Kush mbanë përgjegjësi se Moratoriumi e gjen Kosovën pa 23 ambasadorë, nga 32 sa i ka vendi ynë

Ramiz Tafilaj: Kosova mes zhurmës politike dhe nevojës për kthjelltësi qytetare

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Kosova po përjeton një nga fushatat më të ashpra, më të zhurmshme dhe më zhgënjyese të pasluftës. Tre ditë para votimit, diskursi politik është zhytur në një vorbull dhune verbale, shpifjesh, shantazhesh dhe premtimesh boshe, duke e shtyrë qytetarin gjithnjë e më larg besimit se politika është mjet për përmirësimin e jetës së tij.
Në vend të garës së ideve, programeve dhe vizioneve konkrete për zhvillim ekonomik, drejtësi sociale dhe shtetndërtim, partitë politike janë vërsulur në një gjueti shtrigash, ku akuzat për “tradhti”, “bashkëpunim me Serbinë” dhe “spiunazh” janë shndërruar në monedhë elektorale. Serbia vazhdon të jetë në qendër të fushatës jo si sfidë shtetërore që kërkon strategji të mençur dhe unitet politik, por si armë për shantazh të ndërsjellë, me shpresën se frika mobilizon më shumë se arsyeja.
Në këtë zhurmë të kontrolluar, qytetari harron – ose qëllimisht shtyhet të harrojë – faktin se të njëjtat parti e lanë Kosovën pa qeverisje funksionale për afro dhjetë muaj. Dhe rreziku që ky skenar të përsëritet është real.
Problemi nuk është vetëm te partitë, por edhe te sistemi zgjedhor. Kosova si një zonë e vetme zgjedhore e privon qytetarin nga përfaqësimi real. Kandidatë të panjohur për komunitete të tëra sigurojnë mandate në zona ku nuk kanë asnjë lidhje shoqërore, kulturore apo ekonomike. Deputetë që vijnë nga mjedise të varfra, brenda pak muajsh shfaqin pasuri marramendëse, pa asnjë transparencë bindëse.
Ka deputetë që pas zgjedhjeve nuk e vizitojnë më vendlindjen e tyre, por jetojnë mes Prishtinës dhe kryeqyteteve evropiane, duke lënë përshtypjen se janë të shkëputur nga realiteti i qytetarit që i votoi. Kjo nuk është përfaqësim – kjo është përvetësim i pushtetit.
Qeveritë e kaluara, pa përjashtim, kanë pasur zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Ironikisht, secila prej tyre ka shpallur luftë kundër korrupsionit, ndërsa në praktikë ai vetëm është thelluar. Shpresa e madhe se Lëvizja Vetëvendosje do të sillte stabilitet dhe ndryshim rrënjësor u zbeh shpejt. Në vend të reformës së thellë, u rrit polarizimi, gjuha e urrejtjes dhe një kulturë përjashtuese që e trajtoi kritikën si armiqësi.
PDK-ja dhe LDK-ja, secila në periudhat e veta, nuk treguan guxim të mjaftueshëm për t’u shkëputur realisht nga korrupsioni dhe klientelizmi. AAK-ja dhe NISMA, ndonëse me peshë më të vogël, nuk arritën të ofrojnë një alternativë bindëse sistemike.
Megjithatë, është e rëndësishme të thuhet qartë: asnjë parti nuk është monolite. Brenda secilës ka njerëz të ndershëm, profesionistë dhe të përkushtuar, që do ta meritonin votën e qytetarit. Problemi është se sistemi aktual e pamundëson votimin e lirë për individin e preferuar përtej kufijve partiakë.
Një tjetër sëmundje e skenës sonë politike është personalizimi ekstrem i pushtetit. Lëvizje që funksionojnë më shumë si projekte të një lideri sesa si institucione demokratike rrezikojnë vetë demokracinë parlamentare. Në shtetet funksionale, lideri ka rëndësi të kufizuar; vendimet merren në parlament, me debat, kompromis dhe votë të lirë.
Kur partia barazohet me një emër, atëherë mendimi ndryshe shtypet dhe kritika përjashtohet. Kjo nuk është reformë – është regres.
Dhe megjithatë, pavarësisht dështimeve të partive politike, Kosova nuk dështon. Shteti do të vazhdojë të ekzistojë, sepse për herë të parë ndodhet qartë në të njëjtën hemisferë interesash me aleatët strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një mundësi historike që nuk duhet shpërdoruar nga politika e vogël ditore.
Zgjedhjet nuk duhet të jenë fitore e një partie, por fitore e qytetarëve. Qeveria e ardhshme, cilado qoftë ajo, duhet të jetë e barabartë ndaj të gjitha komunave dhe qytetarëve, pa dallime partiake.
Në fund, votuesve në Kosovë dhe në diasporë u mbetet përgjegjësia më e madhe: të votojnë me mendje të kthjellët, jo me frikë, jo me urrejtje, por me shpresën se vota e tyre nuk do të vidhet, as keqpërdoret.
Demokracia nuk është perfekte, por është më e fortë kur qytetari nuk dorëzohet.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 le të jenë një hap drejt një Kosove më të drejtë, më përfaqësuese dhe më dinjitoze–një shtet demokratik dhe funksional.

Kontrolloni gjithashtu

Mr.Ali Hertica

Mr. Ali Hertica: Sistemi demokratik në ftyrën socialiste në Kosovë

Koncepti i “partisë së veprimit” zhvillohet më tej përmes një kritike të gjerë ndaj asaj …