Komuna e Skenderajt ka shënuar Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve

Sot, Komuna e Skenderajt shënon Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve e cila filloi me homazhe përkujtimore në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe vazhduan në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, ku u vendosën kurora lulesh dhe u bënë nderime pranë varreve të të rënëve për liri.

Më pas, në kuadër të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, u mbajt Seanca Solemne e Kuvendit Komunal, e cila filloi me intonimin e Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës. Seanca u udhëhoq nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Adelina Spahiu-Alija, ndërsa me një fjalë rasti u drejtua Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, i cili vlerësoi lart sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit, në fshatin Çirez u zhvillua ceremonia e zbulimit të shtatoreve të dëshmorëve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi.

Vepra dhe sakrifica e dëshmorëve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi zënë një vend të veçantë në historinë e përpjekjeve për liri. Zbulimi i shtatoreve të tyre përbën një akt të rëndësishëm mirënjohjeje dhe respekti institucional e qytetar për kontributin e tyre në luftën çlirimtare, duke shërbyer njëkohësisht si kujtesë e përhershme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm mbi çmimin e lirisë.

Dita e Çlirimit mbetet një ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Ajo na kujton sakrificën sublime të dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përulja dhe respekti ndaj veprës së tyre mbeten obligim i përhershëm institucional dhe qytetar, në mënyrë që kujtesa historike dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua liria jonë të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi.

Në këto aktivitete nderimi e përkujtimi morën pjesë Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, Nënkryetari z. Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Adelina Spahiu-Alija, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit Komunal, deputetë, gjeneralë dhe veteranë të luftës, përfaqësues të OVL UÇK-së, qytetarë dhe familjarë të dëshmorëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Kastrati ka pritur një grup studentësh nga SHBA-të, së bashku me drejtuesit e tyre

Kryetari i komunës së Malishevës, z.Ekrem Kastrati ka pritur një grup studentësh nga SHBA-të, së …