leoni

Fatmir Graiqevci

Fatmir Grejqevci: La breshká apo la tortue!?

Gjatë kohës së Titos, disa të mençur, pasi diskutojnë gjerë e gjatë, vendosin që nxënësit të mësojnë frëngjisht. Kur vjen koha e mësimit, kuptojnë se s’kanë mësues të frëngjishtes!!!

Por, si të mençur që janë, angazhojnë një person që kishte punuar në Francë. Ky pranon të japë mësim, ama vetëm derisa të gjendet një kuadër adekuat.

Arsimtari i gjuhës frënge, meqë ia dinte hallin vetes, para se të shkonte në shkollë, mësonte paraprakisht fjalët e panjohura, ndërsa kur nxënësit e pyesnin për ndonjë fjalë tjetër, ai ua shtonte parashtesën “la” dhe përgjigjej menjëherë.

Një ditë, nxënësit fillojnë të dyshojnë nëse mësimdhënësi e njeh vërtet gjuhën frënge. Më problematiku prej tyre merr përsipër ta verifikojë atë.

Të nesërmen, pasi mësuesi shkruan në tabelë fjalët e panjohura dhe kuptimin e tyre në gjuhën shqipe, ky ngre dorën dhe kërkon të bëjë një pyetje.

– Po, patjetër, – i thotë mësuesi me mirësjellje – Çfarë dëshiron të dish?

– Mësues, si i thonë breshkës në gjuhën frënge?

– La breshká, – ia kthen menjëherë mësuesi, duke shqiptuar zëshëm ë-në nazale.

Të gjithë nxënësit shohin nga shoku i tyre, dhe ai u jep shenjë me kokë se mësuesi është njohës i shkëlqyer i gjuhës frënge! Kjo i bën ata të ndihen me fat që kanë një mësues të mrekullueshëm që u mëson frëngjisht.

Vitin tjetër, ata pikëllohen tej mase, sepse gjuhën frënge ua mëson një mësimdhënës tjetër. Të kota ishin përpjekjet e drejtorisë së shkollës që mësimdhënësi i tashëm, është studiues dhe njohës tejet i mirë i gjuhës frënge! Nxënësit nuk lëkundeshin dot se  mësuesi i parë – ani pse nuk kishte diplomë e as përvojë në mësimdhënie, është njohës më i mirë. Ata i kishin bindur edhe prindërit se mësimdhënësi i parë, ua shpjegonte më mirë dhe më kuptueshëm gjuhën frënge. Nga ai, ata shumë më lehtë fjalëve shqipe ua gjenin fjalët adekuate ne gjuhën frënge ndërsa me këtë mësuesin e ri, nuk ua gjenin dot. Mandej edhe kur ai fjalët shqipe i përkthente në atë frënge, këta nuk i memorizonin dot!

Sërish paraqitet ai “super nxënësi” para klasës, duke i qetësuar shokët se do ta testojë edhe mësimdhënësin e ri, për të parë nëse është apo jo njohës i mirë i gjuhës frënge.

Të nesërmen, në fund të orës, mësimdhënësi i ri pyet nëse ka ndokush diçka të panjohur.

– Po, mësues i dashur, nëse më lejohet, do të bëj një pyetje!

– Patjetër! Urdhëro.

– Mësues, si i thonë frëngjisht breshkës?

Meqë njësia mësimore nuk kishte të bënte fare me terma të tillë, ai habitet për arsyen e kësaj pyetjeje dhe për disa sekonda vret mendjen pse nxënësi e pyeti këtë.

Ndërkohë, nxënësit shohin me habi njëri-tjetrin, duke filluar të dyshojnë në njohuritë e mësimdhënësit për gjuhën frënge.

– La tortue, – shkruan në dërrasë të zezë mësuesi.

E gjithë klasa fillon të lëvizë kokën herë nga tabela, herë nga super nxënësi, për të marrë konfirmimin e tij. Nga lëvizja e kokës së tij, kuptojnë se arsimtari nuk e di si i thonë breshkës në gjuhën frënge.

Sapo dalin nga klasa, të gjithë i rrahin shpatullat shokut të tyre të mençur. Një tjetër, rival i tij, shton më tej:

– Mirë e ke, sepse e kam vërejtur menjëherë që ky mësues nuk e di si i thonë breshkës frëngjisht!

– E si e vure re ende pa u përgjigjur mësuesi? – e pyesin të gjithë me një zë.

– Po, fare lehtë! Mësuesi i parë, pa u menduar fare, na tregoi se i thonë la breshka, ndërsa ky i tashmi – që krejt fjalët e gjuhës frënge i shqipton gabim – u mendua e u mendua derisa gjeti një fjalë koti, që s’ka të bëjë aspak me breshkën!

– Po tani, çfarë të bëjmë ne? pyeti një nxënës tjetër.

– Dihet, thotë ai,  do ta bojkotojmë mësimin derisa të na e kthejnë mësuesin e parë të frëngjishtes! Le ta dinë ata se ne nuk lejojmë të tallen me ne, që gjuhën frënge të na e mësojë dikush që s’ka lidhje me të!

– Mirë e keni, shtuan të gjithë nxënësit njëzëri,  vetëm nëse mundemi të kërkojmë që ne, nxënësit, të vendosim me vota se cili mësues duhet të na mësojë gjuhën frënge!

– Po, po! –kishin shtuar të gjithë njëzëri.

 Në demokraci edhe për gjërat më të rëndësishme vendoset me vota, e pse të mos vendoset kështu edhe për atë se cili mësimdhënës është më i mirë!?

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Hivzi Muharremi: FJALA IME NË PROMOVIMIN E MONOGRAFISË, EDI RAMA - NEUROESTETIKA E NJË ARTISTI, AUTOR OLTSEN GRIPSHI

Prof. Dr. Hivzi Muharremi: FJALA IME NË PROMOVIMIN E MONOGRAFISË, EDI RAMA – NEUROESTETIKA E NJË ARTISTI, AUTOR OLTSEN GRIPSHI

Me kënaqësi të madhe e kam pranuar ftesën nga autori, pedagogu dhe kritiku i artit …