Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një lidership të vendosur dhe të përgjegjshëm, duke theksuar se një qeverisje e tillë është e mundur vetëm me Ramush Haradinajn në krye të ekzekutivit. Latifi, së bashku me kandidatin për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe kandidatët për deputetë nga Rahoveci, zhvilluan një takim me banorët e Krushës së Madhe, Ratkocit, Çifllakut dhe fshatrave përreth. Ai tha se takimet në terren po reflektojnë besim të lartë qytetar dhe gatishmëri të komunitetit për të mbështetur një vizion të qartë për zhvillim, stabilitet dhe institucione që punojnë çdo ditë në shërbim të qytetarëve. “Atmosfera ishte motivuese, plot energji, besim dhe përkushtim për ta çuar përpara një vizion të qartë për Kosovën, për institucione që qëndrojnë krah qytetarëve,” u shpreh Latifi. Sipas tij, momentum i tillë është dëshmi se qytetarët kërkojnë ndryshim dhe lidership të konsoliduar, të aftë ta drejtojë vendin me vendosmëri dhe përgjegjësi.