Kultura e letërsia shqiptare në Kosovë përballë hegjemonizmit kulturor serb e jugosllav I

A. Qeriqi: Kultura e letërsia shqiptare në Kosovë përballë hegjemonizmit kulturor serb e jugosllav I

Velloja shumëvjeçare e robërisë, hegjemonizmi kulturor pan-sllav, që iu imponua kulturës sonë sidomos në Kosovë, kanë lënë pas deformitete të shumta, pengesa në zhvillimin harmonik të letërsisë, përmbajtje ideologjike jugosllave dhe një përballje  të vazhdueshme të koncepteve të kundërta, të cilat në periudha të ndryshme të rritjes kulturore u manifestuan me stagnim , injorime, polemika, pretekcionizëm në botim, krijim të klaneve krijuese me preferenca partiake e të tjera.

Krijimtaria e përgjithshme në letërsi, art, dramë, film, teatër, muzikë etj,  e periudhës prej vitit 1945 e deri në vitin 1990, përshkohej me dominimin e hegjemonizmit kulturor serb dhe me përpjekjet e pareshtura të disa krijuesve për t’ iu kundërvënë skemave dhe mjegullës, që sillte robëria, dhe e cila kishte  qëllim të krijonte një kulture hibride sllavo-shqiptare. Në këtë drejtim krijuesit e shkollës së realizmit socialist jugosllav, ishin mbështetur fuqishëm në të ashtuquajturën politikë të bashkim vëllazërimit dhe patriotizmit jugosllav, që po mundohej të shtrinte ndikimin te masat me qëllim të krijimit të një identiteti kulturor kosovar, në kuptimin dhe përmbajtjen  sllave të fjalës.

Tashmë dihen emrat e shumë krijuesve të zellshëm të asaj shkolle, duke filluar nga regjenti i regjimit, Sinan Hasani, pastaj Enver Gjerqeku, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Rexhai Surroi, Ali Jasiqi, Vehap Shita, Rexhep Zogaj, Mehmet Hoxha, Maksut Shehu, Zekerija Cana, Mark Krasniq  dhe një grupim i tërë shkruesish, të cilët në veprat e tyre u bënë apologjetë besnikë të frymës jugosllave. Në mesin e tyre pati edhe përkthyes së zellshëm të letërsisë jugosllave, e cila lexohej e mësohej detyrimisht nëpër shkollat tona si literaturë e domosdoshme shkollore. Të tilla ishin veprat e Andriqit, të Njegoshit, Desanka Maksimoviqit, Qosiqit  e shumë autorëve  të tjerë, veprat e të cilëve duhej doemos të lexoheshin, por që nuk i takonin me asgjë, me asnjë përmbajtje kulturës dhe traditës shqiptare. Ato ishin vepra të një letërsie të huaj, e cila iu imponohej shqiptarëve, sidomos në përudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Kosovë dhe përgjithësisht në trevat shqiptare nën robëri, u hapën shumë shkolla fillore e të mesme, edhe pse  në mungesë të theksuar të kuadrit arsimor.

Fillet e krijimtarisë letrare artistike në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore

Mirëpo, në këtë atmosferë kulturore disa krijues, në mënyra të ndryshme i rezistuan vijës politike të hegjemonizmit dhe kozmopolitizmit kulturor serb. Ata, nën ndikim të letërsisë dhe kulturës, që po zhvillohej në Shqipëri, veprat dhe angazhimin e tyre kulturor e orientuan në binarë të përhapjes së vlerave kulturore kombëtare.

Një hap me rëndësi në paraqitjen e realitetit të rëndë të shqiptarëve nën Jugosllavi, kishte ndërmarrë, poeti,  Esad Mekuli, i cili edhe pse kuadër i besuar i partisë, kishte shkruar mjaft poezi me përmbajtje sociale, ku paraqitej jeta e rëndë e shqiptarëve në ish-Jugosllavinë mbretërore, e cila vazhdonte të ishte po ashtu e rëndë edhe në Jugosllavinë e re të Titos.  Por, hapin vendimtar në këtë drejtim, në gjysmën e dytë të viteve 50 e mori, shkrimtari dhe veprimtari i mirënjohur politik, Adem Demaçi, i cili me botimin e tregimeve të tij sociale,  sidomos me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, i vuri bazat krijimtarisë së mirëfilltë me temë sociale, në Kosovë, e cila pati ndikim të fuqishëm në zhvillimin e një rruge të re të krijimtarisë në vend. Në të njëjtën kohë fillojnë krijimtarinë e tyre poetike letrare artistike dhe të kritikës letrare edhe: Din Mehmeti, Zekerija Rexha, Fazli Graiçevci, Zeqir Gërvalla, Rexhep Hoxha, Rexhep Qosja,Ali Podrimja, Sitki Imami, Adem Istrefi, Agim Gjakova, Anton Pashku, Nazmi Rrahmani, Hilmi Agani, Rifat Kukaj, Mehmet Gjevori, Latif Berisha, Vehbi Kikaj, Azem Shkreli, Nebil Duraku, Ramiz Kelmendi, Murat Isaku, dhe disa krijues të tjerë, të cilët filluan të shkëputen nga ndikimi i letërsisë dhe i kulturës serbe.

Vërejmë në këtë mes edhe disa krijues, të cilët fillimisht kishin mbështetur pushtetin komunist dhe literaturën jugosllave, por me kohë u liruan nga ai ndikim dhe krijimtarinë e tyre e orientuan në tabanin kombëtar. Në këtë mes shquhej  shkrimtari,  Hivzi Sylejmani, i cili kishte marrë pjesë edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe fillimisht i kishte shërbyer regjimit jugosllav. Më vonë, duke parë deformimet dhe politikën e pabarazisë ndaj shqiptarëve, e cila në mënyrë verbale proklamohej si e barabartë, ai u mbyll në vete dhe shkroi vepra,  në të cilat hetohet tradhtia që komunistët jugosllavë i kishin bërë çështjes së barazisë kombëtare dhe revolucionit në përgjithësi. Këtë temë ai e ka trajtuar sidomos në romanet: “Njerëzit”,  “Fëmijët e lumit tim” etj.

Meqë proceset politike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar po vononin, ndërsa rendi shoqëror socialist kishte shpalosur vlerat e  veta internacionaliste, krijimtaria në Kosovë përgjithësisht, por  edhe në Shqipëri e në trevat e tjera të robëruara shqiptare, nuk mund të mos ishte nën ndikimin e këtyre vlerave, të cilat me kohë shteruan, meqë vetë procesi i tillë politik po stagnonte dhe po deformohej.

Pavarësisht se pati një duzinë emra krijuesish të ndryshëm si në prozë, poezi, roman, dramë, pikturë, muzikë etj, në dy deceniet e pas luftës së Dytë Botërore në Kosovë nuk u arrit të krijohet asnjë vepër e njëmendtë letrare e artistike, duke përjashtuar romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.

Në Kosovë, asokohe nuk u krijuan vepra të arrira letrare si: “Afërdita” e Sterjo Spases, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Çlirimtarët” e Dhimitër Shuteriqit, “Garda krutane”, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Tri ngjyrat e Kohës” të Ali Abdihoxhës, “Me valët e jetës” të Vedat Kokonës e të tjera, vepra të cilat ishin lexuar me interesim të jashtëzakonshëm dhe si të tilla ushtronin ndikim të fortë kulturor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe te të gjithë shqiptarët në trevat e mbetura nën okupimin sllav.

Ku qëndronte stagnimi dhe deformiteti?

Stagnimin dhe deformitetet në fushën e kulturës i sillte regjimi jugosllav dhe rruga e dhunshme  e krejtësisht e gabueshme e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Pretendimet antihistorike  për krjimin e një kombi hibrid jugosllav, bënë që krerët e kësaj iniciative të mbështeteshin në të ashtuquajturin patriotizëm jugosllav, që ishte një absurd i papranueshëm, madje edhe për vetë serbët që e dominonin jetën politike, policore, ushtarake e diplomatike në tërë ish-RSFJ-në e kohës.

Në mungesë të lirive të plota kombëtare, por me një zhvillim të hovshëm të arsimimit, bota krijuese në Kosovë do të bëhej barometër i këtij zhvillimi dhe orientimi, ndërsa në kohë të caktuar, ajo edhe po këpuste një nga një vargonjtë e robërisë.

Disa krijues, me qëllim për të prosperuar dhe për të përfituar jo vetëm të mira materiale, por edhe favore të tjera e poste politike, mbeten  zëdhënës të neveritshme të frymës së jugosllavizmit në krijimtari. Disa të tjerë, arritën që përmes gjuhës lakonike të shprehin botën e tyre krijuese, e cila shpeshherë dekonspirohej, ndërsa autorët e tillë ndesheshin me  represion dhe izolim politik.

Në fund të viteve 60 e sidomos në vitet 70-të të shekullit XX, në Kosovë u përhap një klime e liberalizimit të gjithanshëm si në aspektin politik ashtu edhe në atë kulturor e krijues.

Asokohe në fushën e krijimtarisë dhe kulturës në përgjithësi, e cila po krijohej në vend u dalluan sidomos: Rexhep Qosja, Esad Mekuli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Nazmi Rrahmani, Rexhep Hoxha, Jusuf Gërvalla, Teki Dervishi, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Teki Dervishi,  Mehmet Kajtazi, Agim Vinca, Arif Demolli, Milazim Krasniqi, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Shaip Beqiri, Azem Shkreli, Sadri Fetiu, Flora Brovina, Sadik Përvetica e të tjerë.

Po kështu, në këtë kohë, nën ndikimin e ideve liberale jugosllave, në Kosovë u paraqit edhe një rreth i ri krijuesish, të cilët sikur anashkaluan traditën letrare dhe iu rreken formave moderne të pasqyrimit letrar artistik, formave të quajtura moderniste, futuriste që konsideroheshin si njëlloj avangarde. Në mesin e krijuesve që pretendonin të shkëputeshin nga tradita dhe të zinin “hapin me kohën”,  dalloheshin: Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Zejnullah Rrahmani, Beqir Musliu, Ilaz Prokshi, Mehmet Kraja, Ali Aliu, Agim Deva, Basri Capriqi, Agim Zogaj, Mark Krasniqi,  Imer Shkreli, Zajnullah Halili,  Sadete Emrullahu, Hasan Hasani,  Beqir Musliu, Nexhat Halimi, Ibrahim Kadriu, Agim Mala, Sali Bashota, Jonuz Fetahu, Gani Xhafolli, Qibrie Demiri, Xhemajl Mustafa, Sylejman Pireva, Xhevat Syla, Miradije Ramiqi, Edi Shukriu, Naxhie Doçi, Adem Gajtani, Hida Halimi dhe tërë një shtresë krijuesish modernë, apo që pretendonin me çdo kusht të ishin të tillë, por të cilët në veprat e tyre,  me përjashtime të rralla,  nuk shënuan të arriturat e pretenduara.

Këta autorë nuk kanë lënë asnjë vepër e cila do ta kishte pasur ndikimin e romanit “Gjarpinjë e Gjakut” e lërë më të veprave të shkrimtarëve që krijonin e botonin në Shqipëri, por që lexoheshin me shumë simpati nga shqiptarët në Kosovë e më gjerë.

Nuk ka ngelur në kujtesë ndonjë vepër e tyre, e cila do të mund të barazohej me ndonjë nga veprat e qindra autorëve, që krijonin në Shqipëri.

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar pothuajse e tërë literatura e obligueshme për nxënësit e shkollave tetëvjeçare e të mesme ishte me përzgjedhje nga  veprat, romanet e librat e autorëve nga Shqipëria, meqë me të drejtë konsiderohej se ato vepra kishin nivelin e lartë kulturor, arsimor e pedagogjik. Vetëm romani “Malsorja” i Nazmi Rrahmanit, ndonjë përmbledhje poetike e  Esad Mekulit, apo e Azem Shkrelit  ishin radhitur në literaturë shkollore krahas atyre të krijuesve e shkrimtarëve që dominonin nga Shqipëria që nga letërsia e Rilindjes Kombëtare e deri ajo realizmit socialist.

Klasa projugosllave e viteve 80 -90

Pavarësisht klimës së përgjithshme të krijuesve, në Kosovë, të cilët nuk pajtoheshin me pozitën e vendit në federatën jugosllave, as me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit, sidomos pas vitit 1981, kur jo vetëm ishte thelluar por edhe ishte ndarë hendeku mes shqiptarëve shumicë, të cilët  donin bashkimin me Shqipërinë apo Kosovën Republikë si rrugë strategjike drejt bashkimit, kishte edhe të tillë që ardhmërinë e shihnin vetëm në një Jugosllavi të fortë unike e centraliste. Në këtë mes ishin bijtë e funksionarëve, të ambasadorëve dhe inspektorëve të UDB-së të cilët, çuditërisht edhe sot e kësaj dite i kanë mbetur besnikë Jugosllavisë tashmë të shkatërruar e të shpërberë për jetë e mot. Në këtë mes janë dalluar, shkrimtari i regjimit jugosllav, Sinan Hasani,  publisiti e më vonë krijuesi, Veton Surroi, djali i ambasadorit të Titos, Rexhai Surroi, pastaj Flaka Surroi,  Shkëlzen Maliqi, djali i Mehmet Cikulit, apo Mehmet Qorrit, ish sekretar i UDB-së në vitin 1981, vrasës i Ibrahim Lutfiut, i Hasan Remnikut dhe i shumë atdhetarëve shqiptarë, pastaj, Agim Deva, djali i komunisit titist, Veli Deva, gazetari,  Baton Haxhiu, djali i Hasan Çorrit, komunist i damkosur, Agim Zatriqi, drejtor i dhunshëm në RTK, Jusuf Buxhovi, gazetar dhe inspektor i UDB-së,  dhe të tjerë, të cilët i qëndruan besnikë ideologjisë së patriotizmit dhe kozmopolitizmit jugosllav. Çuditërisht, shumica syresh edhe pas çlirimit të vendit nga robëria gati njëshekullore serbe, në vitin 1999 edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008 po i mbesin besnikë frymës së kozmopolitizmit jugosllav, në krijimtari dhe në ideologji.

Letërsia realiste në Kosovë

Pavarësisht se në Kosovë pati shumë emra krijuesish, vetëm pak autorë do të arrinin nivelin e veprave mesatare që krijoheshin në Shqipëri. Shkrimtarët si,  Adem Demaçi,  ( vepra e të cilit u ndalua nga viti 1959)  pastaj Rexhep Qosja i cili krahas kritikës letrare ku zuri vendin e parë meritor jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, u shqua edhe në krijimtarinë artistike me një kredo origjinale krijuese, pastaj  Nazmi Rrahmani, i cili pretendonte të arrinte nivelet e letërsisë bashkëkohore shqiptare, si dhe Ramiz Kelmendi, i cili dallohej për kritikat e tij,  madje edhe të hapëta kundër devijimeve të caktuara në shoqëri, por kurdo herë me një gjuhë ezopike, nga ky mes krijuesish  u  shquan edhe shkrimtarë të tjerë,  të cilët gjithsesi se kanë merita. Megjithatë letërsia që po krijohej në Kosovë ishte pakrahasueshëm, nën nivel artistik e tematik të  asaj letërsie që krijohej në Shqipëri.

Radio televizioni dhe gazetat  ishin nën censurë të rreptë ideologjike e politike. Edhe pse censura ishte evidente, disa  krijues arrinin të shprehnin botën e tyre artistike në mënyra specifike të komunikimit me lexuesin tashmë të arsimuar dhe të ngritur në shumë pikëpamje Një shembull i tillë është romani: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qoses, “Shtatë persona ndjekin autorin”, e Ramiz Kelmendit, drama “Agu” e Din Mehmetit e të tjera.

Pavarësisht një rruge specifike, nëpër të cilën po kalonte krijimtaria artistike, ajo nuk arrinte të lirohej nga pengesat ideologjike, që kishte vendosur pushteti okupator, i cili po bënte përpjekje të gjithanshme për të ushtruar ndikimin në çdo pore të popujve jo sllavë, ndërsa për veten e vetë ishte në krizë të identitetit, meqë jo të gjithë popujt sllavë pajtoheshin me imponimin politik e kulturor të ushtrohej nga kreu hegjemonist serb i Beogradit. Shqiptarët, që mbështesnin kreun polik të Jugosllavisë,  në këtë drejtim ishin më të dëgjueshëm, meqë edhe represioni kundër tyre ishte më i ashpër dhe sistematik.

Institucionet e kulturës, arsimit, artit, shtypi, radio e televizioni ishin nën censurë të ashpër ideologjike. Ato udhëhiqeshin nga njerëz të dëshmuar, të cilët kishin dhënë shembuj besnikërie për pushtetin. Ata, në të shumtën e rasteve bënë përpjekje, që ta përfillin me besnikëri platformën politike të LKJ-së, edhe pse ajo platformë  shqiptarët i trajtonte si pakicë kombëtare,  pavarësisht se shqiptarët në Jugosllavi  numerikisht ishin popullata e tretë në vend, pas serbëve dhe kroatëve. Në këtë mes u shquan: Sinan Hasani, Jusuf Buxhovi, Rrahman Dedaj, Ali Jasiqi, Isak Hasani, Maksut Shehu, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Ali Olloni, Fahredin Gunga…

Arsimimi, kontaktet me botën tjetër shqiptare, me Shqipërinë amë, përmes Radio Tiranës, më vonë edhe me RTSH-në,  dhe kontaktet ilegale të veprimtarëve të organizatave të Lëvizjes Çlirimtare nga Kosova  me personelin e ambasadave shqiptare në shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, bënin që një pjesë  e inteligjencies shqiptare të orientohej krejtësisht në  jetën kulturore që po zhvillohej  në Shqipëri.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Rreth orës tetë të mëngjesit  kanë filluar granatimet e forcave serbe mbi disa fshatra të …