U ndanë nga jeta dy pishtarë të arsimit, Milazim Kryeziu dhe Fatmir Bytyqi

U ndanë nga jeta dy pishtarë të arsimit Milazim Kryeziu dhe Fatmir Bytyqi të cilët më shumë se katër dekada dhanë kontribut në sektorin e arsimit.

Në fshatin Bubavec iu dha lamtumira e fundit Mësuesit Veteran Milazim Kryeziu i cili në moshën 76 vjeçare u nda nga kjo jetë. Mësuesi Xim një jetë të tërë ia kushtojë edukimit dhe arsimimit të shumë gjeneratave. Ai ishte veprimtar i pashoq edhe në veprimtaritë tjera për të mbajtur gjallë atdhedashurinë tek të rinjtë e të rejat. Puna e tij e palodhshme me ditar në dorë për më shumë se katër dekada ishte dritë e diturisë, e cila nuk shterron kurrë.

Mësuesi Milazim gjatë veprimtarisë së tij jetësore dëshmoi se ishte mësues i popullit sepse me punën e tij çdoherë ishte pranë nxënësve e kolegëve e bashkëkombasve që vetem dritë e diturisë përpara të na shpjerë.

Ndërsa po sot në fshatin Kërvasari iu dha lamtumira e fundit mësuesit Fatmir Bytyçi, i cili në moshën 61 vjeçare u nda nga kjo botë pas një sëmundje të rënd. Po ashtu mësuesi Fatmir për afro katër dekada shkëlqeu me punën e tij me ditar në dorë duke edukuar dhe arsimuar shumë gjenerata të fshatit Kërvasari e të shumë shkollave në komunat fqinje. Mësuesi Fatmir ishte model i mësimdhënësit dhe personalitetit njerëzor sepse përkushtimin për të edukuar gjeneratat e reja e kishte trashëguar nga shumë veteranë të arsimit të fshatit Kërvasari. Atij nuk iu ndal buzëqeshja asnjëherë për nxënësit e tij e nuk do t’i ndalet kurrë sepse vepra e tij jetësore ishte e dinjitetshme dhe kontribut dhënëse për zhvillimin e arsimit shqip.

Qofshin të paharruara kujtimet për Veteranin e Arsimit Milazim Kryeziu dhe Mësuesin Fatmir Bytyçi,

Lavdi veprës së tyre jetësore! ka shkruar ndër të tjera në rrjetin e saj social facebook, Drejtoresha për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, znj. Arbëresh Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …