Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: “Kthimi i Benedikt Zografit”, fragment nga romani në dorëshkrim, Guri i Betimit

Kisha e Shën Bahorit ishte ndërtuar në kohën e dy gurgdhendësve të njohur dardanë, Flori dhe Lauri nga Ulpiana. Ata, së bashku me ekipin e gurëgdhëndësve dhe ndërtimtarëve të kishave e manastireve, për tri vjet rreth kishin punuar  Kishën, e cila i përkiste stilit romak të kishave katolike, qysh moti,  para  kohës së shkizmës së vitit 1052

Me rastin e sulmit të parë të hordave rashjane, kisha ishte dëmtuar shumë. Rashjanët, sidomos priftërinjtë  shkizmatë nuk duronin dot ikonografinë romane nëpër kisha dhe kudo ku arrinin ata zëvendësonin ikonat romake me ato vendore të Bizantit.

Gjatë sulmit të rashjanëve në vitin 1329, ishte dëmtuar rëndë sidomos Kisha e Shën Ilirianit, por edhe Kisha e Shën Bahorit. Nuk ishte prekur Kisha e Gurit, meqë ishte një kishë e vogël, pa elemente të shquara të stilit iliro-roman.

Në ngritjen e ikonostasit dhe pikturimit në brendinë e kishës së Shën Bahorit kishte punuar piktori i njohur nga Trezaniku, Benedikt Zani, të cilin e quanin, Bdek Zografi. Mbiemri Zografi lidhej me profesionin e tij, meqë studimet e pikturës i kishte kryer në Konstandinopolis te piktori i njohur, Mitros Zariadiss.

Nën ndikimin e priftit At Shtjefen Mikaili, Bdek Zografi kishte rikthyer pikturat e hershme të kohës së stilit roman.

                                                ***

Për 18 vjet të studimit dhe punës së tij në vende të ndryshme të  Bizantit, Benedikt Zografi e kishte përsosur mjeshtërinë e artistit dhe kishte krijuar një stil autentik e origjinar në paraqitjen e figurave të shenjëtorëve. Në pikturimin e Shën Mrisë, gjithnjë kishte sjellë figura të vajzave e grave, që kishte njohur dhe pikërisht për këtë kishte qenë jo vetëm i qortuar, por edhe i kamxhikosur dhe  sa e a herë i dëbuar nga puna.

I lindur me talent të artistit të madh, por i ngujuar në fanatizmin e skajshëm të despotizmit në çdo fushë të jetës, i ngulfatur nga kreu fetar i Kishës së Bizantit, e cila artin e vërtetë e kishte satanizuar, duke paraqitur alternativën e vuajtjes dhe nënshtrimit të njeriut, Bdeku kishte krijuar vizionin e tij për botën dhe jetën. Ai ishte piktor ambulant. Nuk kishte krijuar familje. Bënte jetë të shthurur të beqarit dhe ishte përfolur për marrëdhënie të palejueshme me murgeshat e reja, te të cilat ushtronte ndikim sidomos kur u zografiste portretet, aty për aty. Ishte një krijues që vinte nga një krahinë e thellë e mbretërisë rashjane, dhe si i tillë nuk ishte trajtuar me meritë, në Kostandinopojë. Megjithatë talentin e tij të lindur e çmonin të gjithë, ndërsa e kishin ndëshkuar sa e sa herë për ndërhyrjet që ai u bënte motiveve biblike. Gjatë shkollimit, në Kostandinopojë, Bdek Zografi kishte parë sa e sa modele skulpturash romake, ndërsa e dashuronte skulpturën greke, për faktin se ajo ishte e natyrshme, lakuriqe dhe i referohej jetës së thjeshtë të njeriut, natyrës së tij.

Pas 18 vite bredhjesh nëpër mbretërinë e Bizantit dhe në Kostandinopojë,  Bdek Zografi ishte kthyer në Trezanik, në lagjen e Oborrtarëve, ku kishte lindur dhe kishte jetuar deri në moshën 18-vjeçare. Duke parë nga larg një të panjohur, me rroba mashkulli, ai kishte hamendësuar dhe nuk mund të përcaktonte se kush ishte.

-Ka ndonjë gjindje gjallë ndë kët vend– iu kishte drejtuar të panjohurit nga larg, hipur mbi kalin  me lara dhe të ngarkuar me dy arka të mëdha për anash.

-Ka posi, iu kishte përgjigjur një vajzë, veshur me rroba mashkulli, sipëri kokës me një kapelë të bardhë dhe leshrat lëshuar për anash. Ajo nuk e njihte të huajin, as dinte fare kush ishte ai njeri me mjekër të dendur, me një kapelë nga ato të kalorësve venedikas e veshje krejt ndryshe, si veshjet e tregtarëve italianë.

-Cili duhet me klenë ti,  o trim? – pyet Bdeku  dhe sakaq kishte zbritur nga kali.

-Jam bila e Gjergj Zanit, ndjesë past’!.

– E Gjergj Zanit?

-Pra nuk je Marini, por Mara thotë dhe i drejtohet me duar hapur për ta përqafuar. Vajza, e cila nuk e njihte, as mendonte fare se ishte kthyer vëllai i vetëm, për të cilin pak  kishte shpresuar, kishte menduar mos ishte  ndonjë kalimtar rasti, mbase ndonjë i dehur.

– Pa ti,  m’ rrfe  i here, cili do me klenë, e mos i zgjat duart per te m përqafun?

– Jam Bdeku he mos klofsha, kishte thënë dhe sytë iu kishin mbushur  me lot.

– Bdeku ansht gjallë?

Mara e kishte shtrënguar fortë vëllanë dhe po mundohej të sillte në kujtesë ndonjë kujtim nga fëmijëria, për t’u bindur se nuk ishte ëndërr, por ishte kthyer vëllai, shpresa e vetme e familjes që po kërcënohej me shuarje. Ajo, kishte dëgjuar nga prindërit se vëllai i madh ishte larguar nga shtëpia kur ajo kishte pasur  vetëm dy vjet.

Si t besonj una se ti je  Bdeku, kurrën nuk të kam pamun?

– Vetë Bdeku jam, Bdeku shkapërdarë. Pa, t’ tjerët ku jan’?- pyet me dënesje.

-I mori murtaja e zezë, o vlla. Na u mshill kulla me therra. Una shpëtova, sepse ndë ditet e kobit nuk u ndolla ndë shtëpi. Isha me amë Mrikën  te daja, ndë Prekast. Kur u kthyeme gjetem shkreti…

-Pse ke veshun rroba mashkulli?

-Per mos me lanun  kullen shkret. Dhe tash qi u ktheve ti, zemra m’u ba mal dhe s po kam ma dert se jam gruo apo burrë. Po druej mos krejt kja ka me kenun andërr,   nuk po u besoj të mive sy, kishte thënë dhe i kishte fërkuar fort me duar, për t u bindur se ishte jerm, apo zgjuar.

Bdeku kishte qarë me ngashërim, kur kishte mësuar katrahurën që kishte ndodhur në familje. Ai kishte lënë tre vëllezër, dy motra, prindërit dhe dy xhaxhallarë. Kishte dëgjuar për murtajën e zezë, por ato ishin të rëndomta kudo në Perandorinë e Bizantit e të Romës.

Ngushëllohej që  të paktën  kishte gjetur gjallë motrën e vetme, që e kishte lënë fare të vogël, dhe ajo edhe pse e mbetur e vetme nuk kishte lejuar të ndalej tymi në oxhakun e Gjergj Zanit, dikur kalorësit të njohur, jo vetëm të Trezanikut.

Motër e vëlla kishin biseduar gjatë për të kaluarën e trishtueshme. Ata kishin hyrë në kullë, e cila nuk kishte ndërruar me asgjësend, vetëm se dikur kishte qenë përplot njerëz dhe tani i dukej si e mbetur shkret.  Bdeku kishte sjellë me vete edhe pasuri të konsiderueshme, madje edhe disa rroba të bukura prej anës së Lindjes, si dhe mjetet për zejen e piktorit.

Mara, ishte magjepsur nga bukuria e fustaneve, brezoreve të praruara dhe gjësendet që kishte sjellë vëllai, Bdeku. Me lot në sy shikonte herë vëllanë, herë gjësendet e bukura, për të cilat kishte dëgjuar të flitej vetëm, në përralla. Për shumë kohë kishte jetuar e vetmuar dhe nga fytyra e saj e re kishte tretur gazi e hareja. Edhe pse kishte trashëguar pasurinë e babait, ajo e vetmuar dhe e pa krah, mezi kishte mbetur gjallë, në shtëpinë afër malit, e cila ishte sulmuar sa e sa herë nga hajnat e keqbërësit. Një kohë kishte mbajtur në shtëpi rrogëtarin plak, besnikun e familjes, Mark Gjukanin, por pas disa vitesh edhe ai kishte vdekur. Daja shumë rrallë e kishte vizituar dhe e kishte ndihmuar, ndërsa me gjitonët nuk shkonte mirë, meqë ata ia lakmonin pasurinë, të cilën ajo nuk arrinte ta punonte dhe ua kishte dhënë me përgjysmë, duke qenë e vetme.

Jeta në vetmi e kishte  bërë syçelë dhe shumë të vëmendshme. Kishte jetuar me shpresë se një ditë Zotynë do t’ ia gëzonte zemrën e zhuritur dhe vëllai i vetëm, që kishte tretur diku larg, do të kthehej. Dhe ja tani ai ishte kthyer, edhe pse ajo nuk po e merrte dot vetën dhe frikësohej se mos krejt kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse një ëndërr. Ndoshta i kthyeri mund të ishte ndonjë mashtrues. Por jo,  dyshimi i tillë iu kishte fanitur qysh në momentin kur e kishte shtrënguar në gjoks dhe e kishte puthur në ballë. Ajo, nga goja e tij kishte ndier frymën e babait, kur ishte gjallë.  Bdeku ishte kthyer. Ishte realizuar ëndrra e saj e vetme dhe ishte kthyer  shtylla e shtëpisë dhe e ardhmërisë,  që i kishte dhënë kuptim jetës.

O Shën Mri e bekuome, i falem tuajave vuojtje– kishte klithur duke bërë kryq dhe sërish e  kishte  përqafuar vëllanë derisa ai i shpaloste të gjitha sendet që kishte sjellë.

Bdeku kërkonte nga motra që të vishej si femër, madje me fustanin dhe brezoren që i kishte sjellë nga Kostandinopoja. Mara nuk pranonte. Kishte 1o vjet që vishej si mashkull, me tirq të zinj, jelek dhe gunë të zezë, nga ato që ia kishte falur daja. Nuk e merrte dot me mend se sërish do të vishej me fustan, aq më tepër kur moti, qysh në vjeshtën e parë  kishte sjellë të ftohtit.

-Vishe se s ban, e kam sjellë nga Kostandinopoja, a mer vesht, i drejtohet vëllai

-Më vjen turp, kishte thënë,  por kishte marrë fustanin dhe ishte larguar në drejtim të kthinës ku flinte.

Pas disa çastesh, me kokën ulur kishte dalë para vëllait, i cili ishte ngritur në këmbë dhe e kishte përqafuar edhe njëherë.

-Me ket fustan ke mu bamun nuse prijësi,- i thotë.

Nuse zeza kam me klenë,  po u martova! Ti ke me u  martuomun, dhe t’ jap besen se kam me sherbyemun ndë kit kullë deri n’ vdekjet. Nuk m’nxjerrë kush per s gjalli nga kolla e Atit  dhe krejt atyre shpirtnave që i mori mortja.

-Edhe una kam me marrë ndonja  nuse, ndonja vejushkë,  por edhe ti ke me marrë njaj burrë brenda, qi ka me klenë dhëndri e vëllai im, ashtu sikur nusja ime ka me klenë kunata dhe motra jote.

 

Jeta në familjen gati të shuar kishte filluar ndryshe me kthimin e Bdek Zanit. Kishin ardhur për ta parë dajat,  gjitonët, të njohurit, kumbarët. Ata habiteshin jo vetëm me kthimin e tij të papritur, por edhe gjërat që kishte sjellë, sidomos ikonat që të cilat i kishte zografisur vetë. Bdeku kishte sjellë në Trezanik një botë, që nuk e kishte parë kush më parë. Ajo shihej vetëm brenda kishave të njohura.

Shend e verë ndihej edhe Mara, e cila qysh në moshë të re kishte përjetuar tërë katrahurën mbi supet e veta,  por nuk e kishte lënë shtëpinë shkret. Ajo edhe pse e re ishte Zonja e madhe e shtëpisë dhe as i shkonte ndërmend të martohej, aq më tepër të largohej edhe nga shtëpia, tash kur ishte kthyer vëllai dhe kur zemra iu kishte bërë mal.

Një muaj pas kthimit, në shtëpinë e Bdek Zanit, kishte trokitur prifti i kishës së Shën Bahorit,  At Shtjefën Mikaili, i cili qysh moti përmes një murgu kishte dëgjuar se Benedikt Zani kishte qenë piktor i madh dhe i njohur në Bizant, por nuk kishte besuar se ishte kthyer. Me dy shërbëtorë të Kishës dhe vetë, hipur  mbi gomar, një ditë vere të vitit 1354  kishte trokitur në kullën e Bdekut, në Trezanik.

Për kthimin e Bdekut kishte mësuar krejt Drenisa, por edhe vetë Nikollë Danai e Gjerasim Gjetani. Ata, moti kishin dëgjuar për famën e tij, por nuk kishin menduar se do të kthehej  ndonjëherë, në vendlindje. Madje, At Shtjefëni kishte vizituar disa herë Marën, nga e cila kishte kërkuar të bëhej murgeshë dhe pasurinë t’ i a falte kishës, por ajo nuk ishte pajtuar me propozimin e priftit.

Pas një bisede të gjatë në Kullë, At Shtjefni kishte arritur marrëveshje që Bdeku të zografiste kishën  e Shën Bahorit nga brenda, sipas stilit të moçëm, meqë nuk e duronte dot ikonografinë pa jetë, bizantine e sllave.

-Una i perkas shkollës s’ Bizantit o At, ia kishte kthyer Bdeku.

-Muo m duhet zotësia jote  dhe ti ke me  zografisun sikur kam me t’ porositun.

Ishin marrë vesh edhe për çmimin dhe kohën kur do të fillonte puna e pikturimit të tablove të djegura nga rashjanët  në Kishën e Shën Bahorit.

Benedikt Zani dispononte një botë pasur të perceptimit artistik. Shija e tij për ta paraqitur  realitetin në pëlhurë, në gurë dhe në muralet e kishave e manastireve, nuk kishte ardhur në shprehje asnjëherë gjatë qëndrimit në Kostandinopojë, meqë priftërinjtë ortodoksë nuk pranonin stilin e kishave e manastireve romane, të cilat i karakterizonte plasticiteti dhe figurat e natyrshme, e shpeshherë edhe të hareshme.

Pasi kishte lidhur marrëveshje me At Shtjefen Mikailin për zografisjen e brendësisë së kishës së Shën Bahorit ai do të provonte të mishëronte idealet e tij jetësore në pikturë, duke mos e lënduar përmbajtjen e historisë së krishterë, por duke e liruar nga skematizmi, dhe paraqitja e hijes së jetës. Bdeku i besonte vetes dhe krahas fitimeve, ai për herë të parë në jetë mendonte të realizonte një vepër jetësore, edhe pse nuk ishte shumë i sigurt se nuk do të haste në pengesa, me të cilat ishte ballafaquar kudo ku kishte ushtruar artin e mjeshtërinë e tij.

Tani kur ishte kthyer në Trezanik dhe kishte gjetur gjallë motrën, ishte shend e verë, sidomos për punën në zografisjen e Kishës, e cila do t’ i sillte fitime për të ngritur familjen, për t’ u martuar vetë dhe për t i gjetur një burrë motrës, e cila nuk e kishte lënë familjen të shuhej. Ajo kishte ruajtur shtëpinë dhe pronat, duke kursyer veten nga të gjitha kënaqësitë e jetës të  moshës së re…

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …