U rrita n ’Pejë, nën hijen në Pejën e bukur, plot natyrë jeshile e maleve, ku era i ledhaton livadhet si dorë nëne.
Atje hodha shtatin tim të brishtë, dhe zemra më mësoi rrahjen e parë të ëndrrave.
Pastaj jeta më mori larg, në Sarajevën e bukur, ku rrugët mbajnë gjurmët e lotëve, dhe dallgët e jetës u përplasën mbi mua, si furtunat që s’pyesin kë ngrenë me vete.
Mërgimi më shtrëngoi kraharorin, si diçka që s’e zgjedh dot, por e duron.
Në çdo agim më zgjonte malli, në çdo mbrëmje më fliste atdheu me zërin e dhembjes së butë.
Sot, në pension, jam si lis i vjetër, që ka parë shumë mote, shumë stuhi,
por rrënjët… ah, rrënjët i kam ende në vendin tim,
në tokën që më rriti, bijë!
Dhe kur një ditë të mbyll sytë e kësaj bote,
po në shpirt kam një amanet: eshtrat e mia t’i çoni në vendlindje,
aty ku toka më njeh,
ku dielli më ka përshëndetur fëmijë,
ku emri im ka zë e kujtim.
Le të pushoj në paqe nën qiellin tim, se njeriu mund të endet botëve,
por zemra, zemra gjithmonë mbetet
aty ku ka rrahur për herë të parë! 🇦🇱🇦🇱
Ky shkrim është jetëshkrimi i Behide Hasanajt, i sjellë në formë të shkruar dhe i përpunuar letrarisht nga gazetarja e njohur shkodrane, Mrike Thamza
Shkodër, Mrike Thamza
12.12.2025
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
