Më 12 qershor 1999, trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, hynë në territorin e Kosovës nga Maqedonia, duke shënuar një pikë kthese historike pas përfundimit të fushatës ajrore 78-ditore kundër forcave serbe. Ky zhvillim erdhi pas marrëveshjes ushtarake të Kumanovës, e cila përcaktonte tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova deri më 21 qershor të atij viti. Vendosja e trupave të NATO-s, përmes forcës paqeruajtëse KFOR, u bë në pesë zona të përgjegjësisë: amerikane, britanike, franceze, gjermane dhe italiane. Krahas kësaj pranie ushtarake, filloi edhe vendosja e administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, që kishte për detyrë të menaxhonte tranzicionin drejt vetëqeverisjes së Kosovës. Në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s, ka nisur edhe tërheqja e planifikuar e forcave serbe nga Zona e Llapit. Në të njëjtën ditë, Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark, deklaroi se forcat serbe kishin filluar largimin drejt Serbisë, duke nënvizuar se ndonëse bombardimet ishin pezulluar, ato do të rifillonin nëse Serbia nuk do të respektonte kushtet e marrëveshjes. 12 qershori shënon një nga momentet më domethënëse në historinë moderne të Kosovës, duke hapur rrugën për paqe, rindërtim dhe më në fund shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.- RKL- TV DIELLI.
