mbpzhr 2018
MIT
valamobile
kek
Airport Adem Jashari
Fillimi / Personalitete / Adem Ajvazi: MULLA RAMË GOVORI DHE NDSH-ja
Adem Ajvazi: MULLA RAMË GOVORI DHE NDSH-ja

Adem Ajvazi: MULLA RAMË GOVORI DHE NDSH-ja

Ramdan Hoxha (Mulla Ramë Govori) ka lindur në fshatin Gërdovc (Podujevë) në vitin 1907 nga babai Muharrem dhe nëna Hafize (bija e Ajvazve nga Sfeqla) .Këta kishin katër djem e tri vajza :Rama,Isufi,Bislimi dhe Nuha.Ndërsa motrat ishin Halimja ,Shehidja dhe Hajria.Mulla Rama rrjedh prej një familje të varfër,por me traditë patriotike.Qysh si fëmijë ,duke e parë babai se ka aftësi për shkollim dhe në përgjithësi për shkollim ,mirëpo ajo kohë nuk kishte shkolla shqipe ,sepse ishin të ndaluara nga pushteti serb.Ajo që mund të kryenin ishin shkollat fetare andaj edhe Mulla Rama kreu mejtepin e Batllavës.

Pas përfundimit të mejtepit të Batllavës ,nga mësimi që bëri ai si fëmijë iu shtua dëshira për shkollim të mëtutjeshëm,sepse në mejtep mësoi se si duhej kombi,atdheu dhe feja ,të cilën e deshi dhe gjithherë jetoi me porositë e Kur’anit ,se pa ardhe nuk ka fe.

Disa vjet më vonë Mulla Rama kreu edhe medresën e Prishtinës si dhe dy vjet mësim fetar në Prizren.Ka ditur shkrim-lexim cirilik,por nga dashuria për gjuhën shqipe mesoi edhe shkrim-leximin shqip.

Mulla Rama qysh në moshën e fëmijërisë filloi të shohë dhe të ndjejë në zemër pushtimin e Sebisë.Ishin ato vite të shpënguljeve ,vrasjeve,persekutimeve të shqiptarëve.Mirëpo,edhe si i ri ,duke ndejur në odat e burrave,duke dëgjuar për patriotët shqipëtarë ,për punën e tyre në shërbim të kombit ,ai gjithherë e më shumë vinte duke u ftymëzuar dhe duke kuptuar se çka është kombi,atdheu,flamuri,shkollimi,e mbi të gjitha liria,e cila aq shumë u mungonte shqiptarëve të shumëvuajtur.Në vitin 1942 familja e Mulla Ramës u shpërngul nga fshati i lindjes,Gërdovci dhe u vendosën në Sfeqël ,ku qëndruan plot 8 vjet dhe,pas këtyre viteve u vendosën në fshatin Herticë.Në këtë fshat u pritën mirë si familje dhe u ndihmuan dhe jetuan deri në vitet e tetëdhjeta ,ku u shpërngulën prap dhe u vendosën në Prishtinë,në lagjen “Kodra e Trimave”,ku edhe sot jeton familja e gjerë dhe nipërit e tij.

MULLA RAMA NË USHTRINË E KRALIT

Për pushtetin e kraleviqëve nuk ishin të besueshëm dhe të mirëseardhur,por prapëseprapë detyroheshin ta kryejnë shërbimin ushtarak nëpër vende të ndryshme të Serbisë dhe punonin punët më të rënda dhe më të vështira dhe më të rrezikshme.Si gjithë të rinjët e Kosovës,edhe Mulla Rama,posa i mbushi vjetët për ushtri,u ftua të shërbej në ushtrinë e kralit.

Ishte viti 1936 kur u dërgua të shërbej në Maribor të Sllovenisë.Përveq tij,kishte edhe shqiptarë të tjerë që shërbenin në Maribor.Në mesin e tyre ishte edhe Ramadan Lushaku nga Polanica e Podujevës,I lindur më 1910 dhe ishte pothuajse moshatar i Mulla Ramës.

Me të degjuar pë xha Ramën,vendosa ta intervistoj dhe posa u takuam ,i tregova për arsyen e vizitës.Ai menjëherë më falenderoi dhe filloi të qajë nga nostaligja për Mulla Ramën.

Pasi mori veten ,filloi të rrëfejë për shokun e ushtrisë,siç e quante ai me mburrje.Sepse ishte shok I fjalës dhe i besës për çdo gjë.

Për herë të parë u njoftua në kohën kur isha në ushtrinë e krajlit,siç thoshte ai.Ajo kohë ishte e largët,por e afërt me kujtime të freskëta për të.

Me të më ra të shërbej 18 muaj dhe menjëherë fillova të shoqërohesha me të,sepse e pashë se ishte njeri i fjalës,i besës ,human dhe i gatshëm për ndihmë në çdo moment,nëse paraqitej nevoja.

Ai posa erdhi në Meribor,u paraqit se është hoxhë dhe kërkoi nga organet ushtarake që të lejohej të kryente shërbimet fetare.Ata e lejuan që t’i falë vaktet dhe në kohën e ramazanit edhe “taravitë”.Mulla Rama ishte shumë i mëshiruar me fenë muslimane dhe shpesh na rrëfente për historitë e fesë islame,për “hasreti” Muhamedin ,pejgamberin e Zotit,për “haditë” e Muhamedit,për porositë e Kur’anit,për humanizëm,solidaritet ,ndihmë vëllazërore për njëri-tjetrin,për tolerancën dhe për mirëkuptimin e ndërsjellë vëllazërorë dhe njerëzorë.

Në këtë shoqëri me ne në Maribor ishte edhe Shaban Bajgora,Nezir (Kiqmari)Lladovci,Bahtir Metehija,Hysen Marevci Makollit etj.Xha Rama tregonte rastin kur i humbi pushka Mulla Ramës dhe menjëherë vendosën të gjithë shokët që ishim t’i tubojmë të hollat dhe t’ia blejmë e të mos e lëmë të ndëshkohet nga organet e ushtrisë,të cilat ishin shumë të ashpra,posaçërisht kundër shqiptarëve.

Dhe pas 18 muajsh shërbimi ushtarak i kralit,së bashku me Mulla Ramën u kthem në shtëpi shëndosh e mirë dhe filluam jetën tonë të rëndomtë.

U ndava me të duke duke më mbetur gjithnjë një dashuri për të.

