas tij, në kuadër të PZHK-së do të përcaktohen tri zona të mëdha ekonomike, me synim shfrytëzimin sa më efikas të hapësirave në dispozicion dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike.

“Një tjetër çështje e rëndësishme që do të trajtohet përmes këtij plani është përmirësimi i qarkullimit dhe zgjidhja e pikave të ngushta në pjesën urbane të Ferizajt. Në këtë drejtim, parashihet krijimi dhe funksionalizimi i një sistemi më të integruar të unazave të qytetit, përfshirë unazën e brendshme, të mesme dhe të jashtme, me qëllim të përmirësimit të mobilitetit dhe organizimit më efikas të trafikut urban. Gjithashtu, në kuadër të planit do të trajtohen edhe zonat me potencial për zhvillimin e turizmit, duke synuar shfrytëzimin e resurseve natyrore, kulturore dhe hapësinore të Komunës së Ferizajt”, ka thënë drejtori Bytyqi.

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, theksoi rëndësinë e madhe që ka Plani Zhvillimor Komunal për të ardhmen e komunës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ai vlerësoi se përmes këtij dokumenti do të përcaktohen drejtimet kryesore të zhvillimit hapësinor, ekonomik dhe social të Ferizajt.

Për analizën e gjendjes ekzistuese dhe përcaktimin e vizioneve strategjike foli Ismajl Baftiari nga kompania “Insi”. Ai theksoi se qëllimi i këtij procesi është hartimi i një dokumenti strategjik që pasqyron nevojat, potencialet dhe interesat e Komunës së Ferizajt, duke krijuar bazë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe pune, ku zhvilluan diskutime dhe dhanë propozime lidhur me përcaktimin e vizionit të zhvillimit të Komunës së Ferizajt deri në vitin 2034.

Punëtoria vazhdoi gjatë gjithë ditës, ndërsa u bë e ditur se konsultimet publike do të vazhdojnë nga data 7 deri më 11 shtator në fshatrat dhe në qytetin e Ferizajt. Qëllimi i këtyre konsultimeve është përfshirja sa më e gjerë e qytetarëve në procesin e hartimit të këtij dokumenti të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të komunës.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 2 milionë euro ndahen për Projektin e Banimit Social Adekuat në Komunën e Rahovecit

Në Komunën e Rahovecit u nënshkrua marrëveshja e grantit për financimin e Projektit për Banimin …