Sot, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Habib Berisha” në Gurbardh shënoi ditën e saj. Kjo shkollë mban emrin e heroit Habib Berisha, dëshmor i kombit, ndërsa dita e shkollës lidhet me datën e inkuadrimit të tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë ngjarje morën pjesë përgjegjësi i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, Sabit Berisha, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, si dhe qytetarë të tjerë.
Sabit Berisha përgëzoi nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për shënimin e ditës së shkollës dhe për të arriturat gjatë këtij viti shkollor, duke theksuar se sukseset nuk kanë munguar. Ai shtoi se Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim do të vazhdojë të mbështesë të gjitha institucionet arsimore, pasi arsimi dhe edukimi janë prioritet mbi të gjitha.
Ndërkohë, drejtori i shkollës, Bekim Berisha, foli për historikun e shkollës, e cila këtë vit shënon 77-vjetorin e saj, si dhe për të arriturat gjatë vitit shkollor.
Në fund, pjesëmarrësit u përshëndetën edhe nga djali i dëshmorit Habib Berisha, Shqiproni, i cili falënderoi të pranishmit për respektin dhe nderimin që i bëhet babait të tij, i cili dha jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.