Doktor Atdhe Agaj ka shënuar një arritje të veçantë për komunën e Deçanit, duke u bërë mjeku i parë nga kjo komunë që përfundon me sukses specializimin në onkologji mjekësore. Ky është një sukses i ndërtuar mbi sakrificë, punë të palodhur dhe një udhëtim të mbushur me sfida, një histori e cila sot shërben si frymëzim për të rinjtë, studentët e mjekësisë dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes.
Atdheu vjen nga një familje që kishte kushte të vështira ekonomike. Babai i tij, një mësimdhënës i ndershëm me pesë fëmijë, shpesh e kishte të papërballueshme mbështetjen financiare për shkollimin e fëmijëve. Megjithatë, falë vullnetit, punës dhe karakterit të fortë të fëmijëve, familja Agaj sot është simbol i përkushtimit: Atdheu si mjek onkolog, ndërsa vëllezërit e tij, Sahiti dhe Njaziu, të diplomuar në Fakultetin e Infermierisë dhe punëtorë të respektuar në QKUK.
Rrugëtimi i Atdheut drejt profesionit të mjekut nuk ishte aspak i lehtë. Gjatë shollimit ka sakrifikuar shpesh edhe të ushqyerit, vetëm që të mos e ndërpriste rrugën drejt dijes. I pajisur me vendosmëri dhe karakter të hekurt i përballoi sfidat njërën pas tjetrës, duke mos u dorëzuar asnjëherë.
Specializimin në Onkologji Mjekësore e kishte pranuar gjatë pandemisë COVID-19, periudha më e rëndë e sistemit shëndetësor kosovar, në kohën kur Ministër i Shëndetësisë ishte Armend Zemaj. Të specializosh në një kohë të tillë sfidash dhe presionesh të jashtëzakonshme e bën arritjen e tij edhe më domethënëse.
Sot, doktori i ri onkolog gëzon respekt të madh në komunën e Deçanit dhe më gjerë. Qytetarët e vlerësojnë jo vetëm për profesionalizmin dhe kompetencën, por edhe për sjelljen e tij njerëzore, përulësinë dhe gatishmërinë për t’u shërbyer pacientëve me përkushtim të plotë.
Historia e Doktor Atdhe Agajt nuk është vetëm një tregim suksesi personal, por një thirrje e fortë për të gjithë të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre. Ajo dëshmon se as mungesa e kushteve ekonomike, as sfidat e studimeve, as presionet e kohëve të vështira, nuk mund ta ndalin atë që ka vullnet, pasion dhe qëllim të qartë.
Për studentët e mjekësisë dhe profesionistët e rinj shëndetësorë, ky rrugëtim është dëshmi se suksesi ndërtohet hap pas hapi, me sakrificë, përulësi dhe besim në vlerën e profesionit.
Sakrifica e sotme është suksesi i nesërm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
