Në kuadër të aksionit “Për Malishevën e pastër”, sot ka vazhduar dita e dytë e kësaj nisme, e cila përfshin disa qëllime: pastrimin e hapësirave përreth, largimin e mbeturinave inerte dhe, mbi të gjitha, vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.
Aksioni sot është zhvilluar në fshatrat Ngucat dhe Temeqinë, ku kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm nxënësish, qytetarësh dhe kompanish private, të cilat i janë bashkuar nismës me makineri dhe punëtorë. Në krye të këtij aksioni ka qenë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i cili njëherësh udhëheq edhe task-forcën komunale për këtë qëllim.
Krasniqi ishte i shoqëruar nga drejtorë të drejtorive komunale dhe zyrtarë të tjerë. Krahas pastrimit të ambientit brenda fshatrave, po bëhet edhe largimi i deponive të mbeturinave inerte, ndërsa në disa hapësira janë mbjellë edhe fidanë.
“Komuna është e përkushtuar për mirëmbajtjen e ambientit dhe largimin e mbeturinave inerte, prandaj u bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë deponitë e caktuara për grumbullimin e mbeturinave inerte dhe ta ruajmë ambientin ku jetojmë”, ka thënë Krasniqi gjatë realizimit të aksionit “Për Malishevën e pastër”.