Sektori i Rinisë në Ferizaj, zhvilloi një aktivitet me fokus te ndërgjegjësimi i të rinjve dhe komunitetit për fenomenin e dhunës me bazë gjinore

Sektori i Rinisë – DKRS në Ferizaj, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, sot zhvilloi një aktivitet të rëndësishëm me fokus te ndërgjegjësimi i të rinjve dhe komunitetit për fenomenin e dhunës me bazë gjinore, në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Ky aktivitet u realizua në formë paneli diskutues, duke sjellë bashkë profesionistë, aktivistë dhe të rinj me përvojë në fushat e avokimit, barazisë gjinore dhe drejtësisë. Paneli u përbë nga:

• Dashurie Uksmajli – ish gazetare, aktiviste per te drejtat e njeriut, aktualisht edhe mësimdhënëse;

• Lorik Hashani – Vullnetar i OKB-së, pjesë e iniciativave rinore dhe pjesë aktive për shtyerjen e agjendës ndërkombëtare të OKB-së WPS (Gratë, Paqja dhe Siguria).

• Erëza Vladi – Juriste, e cila adresoi aspektet ligjore dhe mekanizmat e mbrojtjes ndaj viktimave të dhunës.

Diskutimi përfshiu një qasje të shumëanshme, duke u ndalur në rëndësinë e edukimit, parandalimit dhe fuqizimit të të rinjve për të reaguar ndaj çdo forme të dhunës me bazë gjinore. Panelistët, secili nga këndvështrimi i vet profesional, theksuan se përballja me këtë fenomen kërkon informim të vazhdueshëm, reagim të guximshëm dhe angazhim kolektiv.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte pjesëmarrja aktive e të rinjve. Ata ndanë situata dhe përvoja që i kanë vërejtur në komunitet, ngritën pyetje dhe trajtuan problematika konkrete që lidhen me rastet e dhunës. Hapësira e krijuar për dialog të hapur i dha takimit një dinamikë të veçantë, duke e bërë atë jo vetëm informues, por edhe një takim të vlefshëm dhe ndërgjegjësues.

Sektori i Rinisë vlerëson rolin që të rinjtë kanë në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të barabartë. Kjo iniciativë shënon një hap të rëndësishëm drejt promovimit të kulturës së respektit, solidaritetit dhe së drejtës për një jetë pa dhunë.

Në përmbyllje, panelistët dhe pjesëmarrësit u bashkuan për të përçuar një mesazh të qartë:

“Dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm një çështje individuale, por një përgjegjësi shoqërore.”

“Bashkë me institucionet, të rinjtë dhe komunitetin, mund të ndikojmë në parandalimin e saj dhe në ngritjen e vetëdijes kolektive.”

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Malishevës, publikon agjendën e aktiviteteve për festat e Nëntorit

Me rastin e shënimit të Festave të 28 Nëntorit, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës …