70 mijë euro për një vizitë: luksi presidencial në SHBA, heshtje dhe mungesë transparence

Rreth 70 mijë euro nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar për vizitën e presidentes Vjosa Osmani në ShBA, të zhvilluar në shtator të këtij viti, duke ngritur pikëpyetje serioze për arsyeshmërinë e kostove, luksin e panevojshëm dhe mungesën e transparencës institucionale. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga VOX Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, presidentja ka udhëtuar me një delegacion prej 12 personash, përfshirë 11 anëtarë të stafit. Ajo që bie veçanërisht në sy është kostoja jashtëzakonisht e lartë e akomodimit për dy këshilltare të Presidentes, që tejkalon dukshëm shpenzimet për pjesën tjetër të stafit. Vetëm për akomodim, për Donika Kadajn janë paguar 6,416 euro, ndërsa për Rejhan Vuniqin 8,064 euro, që në total arrin në 14,480 euro – një shumë që ngre dyshime për trajtim preferencial dhe keqmenaxhim të parasë publike. VOX Kosova ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidentes lidhur me këto shpenzime dhe dyshimet se këshilltaret mund të kenë udhëtuar disa ditë më herët drejt SHBA-së, por Presidenca nuk ka dhënë asnjë përgjigje.  Sipas të dhënave, shpenzimet për akomodim për gjithë delegacionin kanë arritur në 45,271 euro, biletat e udhëtimit kanë kushtuar 22,838 euro, ndërsa 1,447 euro të tjera janë shpenzuar për dreka, darka dhe internet. Në një kohë kur qytetarët e Kosovës përballen me rritje të çmimeve, varfëri dhe mungesë shërbimesh bazë, shpenzime të tilla luksoze përbëjnë një fyerje ndaj interesit publik dhe një shembull shqetësues të keqpërdorimit të parasë së taksapaguesve.

Kontrolloni gjithashtu

Ilirjana Mehmetaj: Psikologe e përkushtuar për ndryshim real dhe shërbim ndaj qytetarëve

Në Deçan u mbajt një takim pune i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku morën …