MOBILIZIMI USHTARAK NË PRAG TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Kah fundi i viteve të tridhjeta,u pa qartë se paqja e brishtë,e cila ishte arritur në Konferencën e Versajës (Parisit)1919 nuk ishte ajo e cila rregulloi raportet për një kohë të gjatë në Ballkan e në përgjithësi në Evropë,sepse me këtë paqe më së shumti u dëmtuan popujt e vegjël,e në veçanti populli shqiptarët.Jo që nuk u përmirësua gabimi i Konferencës së Londrës,por edhe iu vazhdua padrejtësia e vitit 1912.Fuqitë e mëdha të kohës ,si Gjermania,Italia dhe Japonia,përgatiteshin për një luftë pushtuese të përmasave botërore.Andaj Serbia me nënën e vet Rusin ,përgatiteshin për situata të ndryshme dhe filluan mobilizimin.Në këtë rast Serbia mobilizimin e popullësisë joserbe,në këtë rast shqiptarët mendonte t’i bëntë “mish për topa” për interesat e vet.

Andaj,në fillim të marsit të vitit 1939 iu shpëndan thirrje për mobilizimin ushtarak të shumë shqiptarëve të Kosovës,e në veçanti atyre të Podujevës.

Ndër të mobilizuarit ishin : Ramdan Lushaku,Ramdan Hoxha(Mulla Ramë Govori),Shaban Zeneli i Koliqit ,Ramë Sylaku i Koqekollës,Jahë Hertica,Smajl Gubaveci i Brainës,ku të gjithë këta kishin dërguar në Matiqan të Prishtinës për t’i pritur oficarët serb.

Për këtë mobilzim më së miri flisnin Ramdan Lushaku dhe Xhemajl Rama,vëllau i Mustafë Hoxhës nga Gollaku.Xha Xhemajlit i kujtohet kur nëna iu mbushi një paket më ushqim që t’ia dërgonte Mustafë Hoxhës dhe ia dorëzoi në prani të Sylejman Ymerit dhe,pas kësaj,të gjithë shokët e Mustafës iu vërsulën flisë,specialitetit kombëtar,duke e uruar nënën e Mustafës.

Aty Mustafa i rrëfehej vëllait se ndoshta nuk do të kthehej më,sepse lufta ishte shumë e ashpër.Por,e këshillonte qe të mbeten të tillë çfarë i edukuan prindërit,që ata t’i respektojnë.

Dhe besatimi i vëllezërve kishte përfunduar “Në dorë të Zotit të gjithë shqiptarët,amin”.Ç’është e vërteta ,Serbia dhe ushtria e Kralit në vend që të mbrohej nga sulmi gjerman e bullgar,për të satën herë në këtë shekull vendosi të sulmojë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe doli prej të ashtuquajturave “reparte serbe” në Prizren dhe rrethoi 80% të të mobilizuarve shqiptarë.Në prill gati të gjithë do të dorëzohen dhe së bashku me ta edhe Mustafë Hoxha , i cili nuk arriti të marrë pjesë në varrimin e babes së vet,edhe pse kishte dëshirë të madhe ,por s’iu realizua.Më 6 prill filloi lufta dhe ushtria e krajlit kapitulloi me trupin më të madh.Dhe kriza e identitetit do të përfshijë çdo shqiptarë;me mijëra shqiptarë do të pushkatohen pa asnjë faj,të gjithë shokët e Mustafës do të gjejnë strehim në një fshat të Shqipërisë.

Aty do të priten ngrohtësisht dhe do të pushojnë derisa ushtria e krajlit do të kapitulojë e do të shkapërderdhej.Ajo ditë erdhi shumë shpejt,më 14 prill 1941.Në këto rrethana të pushtimit fashist gjerman,Mustafë Hoxha prej fshatit në fshat do t’i drejtohej Prishtinës. Simbas shënimeve që kanë mbetur,më 20 prill Mustafa,Shaban Zeneli,Ramë Sylku,Jahë Dervishi dhe Qail Braina do të strehohen në një fshat të Prizrenit dhe i zoti i shtëpisë që kishte shtatë djem do të kujdesej për mysafirë me bujari të pashoqe.Pas dy ditësh do t’ua dërgojë një “djalë” që tu tregojë rrugën se kah duhet arritur deri në Qafë të Dulës,e prej aty do të drejtohej kah Prishtina,kah kodra e Kulinës.

Më 21 prill do të gjendej në një bujtinë në Llukar.Mustafa do të qëndrojë vetëm 2 ditë në shtëpi,deri më 23 prill dhe me dajën,Beqirin,do të shkonte në Prapashticë,me qëllim që ta kuptonin fatin e pronës së tyre që kishin grabitur kolonët më parë.

Më 24 prill Mustafë Hoxha do të marrë pjesë në luftën mbrojtëse me rastin e sulmit në Prapashticë nga gjermanët dhe çetnikët.

Pas kthimit nga mobilizimi dhe vuajtjeve që paten,shkuan në shtëpi.Mulla Ramë Govori menjëherë u lidh me krahun nacionalist,për dallim nga disa të tjerë që u lidhën mbas Partisë Komuniste të Gollakut.2

VITET E BURGUT DHE IDEALI PËR TË ARDHMEN

“SHQIPTARËT NUK MUND TË ÇLIROHEN PA U MBËSHTETUR NË FORCAT NDËRKOMBËTARE DEMOKRTIKE,POR KURRË NUK DO TË FITOJNË LIRINË DUKE U MBËSHTETUR NË FQINJËT ARMIQ TRADICIONAL TË SHQIPËRISË ETNIKE,E AQ MË PAK,DUKE U MBËSHTETUR NË KOMUNISTË ÇETNIKË SERBË”

MULLA IDRIZ GJILANI I KISHTE PAS THËNË FADIL HOXHËS

Shekulli XX po kalonte me një të keqe të madhe ,të cilën ia la njerëzimit komunizmit,ideologji kjo të cilën e shfrytëzuan me mjeshtri diktatorët më të mëdhenj të kohës ,si:Stalini,Tito,Enveri,Çaushesku etj.(kjo ideologji ende është duke u mbajtur gjallë nga disa shtete ,si:Kina,Kuba,Koreja e Veriut etj).

Kjo ideologji la gjurmë të thellë në ndërgjegjën e njerëzve ,te disa si diçka e keqe ,e te disa si diçka e mirë dhe duhet të ruhet si relitk i mirë i së kaluarës.Peshën më të rëndë të kësaj ideologjie e përjetoi gjenerata e parë e nacionalistëve,si Xhafer Deva,Adem Gllavica,Rexhep Mitrovica,Abaz Kupi,Abaz Ermenji,Mithatë Frashëri ,Mulla Ramë Govori e shumë të tjerë që ranë viktimë e kësaj ideologjie vrasëse pan-sllaviste ruse.

Mulla Ramë Govori posa shkoi nga burgu i Prishtinës në atë të Nishit,para tij i shkoi dosja si njeri i vendosur dhe I pathyeshëm ,veprimtar i denjë i NDSH-së dhe themelues për Llap,por parasëgjithash si një fetar i devotshëm ,por edhe i etshëm për kryerjen e ceremonive fetare,faljeve të vakteve.

Mirëpo,para se të shkojë në vitet e burgut në Nish,po i përshkruajm disa të dhëna për peripetitë e hetuesisë dhe burgut në Prishtinë dhe Mitrovicë.Aty ishte vendi ku tuboheshin të burgosurit politikë shqiptarë të Kosovës.Aty ishte “Holokausti shqiptar”,ku bëheshin torturat më të vrazhda dhe më çnjerëzore,që mund të ndodhnin vetëm në mesjetën e largët.

Mulla Rama ishte njëri i cili i ndjeu dhe i përjetoi të gjitha këto tortura fizike dhe psikike ,e deri te lënja për një kohë pa ushqim ,por u qëndroi stoikisht këtyre katrahurave,duke ardhur deri në 25 kg.

Prej tij kërkohej të tregoj për emrat e 170 njerëzve dhe të tregoj për emrin e komandantit të forcave të armatosura të Kosovës,e në veçanti të Llapit.

Ajo që më së shumti i interesonte heutesisë,ishte mbledhja e Zhurit dhe takimi me Muharrem Bajraktarin dhe detyrat të cilat i kishte marrë Mulla Rama gjatë takimit të grupit prej 13 vetash ,më të besuarit,takimi i cili parashihte lidhjen me ambasadat e huaja të Shkupit.

Pas të gjitha atyre vuajtjeve u dënua dhe u dërgua në vuajtjen e dënimit në Nish,ku kaloi vitet më të shumta të burgut.Nishi ishte burg i rëndë,ku dallohej më së tepërmi me punë të mundimshme e të detyrueshme për të burgosurit,e në veçanti atyre politikë.Mirëpo që në këtë rast në burg rastisë edhe ndonjë gardian shqiptarë ose serb dhe të tregohej pak më liberalë ndaj tyre.Vlen të përceptohet rasi i një gardiani të Mitrovicës,të cilit kur Mulla Rama i kërkoi një gotë ujë,ai në vend të ujit i solli një gotë qumësht fshehas,sepse e shihte se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pas kësaj ,në Nish një inspektor i sigurimit ,kur më pa sa me pasion e dua dhe e respektoj fenë islame,vendosi të më provokojë,edhe pse unë atë kohë isha në qeli(vetmi),me disa pyetje provokative ,duke më pyetur:

1.Pse falesh?

2.Pse ninon?

3.Pse merr tahret?

Për pyetjen e parë iu drejtova:”A kie ushtri ti?”,ai tha po,pastaj a bënë eduukatë fizike (fiskulturë),çdo mëngjes i pastron sytë ,duart etj.,ashtu edhe unë bëjë fiskulturë pesë herë në ditë për shëndet më të mirë.

Pyetjes “Pse ninon ti?” iu përgjigja duke e pyetur atë:”Po a ki ti maqina?”-Po,më tha,po punëtorë?-Po.Po a ju jep ti pushim ndonjëherë punëtorëve?-Po,një herë në vit.Pra,edhe organizmit tem i dha një herë në vit pushim.

Pas këtyre përgjigjeve ai më ofroi të drejtën që nga qelia(vetmia) të daj në burg të rëndomtë.Në burgun e Nishit Mulla Rama tregonte se si gardianët e burgut i detyronin që brenda tetë orëve t’i prodhonin katër mijë copa qerpiq (tulla) për ndërtim.

Kishte në mesin e të burgosurve shumë të rinj në moshë dhe këto punë ishin të rënda dhe të mundimshme,andaj Mulla Rama duke pasur shpirt të madh dhe duke qenë humanist,i kryente punët e veta dhe iu ndihmonte atyre që ishin më të rinj.Nga të burgosurit ai kishte respekt dhe autoritet që e fitoi me sjelljet e mira dhe solidaritetin që kishte për të vuajturit.

Gjithmonë e mbante idealin kombëtar dhe shumë shpesh i kujtohej dhe e përmendte thënien e Mulla Idriz Gjilanit:”Liria nuk fitohet me te pafe e me shkie të veshur shqiptarqe”3

EPISODË I VEÇANTË NË JETËN E MULLA RAMË GOVORIT NËNA E TIJ HAFIZE DAUTI-GOVORI,E NJOHUR NË POPULL SI DADA GRISHË

Në vitet e pasluftës shumë nëna vuanin për djemtë e tyre që digjeshin burgjeve serbe,që ishin bërë si dikur kampet e përqëndrimit në Mathuazën dhe Aushfic.E njëra nga ato nëna,që barti me vete mallin dhe vuajtjen për të birin ishte nëna Grishë,e cila ishte për Mulla Ramën ikonë e dashurisë dhe ideali në vete.

Kjo nënë kudo ishte e mirëpritur ,e dashur dhe e respektuar si në fshat,familje dhe gjini.Gjithëherë gojëmbël,e afërt dhe mbi të gjitha ,bamirëse me ato që kishte për të varfrit,se eshte ajo në fakt ishte e varfër ,por bujare.

Të gjithë këto vytyte të një nëne shqiptare e bënin akoma më e madhe këtë personazh,nga fakti që ishte nëna e atdhetarit dhe eneshistit të përbetuar,Mulla Ramë Govorit,i cili ishte shpirti i të djathtës shqiptare,e cila u dëshmua me kohë,sepse ishte rruga e drejtë e shumë nacionalistëve që po dergjeshin burgjeve për të mirën e popullit dhe kombit.

Rrëfimi i burgosjes së Ramës evokohej nga kjo nënë kështu:”E rrethuan shtëpinë cep më cep ,hyjnë brenda,filluan kontrollin dhe kërkuan Ramën,sepse ata nuk e njihnin,por pas një kohe dhe para se ta arrestonin,iu afrova duke i thënë:biro,qe zavjaqi,e kam me bomba,merri e qitja,kurr ma në kuti nuk të ka ardh,por ai nuk e pranoi ,sepse iu frikua dhe e dinte se familja e tij do të paguente këtë haraq,andaj e refuzoi,jo nga frika,po nga dashuria për familjen.

Dhe gjithherë gjatë vizitave që ia bënin të afërmit,ajo e përmendte këtë ngjarje,duke gjykuar veten pse nuk ua kishte hedhur ato bomba atyre xhandarëve,duke I mbetur kjo një dëshirë me të cilën do të vdes.Vizitat iu lejuan vetëm nënës Grishë dhe disa here vëllezërve,por kjo gjatë tërë kohës së burgut rregullisht e vizitonte muaj për muaj ,siç ishte caktuar orari i vizitave nga organet e burgut.

