Gjenocidi në Bihor, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Konferenca e Bujanit: një lexim ndryshe i viteve 1943–1944

Gjenocidi në Bihor, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Konferenca e Bujanit: një lexim ndryshe i viteve 1943–1944

Ismet Azizi: Historia politike e shqiptarëve dhe myslimanëve në Sanxhak dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore zakonisht është trajtuar në mënyrë të copëzuar: dhuna masive më vete, organizimet politike më vete, ndërsa roli i lëvizjes komuniste shpesh paraqitet si faktor neutral. Një qasje e tillë nuk e shpjegon plotësisht dinamikën reale të asaj periudhe.

Ngjarjet e janarit 1943 në Bihor të Sanxhakut përbëjnë një pikë kthese. Masakrat ndaj popullsisë myslimane (shqiptarë e boshnjak), djegiet e fshatrave dhe dëbimet masive, të kryera nga formacione çetnike, krijuan një ndjenjë frike ekzistenciale dhe shkatërruan çdo shpresë edhe pse nuk ekzistonte kurfar besimi  se strukturat partizane apo projekti i ardhshëm jugosllav mund të garantonin siguri. Për shumë familje, mbijetesa u shndërrua në çështje jetike.

Në këtë kontekst duhet parë edhe formimi i Lidhja e Dytë e Prizrenit në shtator 1943. Ajo nuk ishte vetëm shprehje e nacionalizmit shqiptar, siç paraqitet shpesh, por edhe reagim politik ndaj dhunës gjenocidale dhe pasigurisë totale. Për boshnjakët  dhe shqiptarët e Sanxhakut,  por edhe për shqiptarët e Kosovës, Lidhja përfaqësonte një formë vetorganizimi dhe një përpjekje për të parandaluar përsëritjen e tragjedive si ajo e Bihorit. Ideja e lidhjes me Shqipërinë merrte kuptimin e garancisë së sigurisë, jo thjesht të idealit kombëtar.

Në fund të vitit 1943 dhe fillim të vitit 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit. Premtimi për të drejtën e vetëvendosjes pas luftës u paraqit si ofertë politike për shqiptarët. Megjithatë, në dritën e zhvillimeve të mëvonshme, kjo konferencë rezulton më shumë si një manovër taktikë e strukturave komuniste për të dobësuar ndikimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe për të kanalizuar mobilizimin shqiptar brenda frontit antifashist. Anulimi i vendimeve të Bujanit pas luftës e dëshmon qartë karakterin e përkohshëm të këtyre premtimeve.

Kur këto ngjarje shihen së bashku, del në pah një zinxhir i qartë: dhuna gjenocidale në Bihor prodhoi frikë dhe radikalizim politik; kjo çoi në formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si mekanizëm mbijetesë; ndërsa Konferenca e Bujanit u shfaq si përpjekje për të kontrolluar dhe neutralizuar këtë realitet të ri politik.

Ky lexim ndryshe ndihmon për të kuptuar se organizimet politike të asaj kohe nuk lindën në vakuum, por si përgjigje ndaj dhunës, pasigurisë dhe mungesës së mbrojtjes institucionale. Pa e marrë parasysh këtë kontekst, historia e Sanxhakut  e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore tash për tash mbetet e cunguar.

Kontrolloni gjithashtu

Rrahim Bektashi: Në 113 vjetorin e formimit të Ushtrisë Shqiptare

KOLONELI SHKOZA VURI THEMELET E PARA TË USHTRISË SHQIPTARE Selaudin Shkoza sipas arkivave (Dosja në …