Në bashkëpunim ndërmjet Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë dhe Degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Malishevë, me rastin e festave të Nëntorit, në veçanti 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, u mbajt sesioni festiv “Atdheu ynë, amanet nga Zoti”.
Në këtë ngjarje festive morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Guncati, i shoqëruar nga kryesia e organizatës, përfaqësues të Policisë së Kosovës, si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Në fjalën e rastit, i pari i Malishevës, Ekrem Kastrati, foli për rëndësinë e datës së 28 Nëntorit, me të cilën lidhen shumë ngjarje të rëndësishme historike të kombit shqiptar, si dhe për luftën e fundit të UÇK-së dhe rolin madhor të fesë gjatë asaj periudhe. Duke folur në veçanti për Malishevën, kryetari Kastrati tha se “komuna jonë është djep i vlerave patriotike dhe shpirtërore. Kemi dëshmorë që ia kemi dhënë vendit, familje që bartën barrën e luftës, imamë e mësues që edukuan breza të tërë me dashuri për flamur e atdhe, si dhe të rinj me ambicie e talent, të gatshëm të ndërtojnë të ardhmen e vendit”.
Fjalë rasti mbajti edhe kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Guncati, i cili foli për rëndësinë e muajit nëntor në historinë e popullit shqiptar, përkatësisht për 28 Nëntorin e vitit 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, 28 Nëntorin e vitit 1912, kur u ngrit flamuri në Vlorë dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë, 28 Nëntorin e vitit 1955, kur lindi komandanti legjendar Adem Jashari, si dhe 28 Nëntorin e vitit 1997, kur ndodhi dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fjalë rasti mbajtën edhe organizatorët: Sead Paçarizi, kryetar i KBI-së në Malishevë, dhe Metush Kryeziu, kryetar i Degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, të cilët folën për 28 Nëntorin si datën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, si dhe për përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi.
Kumtesën kryesore e mbajti Orhan Bislimaj, kryeimam në KBI në Prizren. Në kumtesën e tij, ai foli për rëndësinë e 28 Nëntorit, me theks të veçantë në vitin 1912, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, për të cilën kontribuoi dhe luftoi mbarë populli shqiptar nga të gjitha trojet. Ai po ashtu foli për lindjen e komandantit legjendar Adem Jashari më 28 Nëntor 1955, për luftën e UÇK-së, për çlirimin e vendit dhe për pavarësinë e Kosovës, si dhe për të gjitha përpjekjet në trojet shqiptare.
Të gjithë folësit e uruan popullin shqiptar me rastin e festave të Nëntorit dhe bënë thirrje për lirimin e krerëve të UÇK-së, të cilët, sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në Hagë.