Shtëpinë-Muze të Radios-Kosova e Lirë në fshatin Berishë e ka ndërtuar gratis Brigada 313 e TMK-së, në Malishevë, në krye me komandantin, Elez Durmishi

Shtëpia-Muze  e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë është ndërtuar në vitin 2005, me ndihmën e tre donatorëve, si dhe nga fondi i Radios, ndërsa punimet i kanë kryer gratis pjesëtarë dhe eprorë të  Brigadës 313 e TMK-së, në Malishevë, me lejen e komandantit, Elez Durmishi, ish komandant i Batalionit, “Ruzhdi Salihu” i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova gjatë luftës së UÇK-së. I ngarkuar për mbikëqyrje të punimeve ka qenë anëtari i stafit të Radios prej 4 janarit 1999 e deri tani, Valdet Hoti. Ka punuar dhe ka ndihmuar pa kursim komandanti i Njësisë së fshatit Berishë, eprori i UÇK-TMK-së Fadil Berisha, pastaj Rizah Berisha, rojtar i objektit, vëllai i tij,  Milaim Berisha  e të tjerë.

Shtëpia-Muze është ndërtuar me qëllim që nënkupton vetë emërtimi.

Lejen për posedimin e pronës dhe ndërtimin e objektit e ka lëshuar Kuvendi komunal i Drenasit, qysh në kohën e Qeverisë Përkohshme të Kosovës në vitin 2000.

Në këtë objekt modest me 34 metra katrorë, kemi vendosur  dhe ekspozuar  mjetet dhe pajisjet e kohës së luftës, diktafonët, mikrofonët, miksetat, transmetuesin 250 vat, disa kamera, pastaj kasetat e transmetimit të programit dhe mjete të tjera. Arkivi origjinal, i shkruar me makinë shkrimi dhe me dorë, ndodhet në selinë e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë.

Disa vjet më parë objektin e ka rinovuar gratis, Ismet Shamolli, nga fshati  Shalë me kompaninë e tij, ndërsa punimet i ka udhëhequr,  Epir Qeriqi.

Prej kohës kur e kemi përuruar, Shtëpinë-Muze e deri tani, roje dhe punëtor teknik ka qenë Rizah Berisha, i cili me lejen e Drejtorisë e ka shfrytëzuar objektin edhe për lidhje e shpërndarje të internetit, ndërsa të ardhurat  i ka shfrytëzuar për veten dhe familjen e tij, e tij, e cika ka dhënë krejt çka mund të jepet për stafin e Radios, gjatë kohës së luftës. Jo vetëm që nuk i kemi kërkuar një pjesë nga fitimet, me të drejtën i institucionit, por për çdo muaj ia kemi ndarë një rrogë modeste nga fondi i Radios. Për shumë vite me radhë Rizah Berisha ka marrë katërfishin  e pagës mesatare të një punëtori,  apo gazetari  të Radios. 

Në disa vite të fundit ai jeton në Malishevë dhe nuk është i pranishëm i përhershëm në Radio, por deri tani nuk ia kemi ndalur të ardhurat mujore, ndërsa mirëmbajtën e bëjmë nga selia në Prishtinë, me shpenzime të shumëfishuara,

Nga Shtëpia -Muze  transmetohet programi ditor i Radios, i cili përgatitet në selinë e saj,  në Prishtinë.

Në kuadër të Muzeut ndodhet edhe obelisku kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe pllaka përkujtimore për dëshmorët e rënë në mbrojtje të pozicioneve nga ku ka përgatitur dhe ka transmetuar programin e vet gjatë luftës, Radio-Kosova e Lirë. Me siguri se kërkesa nuk nënkupton edhe zhvendosjen e këtyre monumenteve fizike, përjetësore  të luftës së UÇK-së, nëse nuk është paraparë në fazën e dytë.

Ta vësh në pikëpyetje besimin e punës 20-vjeçare të Shtëpisë-Muze, të kërkosh nga Muzeu i Kosovës ta marrë teknikën e pajisjet, pa u konsultuar me Drejtorinë e Radios, ta emërtosh veten si “staf i luftës”, duke i përjashtuar edhe 32 anëtarë e bashkëpunëtorë të stafit, gjatë kohës në luftës, si dhe stafin  aktual që 25 vjet,  këtë e bën Martin Çuni, Nusret Pllana, Riza Berisha e dy të  tjerë, për të cilët, Radio e pas luftës ka ekzistuar vetëm në kohën sa e kanë zhvatur e njëri nga këta edhe e ka plaçkitur. Krejt kjo nuk është vetëm një nonses, sui generis, por është një komplot për ta arsyetuar përvetësimin e bunkerit të Radios në Pallanik, për të cilin Nusret Pllana kërkon ndihmë për asfaltimin e rrugës madje edhe në emër të bunkerit të radios, ndërsa nuk e njeh radion ekzistuese, nuk e pranon drejtorinë, por arbitron sikur të ishte ndonjë supermeni i stripve, një trim mbi trimat që edhe zërin e ka të trimit, duke besuar fortë në qenien  e tij se nuk do të kishte ekzistuar Radioja pa zërin e tij, sepse për të nuk është me rëndësi kush e ka përgatitur programin por kush e paska lexuar dhe kush ia paska “mbajtur në dorë” mikrofonin.

Kjo pesëshe famoze, nuk ka treguar publikisht për idenë, qëllimin, nuk kanë treguar me kë kanë biseduar në Muzeun e Kos0vës, por në mënyrë arbitrare, duke i identifikuar si staf lufte kanë nënshkruar kërkesën, e cila me siguri se deri tanë është dorëzuar në Muze, dhe këtë do ta verifikojmë së shpejti,  në mënyrë që ta kuptojmë a ka kompetencë ky Muze ta tërheq  teknikën e radios nga objekti të cilin e ka pronë të veten, nga ku edhe transmeton programin ditor, pa e pyetur fare Drejtorinë e Radios, por vetëm me pesë nënshkrime

Më ngushëllon fakti se nga e thëna në të bërë, është në mes një det me rërë.

Ata, besojnë se unë do të vdes së shpejti, kështu si kanë dëgjuar, dhe kjo një ditë do të bëhet realitet, por Radioja ka pasardhës, ka staf dhe do të ketë për jetë e mot. Andaj ëndrra e dhelprës se mos  po i bien dashit të poshmet, do të jetë zhgjëndrra e hidhur e këtyre supermenëve të kohës sonë. Në disa raste edhe turpi ka faqe dhe skuqet pak…

 

Ahmet Qeriqi

  1. 3.2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari mori pjesë në takimin virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

 Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin virtual, …