Adil Fetahu

ADIL FETAHU: ELITA INTELEKTUALE E ULEMAVE TË ÇAMËRISË (EPIRIT) I

“Veç kuaj të harbuar e race s’xnjerr Epiri,

Që dalin fitimtarë në vrapin olimpian;

Por nxjerrë dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me namë,

Që mburrën se dejve u lëvrinë gjak Akili.

Pirron kam dëshmitar, atë fatos vigan,

Që kurr s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli;

Dhe Skënderbeun që mundi popullin skithan,

Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë Ungjillin!”

                                                                    (Pier dë Rosnar; përkth. Vedat Kokona)

 

 

Historia e një kombi a një vendi është historia e personaliteteve të atij kombi a vendi. Sepse, përmes tyre e njeh bota dhe e ardhmja.

Nuk ka tjetër vend në botë, që një copë aq e vogël toke të ketë nxjerrë  e t’i  ketë dhënë botës aq shumë personalitete të shquara luftarakë, intelektualë të profileve të ndryshme  e atdhetarë të spikatur,  sa ka nxjerrë e ka dhënë  Epiri – Çamëria. Ajo pjesë e Shqipërisë etnike, ka lindur e rritur personalitete të shquara historike, për të cilët është shkruar e folur, janë xhiruar filma artistikë e dokumentarë. Për figurat e shquara të Çamërisë janë shkruar e botuar qindra libra: romane, monografi, biografi, këngë, poezi, ese e shkrime tjera, por  akoma ka këndshikime të pandriçuara dhe ka se për çka të hulumtohet e shkruhet.

Në enciklopedinë “Kamus Ul Alam”, dijetari ynë i shquar Sami Frashëri, shkruan se “Raca shqiptare nuk ka nxjerrë vetëm burra të pushkës, por edhe njerëz të mendjes e të shpirtit, filozofë, ligjvënës , burra shteti, shkencëtarë, letrarë, dijetarë, poetë, artistë të mëdhenj. Numrit të njerëzve të dëgjuar, të cilët njihen si shqiptarë, duhet t’iu shtohet edhe një numër tjetër shumë i madh të panjohurish, të cilët janë mbajtur si pjellë e ndonjë popullit tjetër, e të cilëve ne nuk ua dime emrat”. Më tutje Samiu thotë se çamët janë më të zgjuarit e toskëve, të shquar për inteligjencën dhe mençurinë e tyre.

Prof.H.H. Robert d’Angel, në librin e tij  “L’Enigme” (Enigma, Paris 1990), në të cilin flet për enigmën e prejardhjes së racave dhe të gjuhëve…, Epirin e konsideron si djepi i burrave të mëdhenj në kohën e Bizantit dhe më gjatë në histori, dhe aty thotë se Epiri (Çamëria) ka nxjerrë njerëz të mëdhenj, dhe vendi i tyre është quajtur vendi i njerëzve të mëdhenj.

Ndërkaq, shkencëtari austriak, themeluesi i psikoanalizës, Zigmund Frojdi, për banorët e Çamërisë ka thënë: “Janë me intelekt të lartë natyror, sepse nëntoka e tyre është e pasur me fosforite, prandaj edhe mendjet e këtyre banorëve janë të ndritura, pasi ushqehen me prodhimet e asaj toke”!.

Të përmendim këtu disa prej emrave të të figurave të shquara çame-epirote në historinë botërore dhe atë shqiptare:  Mbretëresha Olymbia (nëna e Aleksandrit të Madh), Aleksandër Molosi, Pirro i Epirit, Papa Shën Eleuteri, Shën Donati, Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata, Gjon Zenebishti, Merkur Bue Shpata, Mihal Artioti, Ibrahim Pasha, Dionis ”Filozofi”, Islam Prronjo, Hasan Çapari, Hoxhë Mehmet Dalani, Muhamet Kuçuku-Çami, Marko Boçari, Odise Andruci, Gjergj Karaiskaqi, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin Pashë Dino, Osman Taka, Tahir Mete, Rexhep Demi, Muharrem Rushiti, Kolë Idromeno, Daje Sako Mediu, Shejh Sabri Preveza, Alush Taka, Rashid Dino, Faik Konica, Qamil Izet Çami, Mehmet Sejko, Musa Demi, Spiro Çalluka, Haxhi Murat Çami, Refo Çapari, Patriku Atenagora, Jasin Sadiku, Dr Hasaf Ajdonati, Merushe Melo Ismaili, Ali Dino, Arif Dino, Salih Çeka Filati, Lejla Dino, Aziz Çami, Daut Bejdeshati, Rexho Plaku, Haki Rushiti, Mitrush Kuteli, Abedin Dino (i Riu), Taho Sejko, Teme Sejko, Ali Demi, Abaz Dojaka, Bilall Xhaferri, Niko Stilo, etj.etj.

Për figurat e shquara çame-epirote janë shkruar e do të shkruhen studime, monografi, romane, prozë e poezi, nga autorë të huaj dhe autorë shqiptarë. Ne këtu po përmendim një kategori të intelektualëve, klerikë e myderrizë myslimanë, gjykatës (kadi) dhe administratorë në sistemin arsimor, gjyqësor dhe administrativ të Perandorisë Osmane, më pak të njohur nga opinioni, por që në qarqet përkatëse ishin të shquar e të nderuar. Janë këta një plejadë e hoxhallarëve nga Çamëria, të periudhës 1878 – 1912, të kohës së rilindjes kombëtare. Ç’është e drejta, ata nuk janë shquar për kontributin e tyre dhënë çështjes kombëtare shqiptare, apo arsimit shqip, por janë shquar për përhapjen e arsimimit fetar dhe shkencor, jo vetëm në trojet prej nga ishin, por edhe në treva tjera të Perndorisë Osmane.

Shumë prej tyre kanë kryer nivelet më të larta arsimore e shkencore në fusha të ndryshme të specializimeve dhe zënin poste të larta në hierarkinë e strukturave fetare e shtetërore, të mësuesve, myderrizve, ligjëruesve deri në xhaminë e Sulltanit, profesorë në gjimnaze e shkolla të larta pedagogjike, inspektorë, drejtues të zyrave të arsimit, administratorë, doganierë, sekretarë, gjykatës apo kryetar i gjykatës së sheriatit, dijetarë, myftinjë, zëvendës-kadi, kadi, etj. (Për gjykimet dhe vendimet e tyre kaditë kishin moto: ”Më i vlefshëm është një minut drejtësi, se 60 vjet ibadet (lutje)”, dhe në funt të vendimit shkruanin: “Nëse është i drejtë, ky është ligj i Allahut, nëse jo – është nga aftësia (dobësia) ime”!).

Atëherë nuk kishte grada akademike e shkencore: magjistër apo doktor shkence, por kishte specializime të veçanta për fusha të caktuara, e kishte asi që kishin ndjekur nivele shkollimi e disa degë specializimesh, deri në 30 vjet shkollimi,  kishin marrë nga disa diploma (ixhazname). Si personalitete të një shtrese të rëndësishme shoqërore, ishin njerëz të vlerësuar e të dashur  nga populli në mesin ku jetonin e punonin.

 Perandoria Osmane kishte të zhvilluar një rreth të gjërë të arsimit, shkollave fillore e të mesme dhe medreseve të ndryshme në viset shqiptare, prandaj këta ulema përhapën arsimim e dije nëpër to, anipse ato nuk ishin në gjuhën shqipe. Edhepse ishin elitë intelektuale e karakterit fetar, ata ishin shqiptarë dhe i kanë shërbyer popullit dhe shtetit.

Sipas një raporti të publikuar nga Komisioni për Arsim të ShBA-ve, në vitin 1910, në tërë Perandorinë Osmane kishte 36230 shkolla, në të cilat mësonin 1.331.200 nxënës, apo 5,3% e popullsisë totale ishin studentë. Natyrisht, në mesin e tyre kishte shumë shqiptarë nga të gjitha vilajetet tona.

Në sistemin arsimor të Perandorisë Osmane, në nivele të ndryshme të arsimimit, përpos lëndëve  të karakterit fetar, mësoheshin e studioheshin edhe lëndë të fushave të ndryshme shkencore. Lëndët mësimore kryesore në shkollat fillore e të mesme ishin: Apologjetika; Bazat e traditës profetike islame; Burimet e të drejtës së Sheriatit; E drejta trashëgimore; Egzogjeza kuranore (tefsiri); Mënyra e leximit të Kur’anit (në 10 dialkte arabe); Etika; Etimologjia e fjalëve arabe; Filozofi; Gjuhë persiane; Jurisprudenca islame; Letërsi; Logjikë; Metaforë; Metrikë; Morfologji; Retorikë; Sintaksë; Stilistikë. Por, për ata që donin të vazhdonin e thellonin studimet dhe të kryenin nivele më të larta e specializime të veçanta në shkollim, varësisht nga orientimi i tyre për studime, mësonin edhe lëndë tjera, si: Trashëgimia dhe baraja e pasurisë; Jetëshkrimi i Pejgamberit dhe historia islame; Hytbe dhe ligjërim; Histori e përgjithshme; Historia osmane; Historia e qytetërimeve; Historia e feve; Gjeografia osmane dhe islame; Letërsi osmane; Letërsi arabe; Matematikë; Gjeometri; Algjebër; Fizikë; Kimi; Njohuri natyre; Njohuri juridike; Ekonomi dhe financa; Ruajtja e shëndetit dhe edukata fizike; Njohuri shoqërore dhe edukative,etj.

Deri në vitin 1908, në sistemin arsimor të Perandorisë kanë ekzistuar 12 nivele (rangje) myderrizësh. Disa nga personalitet e shënuara në vazhdim të këtij shkrimi, kishin arritur deri në gradën më të lartë të rangimit në hierarkinë e strukturave të caktuara arsimore, administrative e gjyqësore të Perandorisë, duke shërbyer atje ku i caktonin organet kompetente.

Njerëzit e ditur, qoftë me dije fetare apo jofetare (sekulare),janë të dobishëm për veten, për rrethin ku jetojnë e punojnë, për vendin dhe për kombin. Ata nuk e dinin çirilicën e latinicën, por e dinin turqishten,arabishten dhe persishten, të cilat ishin gjuhë dhe shkrime dominuese në tri kontinente. Prandaj statusi i tyre i elitës intelektuale, të fushës së caktuar dhe kontributi i tyre nuk mund të mohohet.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …