Samajl Latifi: “Me Pushkë e dije ndërtohet Liria

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka marrë pjesë në 27-vjetorin e rënies në krye të detyrës të tetë dëshmorëve të atdheut, në malet e Pashtrikut.

Thekse nga fjala e tij në nderim të 27-vjetorit të rënies në krye të detyrës të tetë dëshmorëve të atdheut, në malet e Pashtrikut.

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar invalidë e veteranë të luftës, qytetarë të Krushës së Madhe dhe ju të pranishëm, vitet kalojnë por kujtimet e ditëve të vështira e të lavdishme nuk fshihen. Ato ngjarje kanë lënë gjurmë e vrragë të thella në shpirtin tonë.

Bijtë e Krushës së Madhe, që ishin rritur e frymëzuar me idealet e lirisë; Muhamet Malsori, Hysni Duraku, studentët-luftëtarë Sinan, Isak, Sedat, Ismet dhe Hida Hoti, u vunë në shërbim të kësaj kauze, duke i lënë nam e nder vetes, familjeve të tyre e krejt kombit. Prijës kishin hasjanin Skender Hameli, i cili i udhëhoqi nëpër këto monopate këta idealistë të vendosur. Ata nuk i ndaloi dot as bora e acari, as vështirësitë e rreziqet, sepse në zemra kishin zjarrin e lirisë.

Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e trojeve të pushtuara ishte akti më madhor i kombit tonë. Në ato ditë të rënda për ne edhe krushjanët e dëshmuan atdhedashurinë. Krusha e Madhe me rrethinë, u bë strehë, hambar, magje e kazermë e UÇK-së. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse ky vend e kishte traditë mikpritjen e bujarinë, e kishte të kultivuar burrërinë e qëndresën dhe e kishte të gdhendur në çdo zemër idalin e çlirimit e të bashkimit kombëtar. Këta djem, ndonëse e donin jetën dhe thurnin plane për të ardhmen, ishin të vetëdijshëm se për të qenë të lirë duheshin kaluar sfida e rreziqe, duheshin bërë sakrifica madhore. E Çmimi i lartë që e paguan krushjanët, duke vënë në shërbim të luftës burra të vendosur e të përkushtuar, ishte “tagri i gjakut” që duhej paguar.

Djemtë e fisit Hoti; Sinani, Isaku, Sedati, Ismeti dhe Hidai, ashtu si edhe Muhamet Malsori, Hysni Duraku e shumë djem e vajza atdhetarë, burim frymëzimi e kishin shqiptarin e madh Ukshin Hotin, i cili me argumente shkencore e historike i kishte shpalosur idetë e tij për çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar. Këta studentë – martirë, ishin të vetëdijshëm se frytet e ëmbla të lirisë mund të shijohen vetëm pas privimeve e mundimeve të mëdha. Ata në çantat e tyre, krahas armëve e fishekëve, kishin edhe libra në atë ditë të kobshme dhjetori. Të bindur se pushka dhe libri janë armët më të fuqishme që shembin kufij dhe ndërtojnë ardhmërinë e popujve.

Historia i kishte mësuar këta luftëtarë se deri tek liria vetëm një rrugë ka dhe ajo ishte lufta e qëndresa dhe jo pritja e durimi që vrasin shpresën. Ata i vunë gjoksin furtunës dhe skuqën borën e Pashtrikut, duke ujitur rrënjët e lirisë me gjakun djaloshar. Gjak që vërshoi nëpër damarët e tokës dhe që sot ushqen filizat e rinj që rriten e burrërohen në liri.

Kjo sakrificë madhore e bijve të Krushës së Madhe dhe gjithë atyre luftëtarëve që me guxim i dolën të keqes përpara, më në fund u shpërblye. Na mbetet që këto vlera njerëzore e kombëtare t’i ruajmë e kultivojmë dhe të punojmë pa u lodhur e pa u ligështuar, sepse mbi supe kemi amanetin e atyre që u flijuan për këto vlera madhore.

Dëshmorët na përkujtojnë se përjetësia ju takon atyre, ndërsa ne kemi detyrimin e madh për ta sendërtuar amanetin e të rënëve, të ngrirë në buzë në atë ditë të ftohtë dhjetori. Jehona e rënies së tyre është jehonë lirie që duhet të na kujtojë rrugën që duhet ndjekur drejt ardhmërisë dhe ndërtimit e forcimit të shtetësisë tonë.

Lavdia e nderimi ju takon dëshmorëve: Muhamet Malsori, Hysni Duraku, Skënder Hameli, Sinan, Isak, Sedat, Ismet e Hida Hoti dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, kurdo dhe kudo që ranë!

Lavdi!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi vizitoi QKMF “DR. Fahredin Hoti”

Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti”, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë …