Adil Fetahu

ADIL FETAHU: PUSHTIMI I TOPLICËS E JABLLANICËS DHE KONGRESI I BERLINIT (1878) II

Kongresi i Berlinit (13.VI – 13.VII.1878) II

Jo vetëm shqiptarët që ishin dëmtuar më së tepërmi, por me Paqen e Shën Stefanit nuk ishin të kënaqura as Rumania, Serbia e Greqia. Gjithashtu, fuqitë e mëdha të Europës, për qëllimet e tyre hegjemoniste e strategjike, ishin kundër asaj paqeje, prandaj  organizuan dhe mbajtën  Kongresin e Bërlinit (13 qershor – 13 korrik 1878), në të cilin krijuan hartën e shteteve ballkanike, duke mos përmendur kërkesat as çështjen shqiptare! Kancelari i Gjermanisë, Bizmarku, i cili e udhëhoqi Kongresin,  ishte varrmihësi  kryesor i çështjes shqiptare, pasi ai kurrë nuk e shtroi këtë çështje në asnjë nga 20 mbledhjet plenare të Kongresit. Jo vetëm se asnjë përfaqësuesi të shqiptarëve nuk iu mundësua të paraqet kërkesat dhe mbrojtjen e interesave shqiptare, por as nuk u lexuan kërkesat, memorandumet, protestat dhe telegramet e shumta dërguar Kongresit nga të gjitha anët, por ato vetëm u evidentuan në Sekretarinë e Kongresit dhe mbetën për arkivë. Përfaqësuesit e Austrohungarisë dhe të Francës e ngritën në Kongres vetëm çështjen e privilegjeve dhe imunitetit të populates së Mirëditës, duke kërkuar autonomi për atë populate.   Në dëm të çështjes shqiptare ishin edhe pothuajse të gjithë përfaqësuesit e fuqive të mëdha, sidomos ata të Aglisë, Francës e Rusisë. Shqiptarët nuk patën as përfaqësues të vetin, as ndonjë  përkrahës prej fuqive të mëdha që t’ua mbrojë interesat, sikur i patën shtetet fqinje: Greqia, Serbia, Mali Zi, Bullgaria, të cilat kishin pushtuar dhe aneksuar tokat shqiptare. Përfaqësuesit e Perandorisë Osmane mbronin tokat shqiptare vetëm si interesa të Perandorisë, e jo si interesa të shqiptarëve.

Në 20 seanca plenare të Kongresit, të mbajtura brenda një muji, u shqyrtuan njëpërnjë paragrafët  dhe dispozitat e Marrëveshjes së Shën Stefanit, bënë revidimin e tyre, dhe në seancën e fundit, më 13 korrik 1878, e miratuan unanimisht si konratë të gjashtë fuqive të mëdha, me të cilën përcaktuan territoret, statusin, të drejtat dhe obligimet e shteteve ballkanike, por edhe ato të Rusisë e të Perandorisë Osmane. Kështu, Kongresi i Berlini mori katerkterin e ngjarjes më të rëndësishme historike-politike të Europës, ndërsa vendimet dhe Kontrata e atij Kongresi janë dokumentet juridike-ndërkombëtare më të dëmshmet për çështjen shqiptare. Edhe Bullgarisë iu ngushtua territori i njohur me Marrëveshjen e Shën Stefanit. Të fituara me territore e popullsi dolën Serbia, Greqia dhe Mali Zi, dhe atë në bazë të pushtimeve të tokave shqiptare.

Kontrata e Kongresit të Berlinit u formulua, nënshkrua e ratifikuar,  e ndarë në 64 nene (ato në kontratë quhen “paragrafe”).  Nenet 1-12, përcaktojnë formimin, statusin dhe territorin e Bullgarisë, si provincë autonome nën suzerenitetin e Sulltanit. Nenet 13-22, përcaktojnë formimin, statusin dhe marrëdhëniet në Rumelinë Lindore.  Neni 23 i kushtohet ishullit Kreta, ndërsa sipas nenit 24  mbetet që kufijt  shtetëror të Greqisë të caktohen me marrëveshje midis Perandorisë Osmane e Greqisë, e nëse këto nuk mund të arrijnë marrëveshje, do të ndërmjetësojnë fuqitë e mëdha, pjesëmarrëse të Kongresit. Kërkesat maksimale të Greqisë ishin diskutuar në seancën 9 dhe 13 të Kongresit, dhe ishin përkrahur nga përfaqësuesit e Francës, Anglisë, Rusisë, madje edhe të Italisë.  Neni 25 përcakton statusin (okupues) dhe qeverisjen e Bosnje-Hercegovinës nga ana e Austrohungarisë. Nenet 26-33 përcaktojnë njohjen e pavarësisë, territorit, të drejtave dhe obligimeve të Malit të Zi, të cilit iu dhanë territore shqiptare e hercegovase: Barana, Bijelo Pole, Plevla, Prijepole,   Tutini, Rozhaja,  Plava, Gusia, Nikshiqi, Gacko, Podgorica, Kollashini, Spuzha, Zhablaku, Tivari, duke e rritur territorin për afro 4 herë.  Nenet 34 – 42 përcaktojnë njohjen, me kusht, të pavarësisë dhe  territorit të Serbisë. Në nenin 34, është dhënë ky formulim: “Palët e larta kontraktuese njohin pavarësinë e Principatës së Serbisë, duke e lidhur me kushtet  e paraqitura më poshtë: Paragrafi (neni) XXXV: Në Serbi  për shkak të dallimeve në besimet fetare dhe feve, nuk mund t’i ndalohet asnjë individi, si shkak i përjashtimit ose i pazotësisë sa i përket gëzimit të të drejtave civile dhe politike, as e drejta për punë publike, funksione a nderime si dhe ushtrimi i profesioneve të ndryshme në industri, pavarësisht se në cilin lokacion gjendën. – Liria dhe ushtrimi i të gjitha kulteve të hueja do të jenë të siguruara për të gjithë banorët e Serbisë, sikur edhe për të huajtë dhe asnjë pengesë nuk mund t’i bëhet, qoftë administratës hierarkike të komuniteteve të ndryshme, qoftë raporteve të tyre me krerët e tyre shpirtërorë”. Në nenin XXXVI janë përcaktuar kufijtë e ri të Serbisë, së cilës i jepen territoret shqiptare të pushtuara gjatë luftërave 1876-1878, dhe disa territore bullgare. Në Nenin XXXIX, është përcaktuar se “Myslimanët që kanë prona në territoret e aneksuara nga Serbia dhe të cilët duan të jetojnë jashtë Principatës, mund ta bëjnë një gjë të tillë dhe njëkohësisht të mbajnë pronat e tyre, ose t’i mbyllin (nëse janë dyqane), apo t’ua japin për administrim ndonjë pale të tretë. – Një komision turko-serb do të rregullojë, në afat prej tre vjetëve, të gjitha punët që ndërlidhen me aspekt e përkufizimit, shfrytëzimit apo përdorimit të mjeteve për interesat e Portës, të pronës së shtetit, të vakafeve dhe çështjet përkatëse të interesave të veçanta”.

Por, garancionet për liritë civile, politike, fetare dhe të drejtat e pronës së myslimanëve, të përcaktuara me Kontratën e Kongresit të Berlinit, ishin vetëm të vura në letër, sepse për të vëzhguar zbatimin e tyre nuk ishte formua ndonjë komsion ndërkombëtar, as nuk ishin caktuar sanksione për moszbatimin e tyre,  prandaj ato liri e të drejta nuk i gëzuan kurrë, as ata që mbetën të jetojnë në viset e pushtuara, as ata më të shumtët që u shpërngulën nën terrorin e Serbisë.

Kongresi i Berlinit, me vendimet që mori, bëri hartën politike të Europës, duke formuar e njohur shtete të reja, duke ndarë territore e popuj e duke i lënë të gjithë të pakënaqur, duke ua lënë sherrin për shpërthimin e Luftës  së përgjakshme Ballkanike 34 vjet më vonë.

                                                                                                                                                                Adil FETAHU

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …