Zbulohet shtatorja e Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu në Smirë të Vitisë

Në hyrje të fshatin Smirë të Vitisë, është bërë zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu, në një ceremoni solemne ku morën pjesë shumë mysafirë ndër t’a kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe ish presidenteja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kryetari Haliti, foli për figurën e dëshmorit në fjalë dhe rëndësinë e zbulimit të shtatores.

“Zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu, nuk është thjesht ngritje e një monumenti prej guri apo bronzi. Është ngritje e kujtesës sonë kolektive, është rikthim i dinjitetit të sakrificës në mesin tonë”, u shpreh ai.

Kryetari Haliti rikujtoi gjithashtu se vetëm pak ditë më parë, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Mirali Sejdiu është shpallur Hero i Kosovës, ndërsa familjes së tij i është dorëzuar urdhri “Hero i Kosovës”, për trimëri dhe sakrificë në luftën e Kosovës.

Në përfundim, Haliti theksoi se institucionet kanë detyrim të përhershëm për të ruajtur dhe kultivuar kujtesën historike, duke shtuar se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të mbështesë familjet e dëshmorëve dhe të investojë në ruajtjen e vlerave kombëtare.

Në këtë ceremoni, e pranishme ishte edhe ish Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu e cila në fjalën e saj u shpreh se Smirës i është kthyer në bronz figura e Mirali Sejdiut.

Ajo theksoi se ai rrjedh nga një familje që historinë nuk e mësoi vetëm nga librat, por e shkroi edhe me gjak si ushtar i Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Ai ra dëshmor duke mbrojtur popullatën dhe duke u bërë pjesë e përjetshme e historisë sonë. Liria që gëzojmë sot nuk është rastësi, por rezultat i sakrificës së njerëzve si Mirali Sejdiu, të cilët lanë familjen dhe jetën për atdheun”, u shpreh Osmani, duke rikujtuar se në muajin mars të këtij viti i ka ndarë medaljen “Hero i Kosovës”.

Fjalë rasti mbajti edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen masive në këtë përurim.

“Vendosja e kësaj shtatoreje pranë një rruge kryesore është një mesazh i fuqishëm se për këtë liri është derdhur shumë gjak dhe është bërë sakrificë e madhe. Gjaku i dëshmorëve është garanci e lirisë sonë”, tha ai. Përndryshe shtatorja është punuar nga mjeshtri Agon Qosa.

Përndryshe fjalë rasti mbajtën edhe: ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, Komandanti Selami Neziri, Kryetari i Shoqatës Smira, Ramadan Rrahmani dhe të tjerë.

Ceremonia përfundoi me homazhe dhe nderime për veprën e Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu, duke përçuar mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Kastrati ndau mirënjohje për afaristin, njëkohësisht këshilltar komunal në Grundau të Gjermanisë, Nysret Hoti

Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati ndau mirënjohje për afaristin dhe mërgimtarin, njëkohësisht …