Zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka mirëpritur sot në takim drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Avni Ahmeti, për të diskutuar hapat konkretë drejt rregullimit të pronësisë në këtë komunë.
Gjatë takimit u prezantua projekti për Rindërtimin e Kadastrit në Viti, i cili synon trajtimin e çështjeve komplekse pronësore-juridike, si dhe harmonizimin e mospërputhjeve ndërmjet gjendjes faktike në terren dhe të dhënave në Regjistrin e të Drejtave mbi Pronat e Paluajtshme.
Ky projekt përfshin zonat kadastrale Tërpezë, Radivojcë dhe Sadovinë e Çerkezëve, me qëllim përmirësimin e saktësisë së të dhënave dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.
Me këtë rast, zv. kryetari Aliu shprehu gatishmërinë e plotë të Komunës së Vitisë për të bashkëpunuar ngushtë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, i cili pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rregullimin e çështjeve pronësore në zonat e përfshira.