Shoqatat PAK në Ferizaj artikuluan nevojat e tyre

Shoqatat ferizajase që tubojnë personat me aftësi të kufizuar, u takuan sot për një kafe mëngjesi me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Takimi u realizua si pjesë e planit të punës së kryetarit të Ferizajt, për të marrë në dijeni nevojat dhe shqetësimet e shoqatave, organizatave dhe grupimeve të qytetarëve, si dhe për të parë mundësitë që ka Komuna e Ferizajt për ta mbështetur punën e tyre.

Kryetari Svarqa u tha përfaqësuesve të Shoqatave PAK, se është i interesuar për bashkëpunim të ngushtë me ta dhe për t’u angazhuar maksimalisht për të mbështetur zgjidhjen e vështirësive.

Shoqata “Handikos”, i kërkoi kryetarit të Komunës të përdor autoritetin e tij për trajtimin e  barabartë të personave me aftësi të kufizuar gjatë punësimit, sa herë që shkathtësitë e tyre janë konkurruese për vende të caktuara të punës. Enver Kosumi dhe Xhemile Murtezi nga kjo shoqatë, kërkuan mbështetjen më të madhe të Komunës për përshtatjen e objekteve publike me nevojat e hendikepatëve, si dhe pjesëmarrjen më aktive në hartimin e politikave sociale.

Ylber Selmani nga “Hanciap Kosova”, bëri të ditur se ka filluar punën punëtoria për paketimin e sheqerit në Ferizaj, në të cilën aktualisht janë punësuar pesë veta, kurse produktet po u shpërndahen restoranteve. Ai tha se brenda pak ditësh punëtoria do të pasurohet edhe me makinën për prodhimin e lugëve plastike të kafesë. Është ky një investim i përbashkët i “Handicap Kosova” dhe i Komunës së Ferizajt, si një shembull praktik se si duhet vepruar për të zbutur gjendjen sociale të PAK.

Përfaqësues të shoqatës “Pema” kërkuan që Komuna të përpiqet për sigurimin e një granti specifik për shërbime sociale, përfaqësues të shoqatës “Hendifer”, kërkuan ndërhyrjen e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale për raste të veçanta, kurse shoqata e të verbërve kërkoi që Komuna të jetë më afër organizatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuar.

Kryetari Svarqa premtoi angazhime konkrete të Komunës së Ferizajt për të zgjidhur problemet e parashtruara dhe takime të tjera me shoqatat e PAK-ut, për të  bashkërenduar veprimet me to.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar nga afër punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor, ka vizituar sot fshatin Lubishtë të …