Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: FILLET E REVOLUCIONIT NË KOSOVË NË PRANVERËN ’81

Në mbështetje të shkrimit të publikuar nga Arbana Ahmet Qeriqi, me datë 26 mars 2026, shkruar nga prof. Ahmet Qeriqi.

Duke qenë në koherencë me shkrimin e Ahmetit, edhe unë konstatoj kështu:

Demonstratat e vitit 1981, edhe pse ishin përgatitur vite më parë, strategët dhe organizatorët e këtyre ngjarjeve mendonin që nga këto demonstrata të kalohet në kryengritje.
Pasi që ishim të sigurt se ndjekja, dhuna dhe arrestimet do t’i detyronin njerëzit të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të dilnin në grupe, në ilegalitet të thellë, të qenurit në kushte të jetës së fshehtë do t’u duhej mbrojtja e vetvetes, mos me u dorëzuar në duart e milicisë! Pra, do t’u duheshin armë me u mbrojtur, si dhe mbledhja e njerëzve të besueshëm rreth tyre, gjë që do të bëhej një forcë e konsiderueshme për vetëmbrojtje, këta do të vepronin në rrethet e tyre, çka që do ta çorientonte armikun dhe do ta kishte të pamundur me i kapur.

Nga kjo gjendje do të krijoheshin grupe guerile dhe do të vazhdonte kryengritja me luftë për çlirimin e Kosovës!

Për fat të keq, patëm burgosje para këtyre ngjarjeve të parapara për vitin 1980!

U burgosën shumë veprimtarë që nga viti 1975, ’79, kështu që organizatorët nuk mundën të jenë drejtuesit e demonstratave, sepse shumica ishin në burg!

Edhe unë, pos burgosjes më 1979, isha prapë në burgun ushtarak në Postojna, nuk munda të jem pjesëmarrës në demonstratat e 1981-shit. Siç ishin edhe shumë të tjerë nëpër burgjet e Ushtrisë së detyruar jugosllave, siç janë: Fadil Vata, Murat Bytyqi, Naser Selimi, Halil Krasniqi e të tjerë. Edhe të tjerët që nga 1979, si: Ibrahim Shala, Emrush Gjemejli, Hajdin Abazi e të tjerë, në burgun e Pozharevcit e të Sremska Mitrovicës, gjithandej nëpër kazamatet jugosllave!

Jashtë vendit ishin dalë Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Sabri Novosela e shumë të tjerë.

Dikush i quajti aksidentale për një pjatë ushqimi që u thye nga Avdulla Tahiri në kuzhinën e studentëve në Prishtinë, gjoja nga ky reagim na paska plasur protesta nga pakënaqësia me ushqimin!
Kjo nuk ishte vetvetiu bindja e naivëve, por instalimi i propagandës së pushtetarëve të atëhershëm kuislingë e kolaboracionistë, që të mbeteshin në pushtet, duke i minimizuar e mohuar kërkesat politike të demonstruesve!

Si do qoftë, kjo shkëndijë ndezi zjarrin e lirisë dhe vuri në lëvizje studentët dhe patriotët e atdheut, për të vazhduar përpjekjet; tani flitej me qasje të hapur për Republikë, barazi në kuadër të Federatës Jugosllave!

Kjo gjë ishte menduar sa për fillim të merrnim me vete sa më shumë popull, kërkesa të mos ishin maksimale, sepse nuk do të gjenim shumë përkrahës!

Mirëpo, kur mendohej se kjo nuk mund të realizohet pa luftë, duke e njohur mirë pushtuesin kolonizator shekullor, ne e patëm menduar luftën; kjo do të implikonte edhe Shqipërinë dhe kështu do të vinim deri te bashkimi kombëtar!

Kjo qartësi u mungonte organizatorëve të çastit, si dhe kontrolli mbi demonstruesit u bë i pamundur!
Shtuar kësaj ndërhyrjet e udhëheqësve kolaboracionistë politikë krahinorë, si dhe shtypja me forcë nga Beogradi dhe tërë akterët e dhunës jugosllave, po ashtu edhe propaganda e UDB-së, krijuan divergjenca te demonstruesit, çka që dolën kërkesa të ndryshme politike që lansoheshin nga grupet!

Dolën kërkesa për bashkim me Shqipëri me foton e Enver Hoxhës; në anën tjetër parullat “vëllazërim-bashkim-barazi”, me foto të Titos; grupimi më i zëshëm ishte me parullën: “Republikë, Kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë!”
Parulla më e përdorur dhe qendrore ishte: “Kosova Republikë!”

Logjikën e një kryengritjeje e përdorën llapjanët, të organizuar fuqishëm; ndaluan autobusët që vinin nga Serbia me polici e rezervistë të armatosur me armë të gjata, i çarmatosën, ua morën armët dhe bllokuan rrugën kryesore për 24 orë, nuk lejonin depërtimin e forcave serbe!

Kësaj logjike me të drejtë i pati besuar fort Ahmet Qeriqi; Ahmeti, pas demonstratave të 11-26 marsit dhe të 1-2 prillit, kalon në ilegalitet dhe përpiqet të gjejë shokë si vetja në Preshevë, Kumanovë, Shkup, Kaçanik, Prishtinë e gjetiu.

Duke qenë i bindur se do të organizoheshin grupet guerile, për këtë arsye ai e krijoi bunkerin dhe doli në ilegalitet nga 3 prilli 1981 deri më 10 maj 1982!
I mbetur i vetmuar nga shokët, i kushtëzuar me marrjen peng të familjes nga UDB-ja, dorëzohet dhe dënohet me 8 vite burg!

Kështu që u bënë shumë fraksione të ndryshme, të shumta lëvizje e grupe me emërtime të ndryshme dhe me strategji e kërkesa të ndryshme politike!

Pasi nuk e kam objekt përshkrimin dhe numërimin e tyre, do ta shkruaj herën tjetër cilat grupime kanë ekzistuar!
Ato u formuan dhe u emëruan sipas logjikës veç e veç dhe emërtimet iu janë përshtatur varësisht rrugës dhe strategjisë të paraparë se si duhet të arrihej deri te qëllimi; kjo gjë e ka determinuar edhe emrin dhe programin e tyre!

Disa kanë menduar në marrëveshje me organet kolaboracioniste udhëheqëse të Kosovës të bashkëpunojnë dhe t’u mundësohet hapësirë veprimi, një lloj mendimi ndryshe si pluralizmi!
Disa me protesta masive popullore, siç ishin gjatë viteve 1989-90.
Të tjerët me demonstrata e sabotime ta pengojnë zhvillimin dhe sundimin e okupatorit!

Ndërsa ishin edhe ata që vepronin për kryengritje, me fillim në nivele guerile të armatosura, aksione me armë, në minim shkatërrime dhe likuidime të UDB-ashëve, milicëve e të spiunëve!

Shtypja e madhe nga aparati shtypës jugosllavo-titoist, si dhe tradhtia e brendshme e kolaboracionistëve, i quajtën demonstratat revolucionare si kundërrevolucion për jugosllavët!

U bënë burgosje të shumta dhe filloi diferencimi e linçimi i patriotëve dhe familjeve, si dhe lidhjeve të tyre!

Kjo gjendje e shtyu rrugën dhe u desh të vazhdojmë edhe dy dekada me veprimtari të fshehtë, ta çonim deri te lufta e UÇK-së!

Përpjekjet ishin të gjithanshme! Përpjekjet kryesore ishin me e bind popullin kundër pushtuesit. Po ashtu u desh të bindeshin që mund të arrihej fitorja, me i bind që mos t’u besonin kolaboracionistëve, spiunëve dhe propagandës armike!
Me i bind për përgatitjet për sakrifica dhe luftë për liri!

Gjatë rrugëtimit me veprimtari janë shpërndarë trakte e parulla, u bë propagandë kombëtare, aksione diversante dhe vrasje të kriminelëve!
Vrasja e milicëve dhe spiunëve!

Pos organizimit të brendshëm, u bënë përpjekje për lidhje dhe bashkëpunim me Shqipërinë mëmë, nëpërmjet përfaqësive diplomatike që ishin të urdhëruara nga Enver Hoxha për bashkëpunim, përmes emigracionit.
Po ashtu u vendos bashkëpunimi direkt me shtetin amë Shqipërinë!

Lindja dhe zhvillimi i gueriles u bë atëherë kur ishte më se e domosdoshme, kur u krijua gjendje e rëndë dhe e padurueshme shtypëse:
të jemi apo mos të jemi shqiptarë, të luftojmë e të mbrohemi apo të zhdukemi pa u mbrojtur, ta mbrojmë atdheun apo ta lëshojmë, të ikim e të mbetemi nomadë nëpër botë!

Përgatitjet e lëvizjeve dhe të shumë akterëve, siç ishin patriotët tradicionalë, të burgosurit politikë, si dhe të dënuarit në mungesë që nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, azilantët që nuk mund të ktheheshin në atdheun e vet!

Filluan grupimet guerile në Kosovë, filluan edhe aksionet luftarake; këto i mori përsipër LPK-ja dhe formoi UÇK-në në nëntor të 1994, e mori këtë emër UÇK!

Lufta jonë dy e më shumë vjeçare dhe ndihma e aleatëve sollën çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbo-sllavë, që na mbajtën nën pushtim kolonial gjatë 150 viteve!

Respekt për Dëshmorët e viteve 1981-82.
Respekt për veprimtarët dhe vuajtësit në burgje e tortura.
Lavdi luftës çlirimtare, lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit në të gjitha luftërat.
Respekt dhe përulje për luftëtarët çlirimtarë!
Respekt për ju, Arbana, që na i kujtoni shkrimet e prof. Ahmet Qeriqit.

27 mars 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: KUR HISTORIA TROKITI NË DERË: “Liria erdhi—po a u ndërtua shteti?”

Kujtime dhe emocione: Nga zbarkimi i delegacionit të parë amerikan në Tiranë, 20    mars 1991 …