Në kufirin e brishtë mes dimrit që ikën dhe pranverës që troket, natyra duket sikur merr frymë thellë para se të ndryshojë faqe. Dielli ngroh me butësi, por në thellësi fshihet ende një ftohtësi e pabesë. Pikërisht në këto ditë të pasigurta lind rrëfimi i vjetër i “Plakave të Marsit”, një tregim që vjen nga shpatet e Malit të Tomorrit dhe që na kujton se natyra nuk harrohet, as nuk sfidohet pa pasoja. Ja si vjen legjenda…
Atë fund të marsit, kur dielli filloi të ngrohë tokën dhe dëbora tërhiqet në majat e maleve, në shpatet e Mali i Tomorrit disa plaka baritore që jetonin me burrat barinj sikur u lehtësuan. Nën hijen e Tomorrit madhështor ato rreze dielli sikur sollën entusiazëm pë plakat plot halle. Ato kishin kaluar shumë dimra të ashpër dhe mezi prisnin pranverën. Në mëngjes, dielli doli i ndritshëm dhe qielli ishte i kthjellët si kristal. Ajri mbante aromën e barit të njomë dhe zogjtë këndonin sikur dimri të kishte marrë fund përgjithmonë…
-“Erdhi pranvera,” – tha njëra prej plakave, duke shtrirë duart drejt diellit.
-“Po, marsi e mbaroi fuqinë e tij, të ngricave, jeton minutat e fundit” – ia ktheu tjetra.
Por më e vjetra ndër to, një grua me sy të mprehtë dhe gjuhë të fortë, qeshi me përbuzje:
“Le të vijë prapë Marsi po deshi! S’ka më ç’të na bëjë. Iku! E mundëm dimrin e egër! E mundëëëëmmm”. Fjalët e saj u shpërndanë nëpër male si jehonë, si një sfidë ndaj dimrit. Dhe marsi idhnak, egoist, që thuhet se i dëgjonte gjithmonë njerëzit, u zemërua thellë. Ai iu drejtua Shkurtit :
-“Shkurt , o vëlla, më jep tri ditë hua, t’i ngrij plakat me gjithë ç’kanë me vete! Më fyen, më urryen! Do ta shpërblej qindfish…” Prilli si për çudi pranoi. S’u mendua gjatë dhe pse dallojet për maturi. Ishin minutat e fundit të Marsit të egër. Dhe papritur, qielli u errësua. Era nisi të fryjë e akullt, retë u mblodhën si ushtri dhe bora ra pa mëshirë. Plakat, që pak më parë kishin dalë me bagëtitë në mal, u gjendën të papërgatitura. Të trembura, u përpoqën të ktheheshin, por stuhia i zuri në mes të rrugës. I ftohti u fut deri në palcë dhe hapat iu rënduan si gurë. Njëra thirri:
-“Na fal, o Mars! Nuk e dinim ç’bëmë! Ne gabuam, mos gabo dhe ti, mos na mallko!”
Por ishte vonë…
Thuhet se aty, në shpatet e Malit të Tomorrit, ato mbetën përgjithmonë. U kthyen në gur, bashkë me bagëtitë e tyre. Dhe edhe sot, disa thonë se mund të dallosh formën e një pllake me tri plaka që rrinë të përkulura, sikur ende të jenë duke u mbrojtur nga të ftohtit. Nga një shkëmb i çuditshëm aty pranë rrjedhin pika uji, që populli i quan “lotët e plakave”. Që atëherë, çdo vit, kur Marsi mbaron dhe i ftohti kthehet papritur, njerëzit thonë me një buzëqeshje të lehtë, por edhe me respekt:
“Erdhën plakat e Marsit…” Dhe askush nuk guxon më të sfidojë natyrën. Njerëzit tashmë e dinë se duhet të respektojnë rregullat e natyrës dhe ti përgjigjen me kujdes tekave të natyrës. Ndaj kur vijnë ditët e plakave njerëzit thonë: Kujdes po vijnë plakat, Marsi ikën, kur ikin ato. Mos u gënjeni nga pranvera e parakohëshme si lulet e pemëve. Në traditën popullore shqiptare, “ditët e plakave” nuk janë thjesht një tregim, por edhe një vëzhgim i hollë i natyrës dhe cikleve të saj. Besohet se në fund të marsit, kur dimri duket sikur është dorëzuar, natyra mashtrohet nga disa ditë të ngrohta dhe të bukura. Pikërisht në këtë moment, pemët çelin para kohe, duke nxjerrë lule të brishta që duken si premtim i një pranvere të begatë. Por “Plakat e Marsit” vijnë si një kthesë e papritur. Temperaturat bien sërish, ngricat rikthehen dhe këto lule të nxituara dëmtohen. Si pasojë, ato nuk arrijnë të japin fryt. Ky fenomen, i veshur me legjendë, është në fakt një paralajmërim i hershëm i mençurisë popullore: natyra ka ritmin e saj dhe çdo nxitim paguhet. Kjo dukuri nuk është vetëm simbolike, por edhe reale për bujqësinë. Ngricat e vonshme pranverore janë një nga rreziqet më të mëdha për pemëtarinë, pasi dëmtojnë lulëzimin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e vitit. Në thelb, legjenda e “Plakave të Marsit” dhe lulëzimi i parakohshëm mbart një mesazh të qartë: jo çdo ditë e bukur është shenjë sigurie. Ndonjëherë, pas diellit të ngrohtë fshihet ende fryma e dimrit
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
