U mbajt Akademi përkujtimore në 26- vjetorin e vrasjes së Jetullah Deskut

Nën përkujdesje të Kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, të mërkurën është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar  Jetullah H. Deskut, i vrarë 26 vite me parë në ish- Armatën Popullore të Jugosllavisë. Veprën e Deskut e ka nderuar me pjesëmarrjen e tij edhe Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi.

26- vjet me parë familjes Desku i kishte ardhur në arkivol biri i tyre që po shërbente në Armatën e atëhershme jugosllave, duke iu thënë se djali juaj ka bërë vetëvrasje. Por, familjarët, nuk i besuan kësaj dhe nuk lejuan pjesëtarët e APJ-së që të marrin pjesë në varrimin e djalit të tyre.

“Jemi bashkuar sot këtu për të nderuar martirin e lirisë, Jetullah Deskun, i cili sot e 26- vjet më parë i erdhi në arkivol familjes Desku, duke i hapur një plagë të rëndë dhe të pashlyeshme në shpirt, sepse Jetullahu posa kishte mbushur 20 pranvera dhe prindërit e tij, familja, bashkëmoshatarët dhe mbarë fshati i Siqevës mezi prisnin që ai ta përfundonte shërbimin ushtarak në ish-Armatën e Jugosllavisë e t’i kthehej familjes. Por, fatkeqësisht, aktiviteti i Jetullah Deskut përfundoi shumë herët, sepse ai u vra në mënyrën çnjerëzore dhe mizore nga strukturat kriminale që vepronin në ish-Armatën, kinse Popullore të Jugosllavisë, e cila kishte filluar të vriste djemtë tanë më të mirë, të cilët ishim bërë ferrë në sy për pushtetin serbo-sllav”, ka thënë me këtë rast në fjalën e rastit Kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota.

Sipas Kryetarit Bashota, kjo Akademi përkujtimore për Jetullah Deskun, të gjithëve na kthen edhe një herë në rrugëtimin shumë të vështirë, por krenarë që bëri gjatë historisë populli ynë, për ta fituar lirinë dhe dinjitetin që e meritonte. Vetëm kjo ishte rruga nëpër të cilën vinte Liria, rruga e mundimshme e burgut, e gjakut dhe e bashkimit për lirinë, pavarësinë, shtetësinë dhe integrimin e Republikës së Kosovës, në themelet e së cilës ndriçon gjaku dhe flijimi i të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë, pra edhe gjaku i njomë i Jetullah Deskut. Kurse presidenti i Kosovës, z Hashim Thaçi, ka pohuar se ky tubim le të jetë si përkujtim për të gjithë ata të rënë në atë kohë, ku shqiptarët janë konsideruar si qytetarë të rendit të dytë.

“Një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës është edhe ajo e vrasjeve të të rinjve shqiptarë në Armatën jugosllave. Sot kujtojmë vrasjen e djaloshit shqiptar 20- vjeçar në kazermën ushtarake, Jetullah Deksun. Le të jetë ky tubim përkujtim për të gjithë ata që u vranë nëpër kazerma të ish-Jugosllavisë. Është i njohur botërisht fakti që shqiptarët nën Jugosllavi kanë qenë të persekutuar. Asnjëherë shqiptarët nuk ishin trajtuar të barabartë në armatën jugosllave, ashtu si nuk u trajtuan të barabartë as në sferat tjera shoqërore, shqiptarët u trajtuan si qytetarë të rendit të dytë,” ka thënë Thaçi. Presidenti ia ka dhënë atributin e dëshmorit të kombit Jetullah Dekut. “Jetullah Desku është dëshmor i kombit”, tha ai. Në emër të familjes përshëndeti Cen Desku, kurse me një kumtesë për Jetullah Deskun u paraqit Prend Buzhala.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …