Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, priti në takim Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli Dalipi, me të cilën zhvilloi një takim të rëndësishëm dhe nënshkroi Marrëveshjen e Grantit në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat (PBSA).
Përmes kësaj marrëveshjeje, Komuna e Deçanit përfiton financim deri në 2 milion e 375 mijë euro, i cili do të shërbejë për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet më të cenueshme.
Investimi do të përfshijë:
Ndërtimin e njësive të reja të banimit social;
Renovimin e shtëpive për familjet në nevojë;
Rindërtimin e shtëpive për familjet e cenueshme.
Kryetari Ramosaj ka thënë se ky projekt përbën një mbështetje të rëndësishme për familjet në nevojë dhe një hap konkret drejt përmirësimit të mirëqenies dhe kushteve të jetesës së tyre. Ai ka
falënderuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për bashkëpunimin dhe përkushtimin në mbështetje të Komunës së Deçanit dhe qytetarëve të saj.