Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpuntorë, gjatë ditës së sotme ka vizituar tri ndërmarrje – “Daka Wine”, “BioPak Sh.P.K” dhe Kosova Wine.
Ai u nda i lumtur me sukseset e ndërmarrësve rahovecas, për punën e palodhshme dhe fisnike prandaj u shpreh ai, jam gjithmonë i motivuar që të gjej rrugë e mundësi për t’u bërë dorë që ndihmon dhe lehtëson procesin e punës dhe të prodhimit me teknologji të reja.
Kryetari Latifi tha se një strategji konkrete, e cila tashmë do të nisë zbatimin si pilot-projekt, është pajisja me dronë për spërkatje të sipërfaqeve me të mbjella. Në të ardhmen e afërt, qeverisja jonë lokale do të nisë mbështetjen e gjerë për bujqit e komunës për sigurimin e këtyre dronëve, ku komuna do të mbulojë 80% të kostos, ndërsa vetë fermerët do të marrin pjesë me 20%.
Nga vizita te “Daka Wine”, me pronar Gazmend Daka; “BioPak Sh.P.K”, me pronarë Ismet, Nusret dhe Bejtullah Haxhimurati dhe “Kosova Wine”, me pronar Nasib Shehu, ndër të tjera tema, diskutuam edhe për këtë projekt, i cili u mirëprit si një zgjidhje efikase për vreshtarët dhe përpunuesit e kulturave të tjera të prodhimtarisë bujqësore, u shpreh kryetari Latifi.
Vetëm këto tri verari punësojnë dhjetëra punëtorë, bashkëpunojnë me qindra fermerë, grumbullojnë qindra mijëra kilogramë rrush çdo vit dhe eksportojnë sasi të madhe verë e raki në BE e më gjerë. Rahoveci do të vazhdojë të mbështesë vreshtarët, kultivuesit e verës, rakisë, perimeve dhe të gjithë bujqit tanë, sepse puna e tyre është krenaria jonë dhe e ardhmja e komunës sonë, tha në fund kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.