leoni

A.Q. Roza Sarah Eshkenazi ( 1895- 1980) ka qenë këngëtarja më e njohur, më e çmuar në Turqi dhe në Greqi, pothuajse gjatë tërë shekullit XX

Me zërin e saj melodik, me këndimin plot afsh dhe përkushtim të këngëve hebraike, armene, turke e sidomos greke, Roza Eshkenazi  ka mbetur këngëtarja më e njohur e Mesdheut, legjenda e këngëve tradicionale, hebraike, turke dhe greke. Me zërin e saj apasionues, këndimin me tërë afshin, ajo ngriti peshë jo vetëm meset që argëtoheshin por edhe personalitete të njohura ushtarake e politike. Me  300 këngët e saj, shumica prej të cilave janë ruajtur, ajo ka lënë një trashëgimi që futet në trashëgiminë më të njohur botërore të këngës.


 


Kënga e Roza Eshkenazit  është një simbiozë e muzikës orientale e ndërthurur me elemente të këngës hebraike të mallit, me efektet sentimentale të këngës turke, dhembjen e këngës armene dhe ritmin e begatë të këngës greke.  Duke dëgjuar një këngë antologjike të kësaj këngëtareje, në të njëjtën kohë përjetohet melosi i bashkëdyzuar të këtyre popujve.


Kënga e Roza Eshkenazit nuk është thjesht këngë greke, sepse ajo dallon shumë nga kënga ritmike helene, por nuk është as këngë tipike turke e orientale. Mënyra e këndimit dhe qasja ndaj këngës janë shumë më tepër se këngë karakteristike e këndimit  të një populli.


Dashuria e saj për këngën, mënyra autentike e këndimit, afshi i zemrës i derdhur në jonet e muzikës përbëjnë një harmoni të veçantë, një talent gjenial, që është shumë vështirë t’ i gjendet një krahasim, qoftë në përmbajtje, qoftë në melodicitet, apo qoftë me prejardhje të përzier, qoftë me prejardhje të bashkëdyzuar, prejardhje kjo e cila e ka begatuar afinitetin e saj për ta shortuar këngën me shumë elemente të larmërishme muzikore, duke sintetizuar nektarin e mbledhur nga muzika e katër popujve me histori të lashtë dhe të njohur për tërë njerëzimin. Shortimi i artit hebre, aramen, turk dhe grek në një sintezë, nuk ka ndodhur gjatë rrugës së  saj të shkollimit të varfër, gjatë shkollit fillor as të mësimit që ajo ma marrë nga kompozitorët e njohur të asaj kohe, me të cilët pati kontakte dhe bashkëpunoi me sukses. Sara, apo Roza eshkenazi, thjesht ishte një paraqitje fenomenale, një shpirt i shpirtit të këngës, që u zbulua rastësisht nga gjitonët e saj turq, në kohën kur ajo këndonte për veten, fill e vetme në shtëpi. Ata kanë meritë që i trokitën në derë, i dhanë punë dhe ia hapen horizontet drejt këngës, e cila mori dhenë…


Kënga e Roza Eshkenazit ka shumë veçanti e mbi të gjitha ka një qasje tejet autentike, origjinale, e cila të bën për vete, të magnetizon dhe të fut në një botë të ndjesive që i drejtohen shpirtit dhe botës së fuqishme emocionale, imagjinatës frymëzuese.


Interpretimi i këngëve në katër gjuhë të botës, e në veçanti në gjuhën greke, bën që kjo këngëtare me të drejtë të konsiderohet si yll i muzikës botërore, si njëra ndër këngëtaret më produktive dhe më të dëgjuara të shekullit 20.


 


Roza Eshkenazi, me emrin e vërtetë hebraik, Sarah Eshkenazi ka lindur në një familje të varfër sefardike, në Stamboll të Turqisë. Ajo ka lindur diku rreth vitit 1890-95, edhe pse e ka fshehur vitin e lindjes, për shkaqe që do të kuptohen më vonë. Babai i saj, Avram Eshkanzi, ishte një tregtar i varfër. Përveç Rozës, ai dhe gruaja e tij, Flora kishte dy djem, Nisimin  dhe Samiun. Në fillim të shekullit 20, familja e Avram Eshkenazit  u zhvendos në Selanik, qytet i cili asokohe ishte ende nën sundimin otoman. Qyteti kishte përjetuar një zgjerim të shpejtë ekonomik në atë kohë, me popullsinë e saj në rritje me 70 për qind ndërmjet viteve 1870 dhe 1917.


Avram Eshkenazi gjeti punë në një fabrikë të përpunimit të pambukut dhe u mor me punë të ndryshme e të rënda, me qëllim për ta përmirësuar gjendjen financiare të familjes së tij.


Në atë kohë babai u interesua që Sarah, të merrte arsimin fillor te një fqinje e tyre. Pas një kohe, Sara, vëllai dhe nëna e saj kanë jetuar afër qytetit Komotini, një qyteti që në atë kohë, ende kishte një popullsi të madhe turke. Nëna e saj,  Sarës i kishte gjetur punë si shërbëtore të një çupë të  një familjeje të pasur. Ajo ndihmonte në kryerjen e  punëve të shtëpisë. Një ditë, ajo kishte kënduar me zë dhe atë e kishin dëgjuar me vëmendje disa pronarë turq e një tavernë lokale.


Ata ishin magjepsur me zërin e saj, dhe menjëherë i trokasin në derë duke shprehur dëshirën e tyre për të punësuar në klubin e tyre.


Nëna  e Rozës u zemëruar, kur i kërkuan që vajza e saj të bëhej një artiste. Vjet më vonë, në një intervistë, Roza ka pranuar se koha e saj në Komotini ishte një pikë kthese në jetën e saj. Ajo, atje kishte  vendosur të bëhej një këngëtare dhe balerinë.


Ajo nuk kishte për të realizuar këtë ëndërr deri në kthimin e saj në Selanik. Në atë kohë, familja ishte marrë me qera një apartament afër Grand Theater të qytetit nga disa nga fqinjët e tyre atje. Çdo ditë, Sara do të ndihmonte dy  valltarë duke iu rregulluar  kostumet e tyre në teatër, duke shpresuar se edhe ajo do të dalë një ditë në skenë së bashku me ta.


Ajo ishte aty dhe  më në fund filloi karrierën e saj si balerinë.


Edhe pse  ishte e re, të paktën ashtu ishte paraqitur, Sarah Eshkenazi ra në dashuri me Janis Zardinidis, një njeri i pasur, me prejardhje prej familjeve më të shquar në Kapadokia. Asokohe  Sara qe e detyruar ta ndryshojë emrin e saj, dhe me rastin e martesës me një grek mori emrin Rozalia, emër, me të cilin ajo ishte njohur gjatë gjithë karrierës së saj.


Pas disa vitesh, në rrethana të panjohura, rreth vitit 1917,  Zardinidisi kishte vdekur duke lënë Rozën me birin e saj, Paraskos.


Roza  nuk mund ta vazhdonte  karrierën e saj si një interpretuese, duke u marrë me rritjen e djalit të mitur, të cilin e la në çerdhen Shën Taksiarcis në qytetin, Ksanthi.


Familja dhe babai i Rozës  ranë dakord me veprimin e saj. Paraskos Zardinidis u rrit dhe u bë  një oficer i lartë në Forcën ajrore greke. Në vitin 1935, ai më në fund u ribashkua me nënën e tij në Athinë.


Roza kishte lëvizur për në Athinë menjëherë pas vdekjes së Zardinidisit, për të ndjekur karrierën e saj muzikore. Ajo shpejt u bashkua me dy artiste të kabaresë armene, Seramous dhe Zabel, të cilat i pëlqente. Me to, Roza komunikonte në gjuhën turke. Edhe pse ajo ka bërë përpjekje të ushtrojë për t’u bërë  një balerinë,  vazhdimisht këndonte  për klientët e klubit në gjuhën greke, turke, dhe armene.


Talentin e Rozës qysh në vitin 1920 e kishte zbulua kompozitori i njohur grek,  Panajotis Toundas. I magjepsur me talentin e saj ai e radhiti në grupin  më të njohur muzikor të kohës,  Vasilis Tumbakaris e Kolumbia Records. Roza është e para këngëtare, që ka bërë  dy regjistrimet për  kompaninë Columbia, Mandili Kalamatiano dhe Koftin Eleni Tin Elia, në vitin 1928 dhe kjo  shënoi fillimin e një karriere të regjistrimit, që do të vazhdojnë pothuajse pa ndërprerje deri  në vitin 1960.


Nga viti 1930 ajo kishte regjistruar mbi 300 këngë për ta, dhe ishte bërë një nga yjet e tyre më të njohura. Roportuari ishte i pasur me  këngë popullore, sidomos nga Greqia dhe nga Smyrna (Izmir) në Turqi. Kontributi i saj më i rëndësishëm në skenën muzikore lokale, megjithatë, ishin regjistrimet e saj të Rebetiko në Smyrna të Turqisë. Ajo ishte krejt e veçantë, ishte zbulimi më i madh të muzikës në kulturën popullore. Edhe sot zëri i saj unik identifikohet me këngët më të dëgjuara dhe më të preferuara popullore.


Roza Eshkenazi, ka punuar shumë kohë në klubin e natës në Taygetos në Athinë.


Duke dalë me të në skenë në Toundas me  Salonikios violinist, dhe Oud  Agapios Tomboulis, Roza Eshkenazi, ishte ylli më i preferuar i shfaqjes, duke fituar deri edhe 200 dhrahmi për një natë.


Biografi i saj, Kostas Haxhidulis, rrëfen se ajo ishte bërë tejet e pasur, por shpenzonte shuma të mëdha parash në bizhuteritë e shtrenjta.


Ajo kishte lulëzuar në karrierën e saj duke nënshkruar një kontratë ekskluzive me “Records Columbia”, diku në vitin 1931 ose 1932. Në përputhje me kushtet e kontratës së saj, ajo do të regjistrojnë të paktën 40 këngë në vit dhe do të merrte  5 për qind të çmimit  që ishte shitur. Në atë kohë, ajo ishte e vetmja femër artiste greke që kishte arritur një marrëveshje  me një kompani të honorareve rekord.


Në vitin 1940, Italia intervenoi në Greqi, ndërsa  në vitin 1941 ushtria gjermane e pushtoi tërë  vendin. Pavarësisht nga regjimi shtypës, Roza kishte vazhduar kryerjen punëve të saj.


Në vitin 1942, ajo e  hapi klubin e saj të punës në “Krystal”, së bashku me djalin e saj Paraskos, me të cilin asokohe ishte ribashkuar. Edhe pse ajo ishte hebraike,  kishte arritur të merrte një certifikatë pagëzimi të rreme. Për të mos e zbuluar origjinën e saj e ndihmoi një oficer gjerman, i cili kishte simpati të madhe për artisten më të njohur të Greqisë.


Roza nuk bashkëpunoi me fashistët gjermanë, por përmes oficerit, të Rajhut, ajo mori një pozitë  të privilegjuar në mbështetje të rezistencës vendore, dhe luftëtarët e rezistencës, madje  edhe agjentët anglezë u fshehën në shtëpinë e saj. Ajo ishte gjithashtu në gjendje për të shpëtuar hebrenjtë në Athinë dhe në Selanik. Në mesin e atyre që ajo shpëtoi nga deportimi në Auschwitz ishte edhe familja e saj.


Nga 1943 agjentët gjermanë e arrestuan. Ajo kaloi tre muaj në burg, por pas  një përpjekje të përbashkët me të dashurin e saj, oficerin gjerman ajo dhe djali i saj u liruan. Roza kaloi pjesën tjetër të luftës duke u fshehur, e frikësuar se  mund të arrestohej përsëri.


Eskenazi kaloi vitet e saj në një vend të qetë, në shtëpinë e saj në Kipupoli, së bashku me Kristos Filipakopulosin, me të cilin ishte martuar.


Edhe pse ajo ishte një hebraike nga lindja, ajo u konvertua në besimin ortodoks grek në vitin 1976, dhe u quajt me emrin, Rozalia Eshkenazi. Brenda dy viteve, ajo filloi të tregojnë simptome të sëmundjes Alzeimer, dhe herë pas herë kishte humbur kujtesën. Në verën e vitit 1980, ajo bie pa ndjenja. Më pas qëndroi tre muaj në spital. Burri i saj grek vazhdimisht ishte kujdesur për çdo nevojë të saj.


Ajo u kthye në shtëpi për pak kohë, por u shtrua  shumë shpejt në një klinikë private për shkak të një infeksioni. Ajo vdiq atje më 2 dhjetor, të viti 1980. Roza Eskenazi u varros në një varr të paidentifikuar në fshatin e Stomio në Korynthia. Në vitin 2008, komisioni kulturore të fshatit, kishte  ngritur para të mjaftueshme për t’i rregulluar  një gur varri të thjeshtë, me mbishkrimin, “Roza Eskenazi, – Artiste”.


Asokohe në Greqi kanë kënduar edhe Marika Papagjika, Gjorgjia Mitaqi, Rita Abaxi, Jorgji Papasideri dhe shumë këngëtarë të tjerë të njohur, por asnjëri nga këta nuk krahasohet dot me Roza Eshkenazin e cila ka lënë trashëgim një pasuri  të jashtëzakonshme të këndimit të veçantë, që buron si një sintezë e mrekullueshme e këngës hebraike, armene, turke e greke.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …