U mbajt mbledhja e tretë e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2026

Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, kryesoi mbledhjen e tretë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku u diskutua për gjendjen e sigurisë në komunë, masat parandaluese për menaxhimin e rasteve të zjarreve, si dhe koordinimin e aktiviteteve në kuadër të pritjes së bashkatdhetarëve.

Në hapje të mbledhjes, kryetari Ramosaj theksoi se Komuna e Deçanit vazhdon të jetë një komunë e qetë, stabile dhe e sigurt, falë bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional. Ai vlerësoi punën e institucioneve komunale në mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, duke theksuar se ndriçimi publik është në gjendje të mirë, ndërsa ekipet e Shërbimeve Publike janë vazhdimisht në terren për pastrimin e rrugëve, mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe kositjen e barit. Kryetari Ramosaj theksoi se siguria dhe mirëqenia e qytetarëve mbeten prioritet i Komunës së Deçanit.

Komandanti i Stacionit Policor në Deçan, Xhemë Muriqi, prezantoi raportin mbi gjendjen e sigurisë, duke bërë të ditur se situata në komunë është e qetë dhe stabile. Ai theksoi se Policia e Kosovës mbetet në gatishmëri të plotë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar disa aksidente të lehta trafiku pa pasoja fatale, si dhe disa raste të vdekjeve nga shkaqe të ndryshme. Në përgjithësi, ai vlerësoi se gjendja e sigurisë në Komunën e Deçanit është e mirë dhe nën kontroll.

Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Izet Zenuni, raportoi për aktivitetet e drejtorisë, duke theksuar se ekipet komunale janë të angazhuara çdo ditë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe në trajtimin e kërkesave të tyre, me fokus të veçantë në mirëmbajtjen e rrugëve, hapësirave publike dhe ndriçimit.

Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve, z. Besim Selmanaj, informoi se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar disa raste të zjarreve në territorin e Komunës së Deçanit, përfshirë edhe në bjeshkët e Deçanit. Ai theksoi se ekipet e zjarrfikësve kanë reaguar me kohë në çdo rast dhe kanë qenë në gatishmëri të plotë edhe gjatë intervenimit në zjarrin në Sferkë. Me këtë rast, komandanti Selmanaj kërkoi mbështetje për pajisjen e Njësisë së Zjarrfikësve me një platformë automjeti për intervenime në lartësi, e cila do të mundësonte reagim më efikas në rastet e zjarreve në objekte shumëkatëshe.

Drejtori i Inspektoratit, z. Ibrahim Selmonaj, bëri të ditur se ekipet inspektuese janë vazhdimisht në terren, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet numri i bashkatdhetarëve. Ai theksoi se kontrollet po zhvillohen në subjektet afariste, me fokus të veçantë në sigurinë ushqimore dhe respektimin e standardeve ligjore.

Drejtoresha për Shëndetësi, znj. Agnesa Vokshi, njoftoi se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është rritur numri i mjekëve dhe infermierëve, duke përmirësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Ajo theksoi se stafi shëndetësor është në dispozicion të qytetarëve 24 orë në ditë për ofrimin e shërbimeve të nevojshme.

Në përmbyllje të mbledhjes, kryetari Bashkim Ramosaj dhe të gjithë përfaqësuesit institucionalë ritheksuan se Komuna e Deçanit mbetet një komunë e qetë, stabile dhe e sigurt, falë bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve lokale, Policisë së Kosovës, Njësisë së Zjarrfikësve dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës. Ata shprehën përkushtimin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që Deçani të mbetet një komunë e sigurt, e qetë dhe mikpritëse për të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM nga Komuna e Vitisë

Komuna e Vitisë shpreh shqetësimin e saj lidhur me raportimet për mospërfshirjen e Universitetit të …