U mbajt mbledhje përkujtimore për punëtorin e Komunës së Malishevës, Haki Rudi

Në Komunën e Malishevës është mbajtur sot mbledhje përkujtimore me rastin e ndarjes nga jeta të punëtorit të administratës komunale, Haki Rudi.

Mbledhja përkujtimore u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ndërsa në të morën pjesë bashkëpunëtorë, kolegë dhe zyrtarë të administratës komunale, të cilët me dhimbje dhe respekt kujtuan figurën dhe veprën e të ndjerit.

Në fjalën e tij përkujtimore, kryetari Ekrem Kastrati shprehu ngushëllimet e tij dhe të institucioneve komunale për familjen, të afërmit dhe kolegët e Haki Rudit. Ai vlerësoi kontributin e tij të dhënë gjatë punës në administratën e Komunës së Malishevës, duke theksuar se Hakiu do të kujtohet si një koleg i përkushtuar dhe njeri i respektuar nga bashkëpunëtorët.

„Ndarja nga jeta e Haki Rudit është një humbje e madhe për familjen e tij, por edhe për kolegët dhe institucionin ku ai shërbeu me përkushtim. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë te të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të“, u shpreh kryetari Kastrati.

Me një fjalë përkujtimore para të pranishmëve u paraqit edhe drejtori i Administratës, Argjend Thaçi, i cili kujtoi me respekt bashkëpunëtorin dhe kolegun e tij. Ai vlerësoi punën, korrektësinë dhe përkushtimin e Haki Rudit në detyrat e tij, duke shprehur dhimbjen për humbjen e tij.

Në fund të mbledhjes, të pranishmit shprehën respektin e tyre për të ndjerin Haki Rudi dhe solidaritetin me familjen e tij në këto momente të vështira.

Në emër të familjes së Haki Rudit, të pranishmit i falënderoj, vajza e Hakiut, Fatime Rudi Thaçi.

Komuna e Malishevës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rudi, të afërmve, miqve dhe kolegëve të Hakiut.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi uron fillim të mbarë të vitit të ri shkollor

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, me …