Vazhdojnë investimet afër një milionëshe në rregullimin e ujësjellësit në 9 fshatra të Komunës së Kaçanikut

Fshatrat e Komunës së Kaçanikut Nikaj, Rekë, Dubravë, Soponicë, Doganaj, Elezaj, Koxhaj, Sllatinë, dhe Kaçanik i Vjetër, së shpejti do të kenë të zgjidhur problemin e sigurimit të ujit të pijes. Kjo po bëhet e mundur falë projektit “ Sanimi, rikonstruimi dhe shtimi i kapaciteteve ujore për sistemin ekzistues për furnizim me ujë për 9 fshatrat e Komunës së Kaçanikut” që do të kushtoj afër një milion euro, financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që është duke u realizuar në territorin e Komunës së Kaçanikut.

Me këtë rast Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi vizitoi njërin nga rezervarët që është ndërtuar në kuadër të këtij projekti. Kryetari Ilazi tha se sigurimi i ujit të pijes është një problem që banorët po ballafaqohen sidomos gjatë stinës së verës. Kryetari shtoi se përmes implementimit të këtij projekti, banorëve do t’u lehtësohet jetesa përmes sigurimit të ujit të pijes për 9 fshatrat që janë të përfshirë në këtë rrjet të ujësjellësit. “Në mesin e prioriteteve të Komunës së Kaçanikut është edhe shtimi i kapaciteteve të ujit të pijes për të gjithë banorët” tha mes tjerash Kryetari Ilazi.

Drejtori për Shërbime Publike Ramadush Osmani tha se projekti është financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas kërkesës së vazhdueshme që ka bërë kjo drejtori në ministri për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes në këto fshatra. Drejtori Osmani shtoi se punimet janë duke vazhduar në ndërtimin e rezervarit dhe në shtrirjen e gypit primar për fshatrat që do të përfitojnë në këtë projekt, ndërsa është përfunduar pjesa e kaptimeve dhe gypave nga burimet deri tek peshorja në vendin e quajtur “Sepetin”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …