Kryetari Haliti mirëpriti pronarët dhe ekipin e projektit teknologjik që synon mbi 3 mijë vende të reja pune

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mirëpriti pronarët e kompanisë DAiF SV L.L.C. dhe ekipin punues të projektit për zhvillimin e një qendre moderne të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale në Sllatinë.

Në takim morën pjesë drejtori ekzekutiv, presidenti, drejtori i operacioneve dhe përgjegjësi për partneritete i Dardania AI, si dhe drejtori ekzekutiv i Beacon Hill Industries.

Sipas planeve të kompanisë, projekti parashikon investime miliardëshe për zhvillimin e një “AI Factory”, me teknologji të avancuar për përpunimin, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, duke synuar bashkëpunimin me kompani udhëheqëse të teknologjisë botërore.

Me synim krijimin e mbi 3 mijë vendeve të reja të punës, realizimi i projektit do ta poziciononte Vitinë si një qendër të rëndësishme të ekonomisë digjitale dhe do të hapte mundësi për punësimin e të rinjve, angazhimin e profesionistëve dhe zhvillimin e bizneseve vendore.

Në funksion të avancimit të projektit, më 26 tetor 2026, Kuvendi Komunal miratoi vendimin për dhënien e pëlqimit institucional dhe mbështetjes komunale për investimin e propozuar nga DAiF SV L.L.C. Ky vendim përbën një hap konkret për zhvillimin e mëtejmë të projektit, duke përcaktuar angazhimin e organeve komunale dhe trajtimin me prioritet administrativ të dokumentacionit, në përputhje me ligjin.

Angazhimi i kryetarit Haliti për tërheqjen e investimeve në teknologji synon ta lidhë të ardhmen e Vitisë me inovacionin, dijen dhe punësimin. Në qendër të kësaj përpjekjeje janë të rinjtë, që të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht dhe ta ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.

Kontrolloni gjithashtu

Ministri, Hekuran Murati, kritikon Gjykatën Kushtetuese, sepse ia pezulloi vendimin e tij arbitrar

Thirrje Urgjente ministrit Murati: Zhbllokoni mjetet, mos e rrezikoni shëndetin e fëmijëve!

Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama i ka bërë thirrje publike Ministrit të …