QKMF e Malishevës, pajiset edhe me dy autoambulanca të reja

Në kuadër të investimeve të Komunës së Malishevës, në sektorin e shëndetësisë, me qëllim të ofrimit të kujdesit më të mirë shëndetësor, e në veçanti të ofrimit të shërbimit të shpejtë, urgjenca e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishevë, është pajisur edhe me dy autoambulanca. Pas kryerjes së procedurave të blerjes së autoambulancave, edhe zyrtarisht, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti, ja kanë dorëzuar veturat e ndihmës së shpejtë, drejtorit të QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina. “Ne jemi duke e bërë të pamundurën që në të gjitha sektorët të investojmë në mjete, e sidomos në fushën e shëndetësisë, që gjithmonë do të jetë prioritet për ne, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira dhe më të shpejta shëndetësore”, the kryetari Begaj. “Uroj që sa më pak të përdoren këto autoambulanca, por dihet se janë tepër të nevojshme dhe besoj se këto autoambulanca, do të ju ndihmojnë juve në kryerjen e shërbimeve në raport me pacientët, kurse investimet dhe përkrahja për shëndetësi, nuk do të ndalet, por do të jetë e vazhdueshme”, tha kryetari Begaj, me rastin e dorëzimit të çelësave të autoambulancave për nevojat e QKMF-së. Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Liridon Hoti, ka treguar se këto dy autoambulanca, i kanë kushtuar buxhetit komunal, rreth 62 mijë euro, ndërsa drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, tha se “tani i kanë pesë autoambulanca, të cilat janë të mjaftueshme për nevojat e shërbimit të urgjencës”.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …