Adem Lushaj: Besa Tafilaj Pinchotti përzgjidhet në listën prestigjioze amerikane “The Mighty 25” (Zëri i fuqishëm i familjeve ushtarake amerikane)

Adem Lushaj: Besa Tafilaj Pinchotti përzgjidhet në listën prestigjioze amerikane “The Mighty 25” (Zëri i fuqishëm i familjeve ushtarake amerikane)

Në mesin e emrave të shquar që formësojnë të ardhmen e komunitetit ushtarak dhe atij të veteranëve në Shtetet e Bashkuara, këtë vit është renditur edhe një shqiptare me rrënjë thella në Kosovë, Besa Tafilaj Pinchotti.

Në Konferencën e Influencuesve Ushtarakë (MIC), të mbajtur në Atlanta-Georgia, Besa Tafilaj u nderua si pjesë e klasës 2025 të listës vjetore “The Mighty 25”, një përzgjedhje që nderon liderët të cilët me vizionin, guximin dhe ndikimin e tyre, i japin formë një komuniteti që ka dhënë aq shumë për lirinë dhe paqen botërore.

Ky nderim e vendos emrin e saj përkrah personaliteteve të shquara amerikane si senatorja Elizabeth Dole, ish-presidenti George W. Bush dhe Princi Harry, një dëshmi e peshës që zëri dhe puna e saj kanë sot në mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së familjeve ushtarake.
Historia e Besës është e mbushur me sakrifica dhe frymëzim. Ajo lindi e u rrit në një familje shqiptare dhe patriotike nga Kosova, ku lufta mori jetë njerëzish të dashur dhe detyroi shumë të tjerë të linin shtëpitë. Frymëzimin dhe ndjenjat e para të patriotizmit për popullin amerikan dhe atë shqiptar, veçanërisht për Kosovën, i mori nga babai i saj, z. Ramiz Tafilaj. Në ato vite të errëta për Kosovën, ndërhyrja e forcave amerikane jo vetëm që solli shpresë për popullin shqiptar, por ndezi në zemrën e saj një respekt të thellë për ushtarakët që shërbenin larg shtëpisë.

Më vonë, si gazetare televizive, ajo raportoi nga kampi amerikan Bondsteel në Kosovë. Aty, për herë të parë u përball me historitë njerëzore të ushtarakëve.

“Ata nuk donin të flisnin për misionin. Ata flisnin për ditëlindjet e humbura, për garat sportive të fëmijëve që nuk mund t’i ndiqnin. Atëherë kuptova, historia e vërtetë ishin familjet”-na tregon Besa nga Amerika e largët.

Ky moment u bë busull për jetën e saj. Pas martesës me një marins amerikan dhe përjetimit të drejtpërdrejtë të sfidave të jetës ushtarake, Besa la pas karrierën në sektorin e gazetarisë për t’iu përkushtuar misionit të madh, mbrojtjes dhe fuqizimit të familjeve të ushtarakëve përmes Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (NMFA).

Që prej vitit 2013, kur Besa iu bashkua NMFA-së, dhe veçanërisht që nga viti 2021, kur mori drejtimin ekzekutiv, ka transformuar këtë organizatë me traditë 55-vjeçare. Ajo ka zgjeruar programet për fëmijët dhe adoleshentët, ka investuar miliona dollarë në bursa për bashkëshortët e ushtarakëve dhe ka ngritur në nivel kombëtar debatin për cilësinë e jetës së këtyre familjeve.

Disa nga arritjet e saj përfshijnë:

  • Zgjerimin e kampeve “Operation Purple” dhe përfshirjen e programit Bloom: Empowering the Military Teen, duke krijuar hapësira të sigurta dhe edukative për fëmijët e ushtarakëve.
  • Dhënien e mbi 10 milionë dollarëve në bursa për bashkëshortët e ushtarakëve që ndjekin rrugën e arsimit dhe karrierës.
  • Angazhimin e saj si dëshmitare dhe këshilltare pranë politikëbërësve, duke trajtuar tema jetike si kujdesi për fëmijët, shëndetësia dhe mbështetja psiko-sociale.

Besën tashmë e njeh i gjithë kombi amerikan, por edhe shqiptarët anembanë globim. Ajo ka qenë e pranishme në platformat më të mëdha mediatike si CNN, CBS, NBC, NPR dhe Military Times.

Në vitin 2022, ajo iu drejtua audiencës së zgjedhur të First Lady’s Luncheon, krijoi një partneritet me Congressional Club dhe u nderua në nivel ndërkombëtar për avokimin e saj.

Me pasionin për të ngritur lart zërat e familjeve, bashkëshortëve dhe fëmijëve të ushtarakëve, Besa kthen përvojën e jetuar nga lufta në Kosovë në zgjidhje konkrete. Ajo është po aq e fuqishme duke dëshmuar në Kongres, sa edhe kur ulet pranë një nëne ushtarake në kampet verore të NMFA-së. Për të, çdo histori individuale është një gur i çmuar në ndërtimin e një vizioni të madh.

Përfshirja e Besës në listën prestigjioze “The Mighty 25” nuk është vetëm një nder personal. Ajo është një kujtesë e fuqishme për sakrificat e shumta e shpesh të padukshme të familjeve ushtarake. Është një homazh për nënat që rrisin fëmijët vetëm, për bashkëshortët që sakrifikojnë karrierat, për fëmijët që rriten me mungesën e një prindi.

Për komunitetin shqiptar në SHBA dhe Kosovë, ky vlerësim është gjithashtu një krenari e madhe kombëtare. Ai tregon se bijat dhe bijtë e kësaj toke, edhe pse larg atdheut, po lënë gjurmë të thella në shoqërinë amerikane dhe botërore.

Besa Tafilaj Pinchotti është më shumë se një emër në një listë. Ajo është një shembull se si dhimbja mund të kthehet në forcë, si kujtesa mund të bëhet vizion dhe si një zë i vetëm mund të ngrejë në këmbë mijëra të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Shaqiri: Prelud

Në institucionin me suvanë e përhitur dhe kujtime të shlyera, ku njerëzit flisnin me muret …