Ahmet Qeriqi: Dëbimi masiv i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit I

Adil Fetahu: SA SHQIPTARË DUHEJ TË SHPËRNGULESHIN SIPAS ÇUBRILLOVIQIT?

Pas Luftës së Parë Botërore, me rastin e themelimit të Mbretërisë Slloveno-Kroato-Serbe (gabimisht përdoret  renditja Serbo-Kroato-Sllovene), në popullsinë e asaj krijese tri pakica (Shqiptarët, Gjermanët dhe Hungarezët) ishin numerikisht më të mëdha se populli   Malazez dhe ai Maqedon, të cilët në Jugosllavinë e (n)Dytë u formuan  si kombe dhe republika, me të drejtë vetëvendosje deri në shkëputje.

Sipas regjistrimit të vitit 1921 të popullsisë , në bazë të gjuhës amtare dhe besimit fetar,  pasi që edhe Vojvodina e Autrohungarisë i ishte bashkuar Serbisë (Jugosllavisë), popullsia kishte arritur në 12.055.715 banorë, me këtë përbërje:  Serbë 4.704.876 (39%), Kroatë 2.889.102 (23,9%), Sllovenë 1.023.588 (8,5%), Muslimanë 759.656 (6,3%), Maqedonë 630.000(?) (3,3%), Gjermanë 512.207 (4,3%), Shqiptarë 483.871 (4%), Hungarezë 472.079 (3,9%), Rumunë 183.563 (1,6%), Turqë (143.453 (1,2%), Italianë 11.630 (0,1%), pakica sllave 198.857 (1,6%), të Tjerë 42.756 (0,3%). Malazezët nuk figurojnë si popullsi e veçantë. Të dhënat absolute dhe relative për popullsinë Maqedone janë kontradiktore, prandaj është e qartë se popullsia maqedone ishte  3,3% e popullsisë së përgjithshme të atij shteti të sapoformuar, do të thotë përqindja më e vogël se e minoritetit gjerman, shqiptar dhe hungarez.

Sipas regjistrimit të popullsisë (31 mars 1931), në Kosovë e Metohi (‘’Stara Srbija’’), Maqedoni dhe Mal të Zi, kishte gjithsejt 474.771 Shqiptarë (‘’), do të thotë 9100 banorë Shqiptarë më pak se në vitin 1921 !

Për ironi, me Kushtetutën e vitit 1921 dhe atë të vitit 1931,  në parim  dhe me norma ishin proklamuar të drejtat e barabarta qytetare, por midis normave dhe praktikës ishte dallimi i madh në realizimin e atyre lirive dhe të drejtave, veçmas për popullsinë Shqiptare dhe atë Boshnjake (Muslimane). Kur i krahason të dhënat e popullsisë Shqiptare nga regjistrimi i vitit 1921 (483.871) dhe të vitit 1931 (474.771), mund të nxirret konkludimi se çfarë ishin të drejtat e Shqiptarëve në atë shtet; në vend se të shtohej,  në periudhën prej dhjetë vjetëve popullsia shqiptare ishte pakësuar për 9100 banorë, përkundër natalitetit të lartë që ka ekzistuar atëherë.

Elaborati i Qubrilloviqit: ‘’Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re’’

Për atë elaborat është shkruar dhe është folur shumë. Kanë shkruar dhe kanë folur njerëz, të cilët kurrë nuk e kanë parë as lexuar tekstin autentik të atij elaborati, por kanë lexuar diçka fragmentare ose vetëm kanë dëgjuar prej dikujt. Madje, as emërtimin e vërtetë nuk ia dijnë: herë e quajnë ‘’memorandum’’, herë ‘’elaborat’’, kurse vet autori, në tekstin autentik, tri herë e ka quajtur ‘’raport’’. Por, përkah natyra karakteri, destinimi dhe metodologjia e përpunimit të tekstit, më së miri i përgjigjet emërtimi elaborat, sepse e ka analizuar problemin në hollësi, ka përdorë të dhëna satistikore, ka nxjerrë përfundime dhe ka bërë propozime si të zgjidhet problemi i shtruar. Elaborati  është  shkruar nga historiani Vaso Çubrilloviq, më 3 nëntor 1944, vetëm dy javë pas çlirimit të Beogradit, dhe ia ka destinuar Komandës Supreme të Ushtrisë dhe Këshillave Nacional-Çlirimtare dhe Qeverisë  së ardhëshme Federative për ta zbatuar. Elaborati është ruajtur i fshehtë, në Arkivin e Serbisë (AS,G-16, f.1, br.1) .Tekstin e ‘’elaboratit’’, për herë të parë e ka botuar ‘’Mlladina’’ e Lublanës, nr.49, dt.18.XI.1988, ndërsa një analizë, në formë recensioni për atë elaborat e ka botuar historiani malazez, prof.dr.Sherbo Rastoder, në Akademia.edu: ‘’Jedan manje poznati elaborat Vase Çubriloviqa o rjesavanju manjinskog problema u novoj Jugoslaviji, od 3 nov.1944’’.

Tekstin autentik të elaboratit nuk e ka as libri (shqip) ‘’Elaboratet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve’’, botim i ShB ‘’Jakup Ceraja, Prishtinë,2024. Ky libër nuk e ka as pjesën tabelare të elaboratit autentik.

Përse dhe si e mendonte Çubrilloviqi shpërnguljen e pakicat kombëtare?

Racisti e nacisti serb i Bosnjës, i ‘’rahatuar’’ në Beograd, profesor i historisë, dekan i Fakultetit Filozofik, në qeverinë federative ishte ministër i dy ministrive:  Bujqësisë dhe Pylltarisë, ishte anëtar i Akademisë së ShA të Serbisë. Para lufte, më 7 mars 1937, e kishte hartuar Memorandumin për shpërnguljen e ‘’Arnautëve’’.

Për mendimin e atij racisti, pakicat kombëtare janë ‘’iriq në barkun e huaj’’, janë të pabesushme dhe jo lojale ndaj shtetit, kanë zënë vendet më strategjike dhe më të mira, në Vojvodinë dhe në Kosovë e Metohi, dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha popullit serb. Si të tilla duhet eliminuar, me shpërngulje ose me asimilim. Procesi i kolonizimit që u zbatua në periudhën 1918-1941 nuk dha rezultatet e pritura për dominimin mbi pakicat në Vojvodinë dhe në Kosovë e Metohi,  për shkak të gabimeve dhe të korrupsionit në zbatimin e atij procesi dhe për shkak të natalitetit të lartë të Shqiptarëve. Prandaj, e vetmja mënyrë e zgjidhjes për gjithmonë e problemit të pakicave është që ato të shpërngulën me dhunë. Dhe koha më e mirë për të zbatuar shpërnguljen e minoriteteve është stuhia e luftës, kur ushtria mund ta zbatojë me lehtësi tërë procesin. Merr shembuj të shpërnguljes së popullsive në Bashkimin Sovjetik dhe  shpreson se ushtra vëllazërore ruse, me përvojën dhe metodën e saj do ta ndihmojë në këtë proces.A jo që në kohë paqeje nuk mund të arrihet me dekada a me shekuj, në kohë luftë mund të arrihet për ndonjë muaj, ose për  ndonjë vit.

Pakicat  më të rrezikshme, sipas Çubrillovqit,  janë ato të krijuara në blloqe të mëdha, siç janë gjermanët, hungarezët, ‘arnautët’ dhe italianët. Këto blloqe duhet thyer e shpërngulë me dhunë dhe në vendet e tyre duhet vendosur kolonistë të popullit tonë. Sidomos janë të rrezikshme minoritetet të cilat kufizohen me shtetet amë, siç janë ‘’arnautët’’, hungarezët dhe italianët. Ato dhe gjermanët duhet shpërngulë me dhunë, ndërsa për pakicën rumune mund  të merremi vesh me shtetin rumun për këmbim të popullsisë, siç kanë bërë Greqia e Turqia me Marrëveshen e Lllozanës, në vitin 1923.

Tre minoritetet: Gjermanët, Hungarezët dhe ‘’Arnautët’’, duke vepruar armiqësisht kundër shtetit, vet ‘’kanë hequr dorë’’ dhe e kanë humbur të drejtën të quhen  qytetarë tanë. Ata duhet eliminuar pamëshirshëm nga shteti ynë, se këtë e kanë merituar. Për shpërnguljen e pakicave tona duhet të kërkojmë  edhe lejen nga aleatët tanë dhe besoj se ata do na kuptojnë. Shpresë të madhe kemi në Bashkimin Sovjetik vëllazëror, se do të na ndihmojë ta zgjidhin problemin e pakicave në mënyrën dhe me metodën siç e kanë zgjidhur ata. Masat tona popullore janë të mllefosur dhe kanë urrejtje ndaj pakicave, dhe kjo ka krijuar disponimin psikologjik për dëbimin e tyre dhe ne kurrë nuk kemi pasur kushte më të volitshme se tash për ta zgjidhur problemin e pakicave.

Kosova e Metohia gjithnjë janë konsideruar si qendër strategjike e Ballkanit. Duke e mbajtur ‘Arnautët’ në dorë këtë pjesë strategjike, e kanë shkëputur lidhjen  etnike të Serbisë me  Malin e Zi dhe  lidhjen e Malit të Zi me Maqedoninë. Edhe nga aspekti ekonomik për ne janë me rëndësi luginat pjellore të Kosovë-Metohisë dhe Pollogut. Rreth tyre gjenden krahinat më të varfëra, Mali Zi dhe Sanxhaku. Në Kosovë e Metohi duhet krejtësisht ndryshuar përbërjen etnike. Para së gjithash, duhet të spastrohet Metohia, si krahinë që kufizohet me Malin e Zi, e që është vendi më i përshtatshëm për kolonizim me malazezë.

Kjo luftë është më e përshtatshmja për zgjidhjen e këtij problemi. Nëse duam ta zgjidhim problemin me pakicat, këtë mund ta bëjmë vetëm derisa zgjatë lufta. Gjatë operacioneve luftarake, ushtria duhet në mënyrë të planifikuar dhe pamëshirshëm të spastrojë vendin nga pakicat kombëtare nga ato krahina të cilat duam t’i popullojmë me elementin tonë nacional. Jam në dispozicion të Komandës Supreme të UNÇ, që me dijen dhe përvojën time të ndihmoj në hartimin e planit detal për këtë çështje.

Për pastrimin e Kosovë-Metohisë dhe Pollogut, krahas metodës së propozuar të përndjekjes me forcën ushtarake, duhet zbatuar edhe metoda tjera: gjykata e luftës t’i gjykojë përfaqësuesit e pakicës, sidomos inteligjencën, beglerët e pasanikët;  t’iu merren të gjitha të drejtat qytetare, t’iu konfiskohet pasuria, ndërsa familjet e tyre të dërgohen në kampe përqendrimi e pastaj të transportohen në shtetet e tyre amë.

Çubrilloviq potencon rëndësinë e posaçme të kolonizimit të fshatrave dhe qyteteve prej nga do të shpërngulen pakicat. Pronat mbi tokat, shtëpitë, fabrikat dhe punëtoritë, duhet menjëherë të barten dhe regjistrohen  në emër të kolonistëve.  Hollësisht e përpunon mënyrën e kolonizimit, joshjen e kolonëve sllavë nga Mali Zi, Bosnje-Hercegovina, Dalmacia, Lika, Banija, Kroacia dhe Serbia. Kolonizimi i shpejtë i atyre viseve do ta shpiente Europën para aktit të kryer.

Pastrimi nga pakicat kombëtare është me rëndësi të dorës së parë në operacionet luftarake. Në këtë proces ushtria është më e rëndësishme, prandaj do ishte më së miri që pranë Shtabit Suprem të UNÇ të formohet një seksion i veçantë, me detyrë për pastrimin e pakicave kombëtare.  Është shumë e dobishme nëse  Mareshali Tito, si komandant suprem, sa më parë t’i jep udhëzime ushtrisë dhe këshillave nacional-çlirimtare se si duhet të veprojnë.  Çështja është shumë urgjente. Edhe këshillat nacional-çlirimtare mund të ndihmojnë në zbatimin e këtij procesi. Duhet sa më parë të formohet edhe ministria e veçantë për këtë çështje.

Në përfundimin e elaborimit të kësaj çështje, autori thotë: ‘Ndoshta kurrë më nuk do të kemi rast të tillë, që shtetin tonë ta bëjmë etnikisht të pastër. Zgjidhja e të gjitha problemeve tjera në shtetin tonë, qofshin ato nacionale, politike, ekonomike, sociale, mund të presin për një kohë, por problemin  me pakicat nëse nuk e zgjidhim tash – nuk do ta zgjidhim kurrë. Shpresoj se njerëzit të cilët e udhëheqin Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, do të dijnë  sikur unë ta vlerësojnë rëndësinë e këtij problemi dhe do t’i çasen  zgjidhjes së tij me tërë energjinë dhe vetësakrificën  siç vepruan me fillimin e luftës (1941) për çlirimin dhe formimin e Jugosllavisë Federative Demokratike.

Tekstit të dendur në 11 faqe të shtypura në makinë, e diku të korrigjuar me dorë, autori ia ka bashkangjitur katër tabela me të dhëna statistikore të popullsive të pakicave kombëtare të krahinave dhe vendeve të ndryshme të Jugosllavisë,   numrin absolut dhe relativ të tyre, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1931. Këtu do të paraqesim vetëm tabelën për numrin e ‘’Arnautëve’’, siç i quan Shqiptarët autori i Elaboratit famëkeq.

BROJ ARNAUTA u Staroj Srbiji, Makedoniji i Crnoj Gori, po srezovima, prema popisu od 31.marta 1931.god.

————————————————————————————————————-Srezovi                        Broj stanovnika             Arnauta             %

Lab                                    34.797                26.926               77,3

Vucitrn                            32,247                20.565               63,7

Andrijevica                     27.221                       373                 1,4

Bar                                     32.926                12.507               38,0

Bitolj                                 65.164               5.108                  78,5  (?)*

Donji Polog                     70.983                37.645               53,0

Drenica                            25.811                21.347               82,6

Galicnik                           12.051                   1.902               15,9

Gnjilane                           91.037                53.083               58,3

Djakovica                        45.378                36.399               80,2

Istog                                  25.918                12.872               49,7

Krusevo                           23.370                   1.335               5,7

Gornji Debar                  16.296                   4.181               25,7

Gornji Polog                   32.658                14.845               45,4

Gracanica                        57.858                23.845               41,2

Jablanica                         58.322                   3.195                5,5

Kacanik                            12.466                11.824               93,4

Kicevo                              32.101                10.064               31,4

Ohrid                                33.066                       841                 2,6

Kos.Mitrovica                30.788                   5.788               18,8

Podgora                           16.220                13.588               83,6

Porec                                18.740                   1.581                8,4

Prespa                              21.631                    1.841                  8,5

Presevo                            44.405                17.305               39,0

Prilep                                54.480                   1.114                2,0

Skoplje                              128.052            25.132               19,6

Struga                              28.055                   8.219               29,3

Sar Planina                     46.154                19.500               42,3

Pec                                    44.688                27.259               61,1

Podgorica                        42.904                   5.005               11,7

Podrina                            36.191                27.768               76,7

Pigavica                           16.602                       410                 2,5

Veles                                 42.236                   1.664                3,9

Vekligovo                        66.501                1.485                  29,3

Vorsin                              14.127                6.608                 46,9

               Ukupno:    1.381.655           474.771

*) Të numri relativ (përqindja) e numrit të Shqiptarëve në Bitol, shifra është dhënë gabimisht, për shkak se presa është vu pas numrit 78, ndërsa është dashur të vehet pas shifrës së parë (7), dmth. 7,85.

Kështu, profesori i historisë, akademiku, ministri i dy ministrive, e kishte planifikuar shpërnguljen me dhunë të pakicave kombëtare nga trojet e veta, për ta bërë shtetin e pastër të Serbisë,  respektivisht të Jugosllavisë.

Ka mendime të ndryshme, nëse Çubrilloviqi e kishte hartuar këtë elaborat me vetinisiativë, apo ishte i porositur prej dikujt, dhe për kë e kishte përgatitur elaboratin.

Nga leximi i kujdesshëm i tekstit autentik, kam fituar bindjen se këtë e ka bërë me vetinisiativë, si një autoritet shkencor dhe si një nacionalist, shovinist e racist. Aq më tepër, që një plan për shpërnguljen e Shqiptarëve e kishte bërë në vitin 1937. Elaboratin për pastrimin e pakicave kombëtare ia ka destinuar në rend të parë Komandës Supreme të UNÇ, por edhe Qeverisë së ardhshme të Jugosllavisë.

Edhepse Elaborati nuk ka marrë formën zyrtare, zbatimi i tij është bërë për aq sa ka mundur. Kështu, pakica kombëtare gjermane është spastruar krejtësisht, pakica hungareze, shqiptare, italiane dhe rumune pjesërisht. Elaboratet e shumta famëkeqe serbe kundër popujve joserbë, janë alfa dhe omega e politikës së shtetit dhe kishës së Serbisë, qysh prej Krizës së Lindjes (1876-1878) dhe vazhdojnë të jenë orientim i përhershëm.

Kontrolloni gjithashtu

Marrëveshja e Mukjes

Marrëveshja e Mukjes, 2 gusht 1943

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis …