AAK, përmes kryetarit të saj Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë dështimin e formimit të komisionit për votim të fshehtë. Haradinaj tha se tashmë është përgatitur një kërkesë zyrtare dhe se AAK është në fazën përfundimtare të mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme nga deputetët. Për të proceduar me kërkesën në Kushtetuese, janë të nevojshëm së paku dhjetë deputetë, andaj ai është në komunikim me PDK dhe LDK për mbështetje. Ne veç kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim. Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në Kuvend, si rasti i mos formimit të komisionit për votim të fshehtë dhe gjitha vendimet tjera paraprake, bazuar në procesverbalin e seancave, deklaroi Haradinaj.