Historiografia jo vetëm turke por edhe ajo botërore e njeh luftën e Çanakalasë, duke i dhënë karakterin real të qëllimit dhe misionit të kësaj lufte të drejtë.
Padyshim lufta e Çanakalasë bën pjesë ndër pikat më të ndritshme të historisë së kombit turk, reflektimi i së cilës nuk ka mbetur pa jehonë edhe te popujt tjerë liridashës.
Lufta e Çanakalasë është shembulli më i mirë, se si mbrohet atdheu, si luftohet për të, si duhet flijuar për të, duke e konsideruar të shenjtë mbrojtjen e kombit kur ai është në rrezik dhe mbrojtjen e lirisë kur ajo është e cenuar nga armiqtë qofshin ata të jashtëm apo të brendshëm.
Betejat e luftës së Çanakalasë nuk kanë mbetur pa jehonë edhe te shqiptarët. Disa historian shqiptarë kanë shkruar për këto beteja si: prof. dr. Gazmend Shpuza, akad. Kopi Kyqyku, dr. Ibrahim Krosi, prof. Dr. Nebi Dervishi etj. Por, e tëra ajo që është shkruar në historiografinë shqiptare deri tani, as për së afërmi nuk është e mjaftueshme, për zbardhjen e së vërtetës, në radhë të parë, për vetë historiografinë shqiptare.
Arsyet për këtë janë të shumta:
Së pari, karakteri i luftës së drejtë, mbrojtëse.
Së dyti, për shkak të faktit se në anën mbrojtëse, kanë marrë pjesë një numër jo i vogël i luftëtarëve shqiptarë.
Sipas dëshmive të studiuesve dhe historianëve pohohet se një pjesë e konsiderueshme e Divizionit 19 të Armatës së Turqisë që mori pjesë në betejën e Çanakalasë përbëhej nga shqiptarët nën udhëheqjen e Mustafa Qemalit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Ataturku për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë luftë.
E njëjta gjë dëshmohet qartë edhe nga përmbajtja e emrave të shkruara në gurët e varrezave të dëshmorëve të shumtë, ku në shumë prej tyre lexohen edhe emrat e qyteteve si: Manastir, Ishyp, Ipek, Prizren, Ohri, Vlorë, Elbasan, Kumanova, Presheva, Gjakova etj. Pothuaj të gjithë të rënët shqiptarë i kanë takuar moshës së re, të cilët kryesisht kanë qenë të mobilizuar pas shpërnguljes për Turqi, ku kanë emigruar pas Luftës së Parë Ballkanike 1912 – 1913.
Së treti, ka nevojë për të shkruar dhe hulumtuar për pjesëmarrësit shqiptarë në këtë luftë, edhe për arsyen se numri i vërtet i shehitëve të Çanakalasë është i panjohur, për vetë faktin se shumë prej të rënëve në këtë luftë nuk janë identifikuar deri në fund.
Mund të ketë sot të shënuar një numër të caktuar të shehitëve të identifikuar, të cilin numër mund ta lexojmë në libra të ndryshëm, apo edhe punime të ndryshme shkencore, por, askund nuk thuhet se ky numër i të rënëve në këtë betejë kaq të përgjakshme dhe kaq të gjatë, është përfundimtar.
Populli shqiptarë edhe përmes kulturës së tij, përmes këngëve folklorike, nuk ka mundur të qëndrojë indiferent ndaj kësaj ngjarjeje sa tragjike aq edhe heroike. Prandaj disa këngëtarë shqiptarë i kanë kënduar luftës së Çanakalasë duke i interpretuar ato në koncerte të ndryshme e madje edhe gazmende familjare. Këtu vlenë për t’i përmendur vetëm disa nga këta këngëtarë, shumica nga të cilët tashmë nuk janë në mesin e të gjallëve si: Salih Krasniqi, Feriz Krasniqi e Ali Krasniqi, Riza Bllaca, Bajrush Doda, Qamili i Vogël e Mazllom Mejzini e deri te këngëtarë të gjeneratës më të re si Ganimete Asllani, vëllezrit Rijad e Mirhat Lecaj etj.
Edhe nga treva e Opojës, kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në këtë luftë. Pothuaj nuk ka fshat për të cilin mund të thuhet se të paktën ndonjë nuk ka marrë pjesë. Por, nuk mjafton vetëm të përmenden numra të pjesëmarrësve, por duhet bërë hulumtime për identifikimin e këtyre pjesëmarësve në këtë luftë, qoftë ndonjë që ka shpëtuar i gjallë, qofshin edhe që kanë rënë si dëshmorë.
Nga hulumtimet e bëra deri më tani kemi arritur t’i identifikojmë disa të dhëna për trevën e Opojës:
BLAÇ: Daut Ahmet Nebiu. Thuhet se ka humbur në Çanakkale-Turqi, ku ka qenë pjesëmarrës në luftën e Çanakkalasë, dhe është vra në këtë luftë.
Sait Jusufi (1887-1961) – Ushtar i Perandorisë Turke në Luftën Ballkanike. Ka qenë ndihmës i ysbashit të ushtrisë turke që ka numërurar 1000 ushtarë. Të njëjtit ia ka mbajtur edhe pozitën e qatipit (sekretarit). Shkon për të luftuar në krah të forcave turke në vitin 1914 dhe qëndron atje deri pas lufte kur kthehet në atdhe në vitin 1921. Është plagosur në një nga betejat e luftërave turko-ruse. Ka marrë pjesë edhe në luftërat turko-greke.
Halit Kamberi – Pjesëmarrës në luftërat turko-ruse. I zënë rob dhe i vuajtur e i burgosur në këtë kohë. Datat e lindjes e vdekjes nuk janë të njohura nga të afërmit e tij por mendohet se ka qenë bashkëkohanik me Sait Jusufin ose Jakup Bahtijarin.
KAPRE: Zylfi Kapra 1846, me 1910 është shpërngulur në Sinanlije. Është marrë me bujqësi e blegtori si në vendëlidnje ashtu edhe në Turqi. Është shpërngulur për shkaqe ekonomike. Është vrarë në Luftën e Çanakalasë. Të birin e ka lënë si foshnje për të cilin është kujdesur djali i agjës Mahmuti.
Hasip Kapra 1886, më 1910 shpërngulet në Sinanlije të Turqisë ku meret me bujqësi dhe blegtori. Është shpërngulur për shkaqe ekonomike. Ka rënë në luftën e Çanakalasë.
Nga Rrenci ishte Behlul Skeraj i cili pas luftës është kthyer i gjallë në vendlindje.
Nga Bellobradi janë Sali Qafleshi, Fazli Qafleshi, Vehbi Qafleshi dhe Elez Sadikaj që kanë rënë dëshmorë në luftën e Çanakalasë.
Janë të gjallët ata që duhet t’u dalin zot të vdekurve. Prandaj janë të gjallët ata që duhet të shkruajnë për të bërë identifikimin e shehitëve të paidentifikuar, pjesëmarrësve në luftë, si dhe të shkruajnë për ata të identifikuarit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