Mulla Rama kurr nuk e hëngri bukën e burgut,sepse ishte fetar i madh.Prandaj,gjithherë nëna e tij muaj për muaj i dërgonte ushqime ,duke i pjekur edhe dy e tri herë në furrë,me qëllim që të vijnë sa më lehtë,sepse në burg pasha e gjërave të dërguara ishte e caktuar.Por,edhe pse me vështirësi i realizonte këto vizita nga kushtet e rënda që mbretëronin atëherë,më të mundimshme për nënën Grishë ishin maltretimet që i bëheshin rrugës nga udhëtarët e rastit në tren me të cilin udhëtonte për në Nish,por edhe nga gardianët e burgut.Gjithherë shkonte me tren ,sepse ishte më lirë dhe më afër.

Mirëpo,të gjitha këto i përjetoi dhe i sfidoi me një qëndresë të paparë,duke e mbajtur një ideal i fort se,në rend të parë po mundohej për një atdhetarë dhe për birin e tij,që ishin të mjaftueshëm për të gjetur forcë dhe moral të pathyeshëm.Këto mundime kësaj nëne nuk iu ndan gjatë 17 viteve me radhë.

Pos të gjitha atyre vuajtjeve e mundimeve që i bëri nëna e Ramës,ajo rriti edhe dy djemë dhe dy vajzat e Mulla Ramës,të cilët i mbetën barrë ,por edhe privilegj për ti rritur me shumë mundime.

LARGIMI I MULLA RAMËS PËR NË KROACI ME QËLLIM QË T’I IKTE SYRIT TË UDB-së

Pas daljes nga burgu Mulla Rama u detyrua që për një vit të largohej pak nga syri i UDB-së dhe shkoi në Zagreb te disa shokë që e ndihmuan të hynte në punë dhe të fitoj diqka për të dërguar në shtëpi.Sepse shtëpia e tij ishte gjithherë në vëzhgim të rreptë të UDB-së kush hynte dhe kush dilte ,andaj ky largim një vjeqar u bë me qëllim të humbiste pak gjurmët.

Ndihmën më të madhe në Zagreb ia bënin disa shokë të Gostivarit,që jetonin atje dhe kishin kushte të mira.

Por prapë se prapë malli për nënën nuk e linte rehat dhe u kthye pas një viti për tu çmall me nënën e vet,që po i kalonte vitet e fundit të pleqërisë me një sëmundje të madhe dhe varfëri të skajshme.

TENDENCAT E SIGURIMIT SERB PËR TA PËRVETËSUAR MULLA RAMË GOVORIN

Pas ardhjes nga Zagrebi,nga sigurimi serb Ramës përsëri iu shtuan presionet në forma të ndryshme,me qëllim që ti thenin dhe ta përvetësonin më lehtë,por të gjitha këto kaluan kot,sepse Ramë Govori,siç thoshte shpesh vetë,nuk shitet as për arin e dynjasë.Vlen të potencohet rasti kur një zyrtar komunal që punonte në një zyrë peroni,N.N.e froi Ramën në zyrën e tij,kinse për të shprehur “gëzimin dhe urimin për lirimin e tij nga burgu”.Pasi filloi me fjalët:”Po më vjen mirë që je lirue,tash si je ,si po kalon,a vuajte mjaft,tash po të thom ta dua të mirën ty dhe u kanë mirë që me ardh qyty me mue me punue kapak.Kije nevojë dhe e kemi mirë këtu…” Kur Rama i dëgjoi të gjitha këto ,iu drejtua atij zyrtari me këto fjalë:”Ti,bre,qysh nuk po e sheh realitetin,a nuk më njofte prapë mua e pot a dha përgjigjen…s’jom met ma me punue me askë”.

Pas kësaj përgjigjeje të prerë ,zyrtari mbeti i shtangur dhe iu drejtua me shaka:”Budallë je met dhe je kanë”.Pas këtyre mundimeve psikike,kur dëgjoi për shokët e tij,se si Hafuz Mareci dhe Jusuf Prugovci kishin dalë në Shqipëri,sikur iu mbush mendja të shkojë dhe iu afrua nënës së sëmurë,duke i thënë:”Nënë, është kanë mirë të shkojë në Shqipëri te shokët,se po e kam vështirësi në këto rrethana”. Atëherë ,nëna iu drejtua:”O djali jem ,po a pak të mbajta mall për 17 vjet dhe prapë po don me më lanë…”dhe filloi të qajë nga mërzia.Atëherë këto fjalë e shpuan si shigjetë Mulla Ramën dhe u ndie shumë i prekur,duke iu drejtuar nënës Grishë:”Ngom çka po të thom,po ta jap besën e shqiptarit se kurrë nuk do të largohem nga ti derisa të jem gjallë,bashkë do të jetojmë në kushte çfare i kemi.Ku jetoj unë,do të vish edhe ti me mua se s’të lë më asnjë minutë vetun”.

Këto fjalë nënës së madhe sikur ia larguan të gjitha ato vuajtje dhe sëmundje nga trupi i saj i moshuar dhe i shumëvuajtur.Ndjeu një lirim psikik dhe shpirtëror dhe kjo ishte përgjegja të cilën ia donte shpirti.

FORMIMI I ORGANIZATËS NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE NË LLAP

Komiteti qëndror i Partisë Nacional Demokratike Shqiptare kishte parë nevojën e masivizmit sa më të madh të organizatës së Lëvizjes së NDSH-së.Për formimin e komiteteve në nivele të ndryshme nëpër tokat shqiptare të mbetura nën Jugosllavi,bëri edhe skemën gjithëpërfshirëse për formimin e komiteteve në nivele rrethi ,komune dhe religjioni,me qëllim që të paralizohet sa është e mundur veprimtaria e Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Kosovë,e ndihmuar edhe nga komunistët shqiptarë.

Komiteti qëndror caktoi edhe njerëz me aftësi organizative që të komunikojnë edhe me njerëz të rretheve të ndryshme ,të dëshmuar,të orientuar mirë në frymën properëndimore.Mirëpo të jenë të gatshëm të punojnë për frymën e NDSH-së ,sendërtimin e aspiratave të popullit shqiptarë nga hordhitë serbe-jugosllave,që mbajtën të pushtuar Kosovën që nga viti 1912(Lufta e Parë Ballkanike)dhe që nga ajo kohë ka vetëm dhunë,vrasje,preskutime,shperngulje për në Turqi si dhe tendenca të vazhdueshme për islamizimin e popullatës së Kosovës dhe konvertimin e fesë në ortodoksizëm,konform planeve të Çubrilloviqit,Andriqit,Mileviqit etj.

KOMITETI QËNDROR I NDSH-së CAKTON MURAT ADEMIN KOORDINATOR PËR FORMIMIN E KOMITETIT TË LLAPIT

Andaj Komiteti qëndror i NDSH-së ia besoi Murat Ademit për formimin e Komitetit të NDSH-së për Llap.Gjatë kësaj kohe,në Llap vepronin personalitete të rëndesishme kombëtare,si:Jahë Fusha,Hoxhë Visoka,Musli Dumoshi,Ajet Gërguri,e ndër më të njohurit ishte Ramadan Hoxha(i njohur në popull si Mulla Ramë Govori).

Në këtë punë e ndihmoi edhe Ramadan Ajvazi nga Perani i Podujevës,anëtar i Komitetit të Prishtinës.

Mirëpo,Mulla Ramë Govori më parë ishte anëtar dhe veprimtar i “Besës Kombëtare” të prof.Ymer Berishës.Pas përgatitjeve të nevojshme u vendos që mbledhja të mbahej në fshatin Kolaj-Koliq.Ky fshat u zgjodh për arsye se ishte njëri ndër fshatrat më të izoluar dhe,nga ana tjeter,kryetar i fshatit që ishte në pushtet kishte pranuar të anëtarsohej dhe të kontibuonte për mbajtjen e Kuvendit themelues.

Përveq kryetarit të rrethit,i cili hyri në radhët e kësaj organizate,më të dëgjuar për këtë organizatë hynë edhe dy policë dhe morën përsipër sigurimin e kuvendit dhe përcjelljen e ndonjë lëvizje të dyshimtë nga ana e forcave serbe-jugosllave.

Kuvendi themelues i NDSH-së për Llap filloi punë në prani të 26 vetave, në malin e quajtur Kollçak,më 17 gusht 1945.Por në këtë kuvend nuk arriti të marrë pjesë komandanti i forcave të armatosura për Llap,Shahin Gërdovci,për shkak të rrethanave të krijuara në terrenin e Llapit.

Pas fillimit të punës së kuvendit ,fjalën e mori përfaqsuesi i Komitetit qëndror të NDSH-së,Murat Ademi,i cili përshëndeti kuvendin dhe shpjegoi rëndësinë e formimit të kë këtij Komiteti dhe komiteteve të tjera,me qëllim që të shtrijë veprimtarinë organizata në të gjithë territorin e Kosovës.Ndërsa,në emër të Komitetit të Prishtinës kuvendi e përshëndeti Ramadan Ajvazin dhe foli për rëndësinë e këtij organizimi,ngase rajoni i Llapit është i lidhur ngusht me rajonin e Prishtinës dhe se kemi të njëjtin qëllim si organizatë.Pas kësaj filluan menjëherë propozimet për kryetar dhe u zgjodh kjo përbërje:

KRYESIA E PARË E NDSH-së NË LLAP

1.Mulla Ramë Govori-Kryetar i Komitetit

5.Musli Qosja (dhe Ali Qosa A.A)

6.Ilaz Fazlia

7.Ajet Ruhani

8.Jusuf Visoka,Prugovc

9.Shaban Zeneli

10.Idriz Ismajl Berisha

11.Shahin Beqiri

12.Kamber Rrahmani

13.Nezir Rrahmani

14.Ramiz Zeqiri

15.Sahit Selimi

16.Ramadan Selimi

17.Shaban Jusufi

18.Azem Rashiti Bajoku

19.Hajdar Durmishi,anëtar i Komitetit të NDSH-së për Llap

FJALIMI I MULLA RAMË GOVORIT PARA TË PRANISHMËVE

Me rastin e përfundimit të kuvendit,Mulla Ramë Govori i falenderoi të pranishmit për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punojë me përkushtim,sepse perëndia ka thënë:

“VDEKJA MË E MADHE ËSHTË VDEKJA PËR ATHDHE,NJERIU QË PUNON KUNDRA KEQBËRËSIT ,PUSHTUESIT,SHKON SHEHIT.NE DO TË LUFTOJMË,JO TË VDESIM POR TË LUFTOJMË.E DREJTA ËSHTË NË ANËN TONË DO TË LUFTOJMË PËR ÇLIRIMIN KOMBËTAR PËR VATRAT TONA DHE PËR ATDHEUN E FËMIJËVE TANË.NUK DUROJMË ROBËRIN E SEBISË PUSHTUESE.LUFTËN PËR ÇLIRIM UA KEMI BORXH FËMIJËVE TANË.PËR HATËR TË FËMIJËVE ,TOKËS DHE PERËNDISË,DUHET TË LUFTOJMË.MË MIRË NJË JETË NË LIRI SESA NJEQIND VJET NË ROBËRI.”

KOMITETI I NDSH-së PËR LLAP PO ATË DITË FORMOI KOMITETIN E NDSH-së PËR KOLIQ

Në këtë përbërje gjendeshin :

1.Ilaz Fazliu-Kryetar i Komitetit

2.Nezir Rama

3.Selim Fazlia

4.Ramiz Zeqiri

5.Sahit Selimi

6.Ramadan Selimi

7.Kamber Rrahmani

8.Shahin Beqiri

9.Shaban Zeneli

10.Shaban Jusufi

11.Rushit Nimani,anëtar të Komitetit.

Në këtë kuvend u morën vendime që pas analizave të bëra në terren,të formohen edhe komitete te tjera nëpër komunat e rrethit të Llapit.

Aktivitetet në bazë të rrethanave u formuan komitetet e komunave të NDSH-së në Shakovicë,Llapashticë,Peran si dhe nëpër fshatra si:Bradash,Dobratin,Dobërdol,Zakutë,Murgull,Obranqë dhe Tenezhdoll.Komitetet komunale dhe ato të fshatarëve ishin të vogla,prej 3 deri ne 9 anëtarë.

Kjo ishte kushtëzuar nga fakti se territori i Llapit gati kishte mbetur në gra,pleq e fëmijë nën moshen 16 vjeqare .Por,në malet me pushkë në dorë luftonin grupe të ndryshme që pikërisht ishin ushtarë të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare për rajonin e Llapit.

Ajet Gërguri nga fillimi i korrikut deri në shtator të vitit 1945 punoi në Podujevë dhe ishte anëtar i komitetit të rrethit të Prishtinës.Gjatë kësaj kohe arriti të formojë Komitetin e NDSH-së për Podujevën.Në këtë punë i ndihmoi Ramadan Simnica nga Sibovci i Podujevës.Shaban Lepaja më se 10 vjet ka qenë sekretar i Ahmet Selacit në kohën e mbretërisë jugosllave dhe ishte i njohur si njeri i fjalës dhe i besës.

Nëpërmjet tij u formua lidhja e tij me Ahmet Selacin e Ajet Gërgurin dhe me prijësit e tjere të rezistencës shqiptare dhe me grupe të ndryshme që vraponin në male.Lidhje të tilla ndihmuan edhe Ramadan Dumnnica dhe Riza Vokrri.Ky i fundit ishte njohur më herët me Sejdi Sekiraqën,i cili kishte autoritet të madh në Llap dhe Gollak dhe ishte kryetar i rrethit të Llapit.

Kjo njohje i krijoi mundësi Ajet Gërgurit për lëvizje të lirë në terren.Kur i nevojitej të shkonte në ndonjë vend,Sejdi Sekiraqa i jepte lejën dhe në gusht të vitit 1945 mori leje të shkonte në Gollak dhe në fshatin Ballaban ku u takua me Bahtir Dumnicën dhe Musli Dumoshin .Lidhjen me Prishtinën e mbante Selim Shabani(Selim Obranqa), i cili në atë kohë ishte gjyqtar në Prishtinë dhe punonte bashkë me Ramadan Berishën.

Ndërsa lidhjet me Shkupin i mbante nëpërmes Rrustem Statovcit , i cili ishte i punësuar në OZNA në Ferizaj dhe prej aty përcilleshin te Abdullah Mesulin,ky i fundit ishte i lidhur me Hasan Bilallin ,anëtar i kryesisë së NDSH-së në Shkup,coordinator për Kosovën,i cili ishte dhëndër i Bajram Ajvazit nga Perani i Podujevës,arsimdashës,patriot dhe bamirës i madh i njohur në Llap dhe në Prishtinë, i cili shkriu pasuri të madhe për Kosovën dhe në përgjithësi për çështjen shqiptare ende të pazgjedhur .

Ajet Gërguri në veçanti ndihmoi NDSH-në në Llap dhe komitetet nëpër komuna dhe fshatra të kësaj ane.Në fund të shtatorit të vitit 1945 ekzistonte rreziku që të zbulohej organizata dhe veprimtaria e saj ,ngase në Prishtinë ishin të burgosur shumë aktivistë që dinin për veprimtarinë politike të Ajet Gërgurit dhe,në përgjithësi për Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare.Para se të largohej Ajet Gërguri nga Podujeva,Riza Vokrri dhe Ramadan Smnica ia dhanë një shumë të hollash,që gjoja i mori për blerjen e mjeteve të ndryshme dhe nga Podujeva doli në mal .Me largimin e tij nga Llapi organizata e NDSH-së humbi aktivistin e dalluar të NDSH-së për Llap.Me të dalë në mal Ajet Gërguri u avancua në njeriun nr.2 të NDSH-së,aktiviteti i së cilës po përfshinte pothuajse tërë territorin e Kosovës.

Organizata e NDSH-së për Kosovë dhe Maqedoni punonte që të organizonte një kongres dhe të merreshin vendim për luftë të mëtutjeshme për çlirimin e territoreve etnike shqiptare.

Për këtë rolin udhëheqës dhe organizues e mori kjo organizatë, e cila përfshinte njerëz eminentë të guerilës shqiptare dhe veprimtarë politik si Gjon Serreqi,Ajet Gërguri,Osman Bunjaku,Ahmet Selaci,Azem Ballaqevci,Kemajl Skenderi,Mulla Arif Shala si dhe(Musli Dumosh Podvorica nga Dumoshi i Podujevës,Bahtir Dumnica nga Dumnica e Llapit si dhe Shahin Gërdovci nga Gërdovci i Podujevës A.A).5

BURGOSJA E MULLA RAMË GOVORIT NË HERTICË

Njëri ndër personalitetet më të njohura në këto anë ishte edhe Mulla Ramë Govori, I cili në Llap ishte alfa dhe omega për NDSH-së,siç vlersohej nga veprimtarët e kësaj ane.Andaj ,ngase i friksohej aktivitetit të tij,OZNA ( UDB) e ndiqte hap pas hapi dhe kërkonte vrasjen ose burgosjen e tij,me qëllim që të ndalej aktiviteti i tij.

Në këtë kohë,ishte viti 1936,kryetar i Komunës së Podujevës ishte Miltun Koliqi i Orllanit ,ndërsa sekretar i komunës ishte Millosh Gjudovçi,ndërsa shef i OZN-së ishte Lumoviqi. Këtë vit komune i Sfeqlës ishte Salih Zushi ,ndërsa komandir policie ishte Shqepani I Vogël,siç e quanin ndryshe në popull.

Këtij të fundit I shkoi lajmi se Mulla Rama shkoi në Herticë.Me të dëgjuar urdhëroi policinë që mundësisht ta arrestojnë sa më parë,por duke shkuar mundohen që të mos verehen shumë,me qëllim që ta arrestojnë më lehtë dhe,posa arrijnë te shtëpia ,ia rrethuan shtëpinë dhe filluan të trokasin. Nga brenda pyetet se kush është aty?Pyetet se a është Mulla Rama në shtëpi,i përgjigjen se nuk është këtu,por ata hyjnë dhe me dhunë fillojnë të kontrollin e shtëpisë.Në atë moment,me njësitin e policisë ishte edhe një shqiptar,i cili I tha Mulla Ramës të ikë,por ai nuk i besoi ,sepse mendoi sepse mos është ndonjë kurth.Pasi nuk e njihni policia ,ai hipi mbi një lis duke menduar se mos po kalon pa u zbuluar ,por,pas një kontrolli vërehet nga policia dhe detyrohet të zbresë në tokë.Pasi e identifikojnë, e lidhin për duarsh dhe e dërgojnë në odë derisa të arrijnë përforcime dhe e dërgojnë në Podujevë në burg,ku qëndron për disa ditë,derisa e dërgojnë në Mitrovicë,ku tuboheshin vetëm të burgosurit politikë, e veçmas ata të NDSH-së.

BALLAFAQIMI ME ALI SHUKRIUN NË BURGUN E MITROVICËS

Mitrovica ishte qendër ku tuboheshin të burgosurit,ku ishte prokuroria dhe prokurori antishqiptar,Ali Shukriu.Më 1946 bëhej luftë ndërmjet komunistëve dhe nacionalistëve të fundit të Kosovës që kishin mbetur dhe rezisotonin “pushtetin popullor”,që ishte në formim e sipër.

Komandanti i njësititi intervenues për Kushtovë(Shalë) ishte Idriz Lepaja,i cili u tregua burrë në dorëzimin e Mulla Ramë Govorit në burgun e Mitrovicës.

Idriz Lepaja deklaroi:”Posa erdha në vikend në shtëpi,u lajmërova në stacionin policor në Podujevë.Menjeherë më lajmëruan se e kanë zënë një “kriminel” dhe thanë se duhet dorëzuar në burgun e Mitrovicës,në prokurori të Ali Shukriut dhe ai është Ramë Hoxha nga Hertica.

Të nesërmen I kanë urdhëruar dy policë dhe mua që të nisemi për Mitrovicë.Posa e nxorën nga burgu i Podujevës,na u afrua,i kishte pasur duart fort të lidhura dhe menjëherë ia çlirova pak,por bërtiti kluçari(roja e burgut) dhe menjëherë unë me dy policët dhe Mulla Ramën hypën në një kamion.

Pas një orë e gjysmë arritëm në burgun e Mitrovicës,hymë brenda dhe u lajmërova se e solla të burgosurin Mulla Ramë Govorin.Për Ramën dhe aktivitetin e tij,kishte dëgjuar antishqiptari Ali Shukriu dhe hyri edhe Rama,po ai u soll me një poshorësi të paparë,duke iu drejtua me një fjalë fyese:”Ku je,qeni plak,ko me të pushkatu si qen.”Këto fjalë e revoltuan atdhetarin dhe ai,pa një pa dy,me një vendosshmëri dhe trimëri ia ktheu me të njëjtin fjalor ,të cilin e meritoi:”M’i rrofsh k…”dhe menjëherë intervenoi roja e Aliut ,e cila ishte edhe si truprojë që t’i binte.Ia kapa dorën dhe i thashë:”Në dorën time nuk guxon t’i bish ,kur të dal unë,bën ç’të duash”.

Këtë gjest burrëror Mulla Rama e mbajti mend dhe pas daljes nga burgu shpesh e vizitonte Idriz Lepajën në shtëpinë e tij.

Në Mitrovicë bëheshin torturat më çnjerëzore që ka mundur ti bëjë vetëm në mesjetë inkuzicioni kishtar.Prej torturave të shumta që iu bënë në hetuesi Mulla Ramës,me qëllim që të tregoj për rrjetin e NDSH-së,për njerëzit që kanë vepruar ,për punën që e kanë bërë,për të gjitha këto,u soll në 25 kg.Të gjitha këto i përballoi me stocizëm të paparë,duke i kursyer shokët dhe barrën e mbante vetëm për vete.

Për pathyeshmërinë në hetuesi dhe qëndresën në burg radhitet në mesin e të vendosurve dhe me të drejtë populli e mban në mend për simbol të vendosmërisë,sakrificës për atdhe ,komb dhe fe.Pas shumë mundimeve dhe torturave çnjerzore ,organet hetuese bënë përgatitjet për gjykim dhe dënimin e veprimtarëve të NDSH-së ,ku në mesin e të shumtëve ishte edhe njeriu më i vogël me trup,por shumë i madh për atdheun ,Mulla Ramë Govori .Për gjithë këtë dramë shkruante edhe gazeta e kohës “Rilindja” , që kishte filluar të dalë më 25 janar 1947:”Këto ditët e fundit po bëhet gjyqi këtu në Prishtinë I 38 banditëve e ballistëve nga rrethe të ndryshme të Kosovës sonë.Në krye me Hait Sh.Eminin,”Doktorin” nga Skenderai,të cilin e kapi KNJO në shator të vitit 1946,në kufi me Greqinë.

Gjyqi ushtarak i dënoi:

  1. Isuf B.Ramën
  2. Rrahman V.Nezirin
  3. Ramadan M.Roxhën(Mulla Rama A.A)

Me pushkatim

  1. Ramadan J.Berisha
  2. Daut N.Hetemi
  3. Bahtijar H.Hajdini

Me 20 vjet burgim ,me punë të detyrueshme

  1. Fejz J.Sahiti
  2. Hasan A.Selimi
  3. Vesel R.Gjeladinin

Me 15 vjet me punë të detyrueshme dhe burgim

1.Isa S.Salihun – 14 vjet burgim

2.Bajram Y.Hazirin – 12 vjet burgim

3.Ajet A.Sylën – 10 vjet burgim

4.Ajet Sh.Hajrullahun

5.Selman S.Sylën

6.Ismajl M.Ismajlin me nga 8 vjet burgim

7.Qerim A.Ismajlin – 7 vjet burgim

8.Rizah H.Hasanin

9.Ramiz M.Deqanin

10.Idriz V.Veranovcin

11.Mehmet M.Limanin me nga 6 vjet burim

12.Brahim A.Ethemin

13.Nezir A.Ramën me nga 4 vjet burgim

14.Rrahman R.Sinanin

15.Beqir A.Ymerin me nga 3 vjet burgim

16.Muharrem J.Deliu

17.Salih H.Sadriu me nga 2 vjet burgim

18.Ramadan H.Haliti 18 muaj burgim

19.Ahmet R.Ahmeti

20.Halit Sh.Sahiti

21.Adem D.Salihu me nga 1 vit burgim

Ndërsa Hamit Emini u la për t’iu bashkuar Ilmi Zeqirit,në procesin e prillit të vitit 1946 “Rilindja” përfundonte me thirrjen : “Është detyrë e krejt popullësisë shqiptare të Kosovës e Metohisë që të ndihmojë organet e sigurimit të popullit për kapjen e mbeturinave fashiste që ende nuk i janë dorëzuar drejtësisë së popullit dhe gjenden aty-këtu ndër malet tona si bandit.

DITA E GJYKIMIT NË PRISHTINË

Dita e 25 janarit të vitit 1947 ishte ditë ankthi e frike për familjarët që pritnin në oborr para gjykatës,ku ishin vendosur altoporlantët dhe duhej të transmetohej fjalimi nga salla e gjyqit përjashta dhe të degjohen gjykimet e më të dashurve të tyre ,të cilët kishin të vetmin “faj” pse kishin luftuar dhe punuar për të mirën e popullit dhe atdheut.

E gjithë kjo atmosferë pritje dhe ankthi vazhdoi derisa kryetari i gjykatës kishte filluar të lexonte për secilin veç e veç sa ishte i dënuar dhe kur iu lexua Mulla Ramës,e kishte pyetur dikush në po i vinte rëndë për dënim ,derisa ai i ishte përgjigjur burrërisht e trimërisht:”Nuk e kom atë nafak me u ba hero i Kosovës”.

Ndërsa ,nëna e Mulla Ramës,në sallën derisa I lexonte gjykatësi dënimet,e pyeti një të ri se çka po thotë se nuk po e mar vesh shkinisht,mirëpo atij i kishte ardhur keq të tregonte ,por pas insistimit të saj ,i tregoi se djalin ta dënuan me pushkatim.Në ato çaste nëna shqiptare ,si gjithë herë gjatë historisë dhe burrëreshë,tha:”More,u tuta që e kanë lirue,e shokët e tij jo.Me pas lirue e me I pas denu 22 tjerët ja kasha pre kryet sakicë e kshtu s’po mërzitna shumë.”

Pasi u dëgjuan këto fjalë në gjykatore ,disa të pranishëm kishin pas rrahë shuplakë,e disa të tjerë qanin.Edhe pse pati tortura të shumta në hetuesi si gjatë vuajtjes së dënimit ,nuk e zbuloi asnjë bashkëveprimtar.

Për afër 17 vjet burgim sa I mbajtu kurr nuk hëngër gjellën e burgut,edhe pse mbeti vetëm 40 kg .Më vonë dënimi iu zvoglua nga ai me pushkatim ,në 20 vjet ,ku saktësisht i mbajti vetëm 16 vjet e një muaj e 12 ditë ,në vende të ndryshme,prej Mitrvicës,Prishtinë e deri në Nish ku e kishte mbajtur shumicën e dënimit.6

VDEKJA E NËNËS GRISHË-DHEMBJE E MADHE PËR MULLA RAMËN

Besën të cilën ia kishte dhënë Rama nënës së vet,se nuk do të largohej nga ajo derisa të jetë gjallë,u mbajt burrërisht dhe tërë kohën Rama gjatë viteve të fundit të jetës së nënës i kaloi me të ,duke mos e lënë vetëm edhe për afro 10 vite.Rama ndjeu dhe shijoi ngrohtësinë e nënës së vet,të cilën e deshi aq fort.Por,viteve e bënë të veten dhe pas atyre vuajtjeve,mundimeve e të gjitha atyre katrahurave,të cilat ia solli jeta kësaj nëne të madhe shqiptare,në fund të vitit 1969 ,në moshë të shtyrë ndërroi jetë Hafize Dauti Govori,e njohur nga të gjithë si nëna Grishë,duke e lënë një histori në vete dhe një dëshmi si duhej të jetë nëna për djalin dhe në shërbim të kombit dhe familjes.

U varros në Herticë(Podujevë),me një ceremoni madhështore,nga të afërmit dhe popullata e kësaj ane.Kjo vdekje Ramën e goditi shumë dhe i hoqi një copë zemre,siç thoshte vetë ai.

SHPËRNGULJA E MULLA RAMËS NGA HERTICA NË PRISHTINË

Pas vdekjes së nënës Grishë,Mulla Rama vendosi të shpërngulej në Prishtinë dhe,pikërisht në Kodër të Trimave(Vranjevc).Mirëpo,sigurimi serb që nga dalja e tij nga burgu,vazhdimisht e mbante nën vëzhgim dhe interesohej për njerzit që hynin e dilnin në shtëpinë e tij.

Me vendosjen e tij në shtëpi të re në Kodër të Trimave,menjëherë i shkoi lajmi UDB-së se ai u vendos në Prishtinë.Sigurimi i aktivizoi njerzit për përcjellje.Udhëheqës për këtë rajon ishte Rifat Spahija ,i cili nuk kishte qëndrime dhe sjellje të mira.

Mirëpo,edhe në Prishtinë nuk kishte kushte të mira,por e nidhmonin dashamirët e tij,miqtë dhe familja,e mbi të gjitha njerzit e idalit.Ndër ta edhe asi që vepronin dhe punonin në mërgim,Evropë dhe Amerikë.

SHOKËT QË E NDIHMUAN MË SË SHUMTI MULLA RAMËN PARA DHE PAS BURGUT ISHIN:

  1. Shaban Derguti,i cili jetonte në Kaliforni
  2. Biter Dajhalla,i burgosur politik 15 vjet ,nga Prizreni
  3. Bardh Daka nga Zllakuqani i Pejës.Ka vdekur në burg në Zagreb
  4. Halim Govori i Prapashticës,komandir në Prelluzhë
  5. Magjun Peqani i Therandës
  6. Ali Musa i Isniqit të Deçanit
  7. Djemtë e Ramë Bllacës-Brahim e Qazim Blaca të Bllacës,Therandë
  8. Azem Fana ,tregtar në zë
  9. Xhemajl Govori,i Prapashticës,ishte polic në Nish, është suspenduar nga puna vetëm pse i ka dhënë një pako cigare fshehtas Mulla Ramës
  10. Muharrem Kika nga Majanci ,Podujevë

VDEKJA E MULLA RAMË GOVORIT

Kishin të drejtë rilindasit kur thonin se atdhetari e nderon kombin,vetveten,kurse vdes vertikalisht.I tillë ishte edhe themeluesi i NDSH-së për Llap,Mulla Ramë Govori, i cili tërë jetë ia kushtoi bëmave për popullin ,kombin dhe atdheun.Pas shumë vuajtjeve nëpër burgje dhe shumë katrahurave që ia imponoi jeta,plaku i vogël,por me shpirtin e madh,po i afrohej fundi i jetës.Vitet e fundit i kaloi me shokët më të afërmit si: Isë Shatrin nga Tomoci i Istogut,Avdullah Beselicën nga Podujeva,i cili e ndihmoi shumë dhe gjithëherë i kishte afër për prehje të mire e pleqëri të lehtë.Vdiq më 23tetor të vitit 1993,në Prishtinë,ku edhe u varros me nderime nga të afërmit dhe shokët,të cilët,nuk i munguan për asnjë çast.

Jetoi 83 vjet,por të gjitha i pati vuajtje dhe mundime.E pamja për të zgjati 2 javë.Në vizitën që ia bëra varrit të tij në Prishtinë,derisa kaloja pranë varrit të tij m’u kujtuan fjalët e një kalimtari të rastit,i cili kur po kalonte pranë varrit të filozofit të madh Talesit,vërejti mbishkrimin ku po shkruante:

“Këtu është një varr i një njeriu të vogël,që fama e tij ngritej deri në qiell”.Po të njëjtat fjalë vlejnë edhe për këtë njeri ,i cili ishte i vogël për nga trupi,por i madh për nga fama.

Kontrolloni gjithashtu

Jani Minga (1872-1947)

Jani Minga (1872-1947)

Jani Minga ishte arsimues, atdhetar i njohur dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë ...