Adil Fetahu

Adil Fetahu: Në vigjilje të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, SI FUNKSIONOI KONVIKTI “ÇAMËRIA”, NË SARANDË I

Arsimi  para pavarësisë së Shqipërisë

Rruga nëpër të cilën ka kalua shkolla shqipe ka qene e vështirë, e mundimshme dhe me plot rreziqe e sakrifica, sikur ka qenë edhe tërë historia e popullit shqiptar. Vetëm dashuria, guximi, vendosmëria dhe mençuria e patriotëve dhe veprimtarëve të spikatur ka mund ta përballojë atë rrugëtim të vështirë e ta vejë shkollën dhe arsimin në rrugë të mbarë të përparimit.

Në kohën e pushtimeve nga të huajtë, mësimi i gjuhës, kulturës, shkencës, artit dhe letërsisë në gjuhën shqipe ka qenë i ndaluar dhe i ndëshkuar rreptësisht. Gjatë kohës së pushtimit otoman, që popujt i kishte ndarë në “milete” sipas përkatësisë fetare, lejohej hapja e shkollave fetare: shkolla publike e private në gjuhën turke ose arabe për popullsinë e besimit mysliman; në gjuhën greke dhe sllave për popullsinë e besimit të krishterë ortodoks; dhe në gjuhën italiane e gjermane për popullsinë e besimit katolik. Kështu, një kohë në trojet shqiptare kishte më se 2500 shkolla të hueja, publike e private, por asnjë në gjuhën shqipe! Mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi, nga mësues patriotë shqiptarë (hoxhallarë ose priftërinjë) të cilët punonin si mësues në ato shkolla të hueja. Këtë mund ta bënin ata mësues të cilët punonin në shkollat e hapura nga pushteti turk dhe në ato të hapura nga kisha katolike dhe ajo protestane, por jo ata që punonin në shkollat e kishës greke dhe asaj sllave, sepse këto e urrenin dhe mallkonin gjuhën shqipe. Pavarësisht nga karakteri fetar, edhe ato shkolla të hueja  kanë luajtur rol  të rëndësishëm në arsimimin e popullit dhe sadopak në përhapjen e gjuhës shqipe.

Mësonjëtorja e parë që u lejua nga pushteti otoman që të punojë haptas, ishte Mësonjëtorja shqipe e Korçës, pasiqë falë angazhimit  dhe autoritetit të vëllezërve Abdyl dhe Sami Frashëri, dhe rilindjasve tjerë, këta kishin nxjerrë lejen nga Sulltani, për një shkollë private në gjuhën shqipe, për djemë. Ajo shkollë u hap më 7 mars 1887, datë kjo që në Shqipëri kremtohet si festë shetëtërore “Dita e Mësuesit”.

Arsimi pas pavarësisë së Shqipërisë

Në kohën e shpalljes së pavarësisë (1912), më se 85% e popullsisë së vendit ishin analfabetë; në zonat e thella malore kjo kategori e popullsisë shkonte deri 95%. Ishte kjo nje tabllo e zymtë e vendit nga pikëpamja arsimore. Pavarësia e Shqipërisë ishte shpresë që edhe shkolla shqipe të fitojë pavarësinë dhe të nisë zhvillimin e saj kombëtar. Qeveria e përkohëshme e Ismail Qemalit, ndërmori masa që shkollat e deriatëhershme turke të shndërrohen në shkolla shqipe, ndërsa në shkollat tjera të hueja: greke, italiane, austrohungareze, të mësohej edhe gjuha shqipe, si  gjuhë e dytë! Por, për këto hapa të Qeverisë mungonin kuadrot për mësues në gjuhën shqipe.

Ministri i parë i arsimit shqiptar, në Qeverinë e Ismail Qemalit u emërua  personaliteti i njohur nga rilindasit e fundit, Luigj Gurakuqi. Në fillim të shtatorit 1913, ministri Gurakuqi shpalli thirrje të hapur të gjithë atyre që mund t’ishin të aftë për të kryer detyrën e mësuesit në gjuhën shqipe, që t’i lajmërohen ministrisë së arsimit. Si kushte të aftësisë konsideroheshin: a) njohja e gjuhës shqipe, e mësuar në institucionet arsimore kombëtare, si bie fjala në Shkollën Normale të Elbasanit apo në atë Bukureshtit dhe të Sofjes, ose b) ta kenë kryer ndonjë shkollë të mesme ose universitet jashtë vendit dhe që e njohin gjuhën shqipe.

Nga të gjithë ministrat e arsimit në qeveritë shqiptare, të ndërruara aq shpesh në periudhën 1912 – 1939, Luigj Gurakuqi ka qëndruar më së gjati në atë detyrë, dhe një kohë ishte në detyrën e delegatit të arsimit. Kjo tregon se sa i kushtohej rëndësi arsimit, duke e vu nën udhëheqjen e personalitetit më të shquar të kësaj fushe. Përndryshe, pas Gurakuqit e deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste (1939), ministra të arsimit kanë qenë edhe personalitete tjera të njohura, si: Mihal Turtulli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Hilë Mosi, Haki Tefiku, Kristo Dako, Aleksandër Xhuvani, Rexhep Mitrovica, Fahri Rashiti, Stavro Vinjau, Kostaq Kota,  Xhafer Ypi, Abdurrahman Dibra, Mirash Ivanaj, Nush Bushati dhe Faik Shatku. Të gjithë ata ministra, kush më shumë e kush më pak, bënë përpjekje për ndërtimin e sistemit kombëtar të arsimit, duke siguruar kuadro, duke  hapur shkolla, duke bërë reforma për konsolidimin e programeve mësimore, kualifikimin e mësuesve, duke siguruar kushte, tekste e mjete mësimore, duke propozuar ligje e miratuar rregulla mbi administrimin dhe inspektimin, dokumentacion për punën e shkollave dhe kushte tjera për veprimtari të mbarë. Arsimi fillor u bë i detyrueshëm, me një kujdes të shtuar për të siguruar vijimin e rregullt të mësimit. Ishte përcaktuar me ligj që në çdo lokalitet ku mund të tubohen 30- 40 nxënës, të hapej shkollë fillore.  Shkolla fillore në fshat ishte trevjeçare, ndërsa në qytet pesëvjeçare. Në vitin 1925, në Shqipëri kishte 425 shkolla fillore të fshatit dhe qytetëse, me 25157  nxënës e 757 mësues.

Në kohën e udhëheqjes së vendit nga Ahmet Zogu (1925 – 1939), qoftë si kryetar qeverie, kryetar i Republikës apo mbret i Mbretërisë së Shqiptarëve, ishte kjo periudha e konsolidimit të shtetit shqiptar dhe reformave në lëmin e arsimit, me zgjërimin e rrjetit të shkollave fillore dhe hapjen e disa shkollave të mesme, përgatitjen e kuadrit arsimor dhe shkollimin e kuadrove në universitetet e jashtme. Vëmendje e posaçme iu kushtua cilësisë së arsimit.

Pas marrëveshjeve ekonomike e financiare të lidhura me Italinë, në vitet 1926 dhe 1927, ndikimi i Italisë u shtua në të gjitha fushat e jetës publike e shoqërore, duke përfshirë edhe politikën arsimore, me hapjen e shkollave  dhe depërtimin e kulturës italiane. Për ta mbrojtur sistemin arsimor nga ndikimi i huaj, u desh të ndërmerrën masa e të bëhen reforma. Në fjalimin e parë që Ahmet Zogu mbajti në parlament pas shpalljës së Mbretërisë (1 shtator1928), mbreti Zog shprehi vendosmërinë për ngritjen e sistemit arismor kombëtar dhe përfshirjen e femrave në shkolla. Në vitin 1929 u formua një komision për reformën e arsimit, kryesuar nga ministri Abdurrahman Dibra. Shkollat fillore që deri atëherë ishin 5-vjeçare, 4-vjeçare dhe 3-vjeçare, u bënë  7-vjeçare dhe 4-vjeçare.  U çellën disa shkolla të mesme, me mesim katërjveçar, ndërsa mbështetje dhe kujdes i veçantë iu kushtua Shkollës Normale të Elbasanit, e cila përgatiste mësues të kualifikuar për shkollën shqipe. Nxënësit që kryenin shkollën fillore  7-vjeçare, mund të vazhdonin shkollën e mesme, kurse ata që kryenin shkollën e mesme mund të vazhdonin studimet në universitetet e hueja: Itali, Francë, Austri, Zvicër, Gjermani. Çdo vit shkollor, me shpenzime të shtetit dërgoheshin deri 400 studentë në universitetet jashtë vendit, për profesione të ndryshme: mjekë, inxhinierë, ushtarakë etj. Cilësia e arsimit në Shqipëri kishte fituar asi reputacioni, që nxënësit shqiptarë pranoheshin pa kurrëfar pengesash në universitetet e hueja. Atë nivel të cilësisë arsimi shqip nuk e ka arritë as sot, pas afro njëqint vjetëve.

Reformën e filluar në vitin 1929, e vazhdoi Hilë Mosi (mars 1930 – dhjetor 1932), dhe Mirash Ivanaj (janar 1933 – tetor 1935). Me “Reformën Ivanaj” (1933)  arsimi u përqëndrua në duar të shtetit, duke përmirësuar përmbajtjën e programit mësimor dhe cilësinë e mësimit. Me atë reformë, u mbyllën 170 shkolla private të hueja. Tashmë të huajtë mund të hapnin në Shqipëri vetëm shkolla profesionale teknike dhe bujqësore, dhe ato nëse i lejonte ministria, ndërsa  kontrolloheshin nga inspektori i arsimit.

Reforma kishte një plan ambicioz për përfshirjen e të gjithë fëmijëve në sistemin arsimor. Dhe, me qenë se ishte e pamundur çelja e  shkollave në tërë vendin, u krijua një rrjet i  dhjetra shkollave-konvikte, si ato në Kolonjë, Kurvelesh, Vuno, Orosh, Sarandë,etj, në të cilat përfshiheshin fëmijët e zonave të largëta ku nuk kishte shkolla, fëmijët jetimë dhe ata më të varfër. Shpenzimet e tyre i përballonte shteti. Me qenë se Konvikti “Çamëri” kishte kuadrin professional të kualifikuar, kryesisht mësues edhe edukatorë me Normalen e Elbasanit, edhe funksionimi dhe veprimaria e atij Konvikti ishte e dalluar dhe shumë e pëlqyer prej banorëve të Sarandës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …