Më 11 qershor të vitit 1999, forcat ushtarake të Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës depërtuan në periferi të Prishtinës, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë të re – çlirimin e kryeqytetit të Kosovës nga pushtimi serb. Ky veprim i guximshëm i UÇK-së ndodhi në prag të hyrjes së forcave ndërkombëtare të KFOR-it, duke treguar se forcat çlirimtare ishin të pranishme dhe aktive në terren, në mbrojtje të popullatës së pambrojtur dhe në ndëshkim të strukturave kriminale që, edhe në ditët e fundit të tërheqjes, kryenin krime dhe hakmarrje ndaj civilëve shqiptarë. Disa ditë para datës 11 qershor, njësi të vogla guerile të UÇK-së kishin depërtuar brenda qytetit të Prishtinës, duke realizuar aksione të koordinuara kundër forcave serbe dhe duke mbajtur kontakt me qytetarët që i kishin mbijetuar fushatës së dhunshme dhe spastrimit etnik. Çlirimi i Prishtinës nuk ishte vetëm një veprim ushtarak, por një simbol i fitores së qëndresës së armatosur dhe i përpjekjes shumëvjeçare për liri e dinjitet. Kjo ditë mbetet një kujtim i gjallë i trimërisë dhe vendosmërisë së bijve dhe bijave të Kosovës që i dolën zot vendit në momentet më të vështira.
