Adil Fetahu: ROMAN HISTORIK PËR SULIN DHE SULIOTËT

Adil Fetahu: ROMAN HISTORIK PËR SULIN DHE SULIOTËT

(Panajot Zoto: ‘’Akili i Sulit’’, roman, Toena, Tiranë, 2023)

Gjatë një qëndrimi tim njëjavor në Sarandë, miku im, poeti e shkrimtari Hekuran Halili  më organizoi një takim të paharrueshëm me poetë, shkrimtarë, gazetarë e publicistë të Klubit të Krijuesve Jonianë të Sarandës dhe atij ‘’Let-Art’’ të Delvinës: Hekuran Halili, Panajot Boli, Agron Mema, Behar Maze,  Panajot Zoto dhe Sofo Mekshi. Njohja dhe biseda me këta intelektualë e krijues të vyeshëm do më mbetet kujtim i mirë për tërë jetën. Me atë rast, më dhuruan edhe gjashtë libra, në mesin e të cilave edhe romanin historik ‘’Akili i Sulit’’, të shkrimtarit Panajot Zoto. Tri prej gjashtë librave të dhuruara tashmë i kam lexuar, dhe për dy Antologjitë  (të krijuesve jonianë dhe atyre delvinas), për lexuesit e mi kam nxjerrë e postuar në fejsbuk tregimet që më janë dukur më interesante.

Pas përfundimit të leximit të romanit ‘’Akili i Sulit’’, për lexuesit po jap një vështrim  të përmbajtjes së atij romani historik, për një krahinë dhe një komunitet i cili i bëri rezistencë dhe nuk iu nënshtrua pushtetit otoman për afro treqint vjet.

Unë nuk jam kritik letrar, as nuk pretendoj ta vlerësojë romanin nga ai aspekt, por si lexues i pasionuar, e praktikoj që për librat e lexuara të bëj një vështrim, për t’i informuar dhe nxitur kureshtjen lexuesve tjerë për të lexuar veprën e caktuar. Aq më tepër në këtë rast, që lexuesit kosovarë fare pak dinë për veprat letrare të poetëve e shkrimtarëve të jugut më të skajshëm të Shqipërisë politike.

Përmbatjja e romanit ka karakter historik dhe letrar. Historik, sepse shtjellon e përshkruan ngjarjet reale historike të një periudhe dhe vendi të caktuar, me akterë  e personalitete reale. Është fjala për rezistencën afro  treqintvjeçare të suliotëve, këtij komuniteti ortodoks shqiptarë të Çamërisë së Epirit të Jugut, kundër pushtimit otoman dhe kundër ndërrimit të besimit fetar. Jo vetëm se bënë rezistencë të suksesshme, por suliotët, për Sulin e tyre, fituan një pavarësi nga Porta dhe të drejtën për të mbajtur armët për t’u mbrojtur. ‘’Në damarët tanë nuk qarkullon gjak, por urrejtja kundër armikut’’, thotë kryekomandanti suliot Llambro Xhavella.

Suli është një krahinë prej disa fshatrash malore në Jugperëndim të Janinë. Terreni i tyre malor e shkëmbor, me kodra të rrëpijshme, lugina,  hone e kanione të pakapërcyeshme, u ka bërë të mundur suliotëve të mbrohen nga armiku. Por, terreni i tillë i vendit të tyre, nuk ka ofruar kushte të favorshme për zhvillim të bujqësisë dhe ekonomisë, me përjashtim të blegtorisë. Suliotët nuk kanë pasur një ekonomi të zhvilluar as kushte të favoshme sociale, prandaj mjetet e tyre të ‘’punës’’ kanë qenë armët dhe profesioni i tyre kryesor kanë qenë luftërat, jo vetëm kundër pushtuesit otoman, por edhe për grabitje të të mirave materiale për të siguruar ekzistencën e banorëve të Sulit, grabitje këto që i kanë bërë te pronarët e mëdhenj në fshatrat dhe në qytetet e rrethinës: Pargë, Prevezë, Janinë. Ata, madje kishin bërë marrëveshje me disa fshatra e  qytete, që në këmbim të sigurimit të të mirave për jetesën e suliotëve, me armët dhe luftëtarët e tyre t’i mbrojnë pronarët feudalë.

Synimet e Ali Pashë Tepelenës për nënshtrimin e Sulit dhe suliotëve

Me forcimin e pushtetit të Pashallukut të tij, gati në nivel të pavarësisë nga Porta e Lartë, Ali Pashë Tepelena, apo Veziri i Janinës, siç e quanin,  ia kishte vu syrin Sulit për ta nënshtruar. Për këtë qëllim ai përdori të gjitha mjetet, dredhitë, mashtrimet, pabesitë, ryshfetet, joshjet me pozita, marrjen e pengjeve, përçarjet në baza fetare dhe tërë arsenalin e imagjinatës së tij të zhvilluar për veprime të tilla. Ai lidhi e prishi aleanca e marrëveshje me pashallarë tjerë shqiptarë dhe me sundues të huej: vendedikas, francezë e rusë, vetëm e vetëm për të nënshtruar Sulin dhe për të zgjeruar pashallëkun e tij.

Tri herë e sulmoi Sulin me ushtritë e tij të rregullta dhe aso të përbëra nga armatolë e mercenarë arvanitë dhe grekë. Dy herat e para ushtritë e Vezirit u thyn keq nga suliotët trima, pesëfish më të paktë se ushtritë e Vezirit. Suliotët të shumtën kishin 2500 luftëtarë, trima me fletë, si mbrojtje e përhershme. Por, në luftë merrnin armët të gjithë të aftit për armë, madje edhe gratë, të cilat kanë treguar heroizëm të paparë..

Pas vdekjes së kryekapedanit të Sulit, llambro Xhavella, nga plagët e marra në luftë, vendin e tij të komandantit për mbrojtjen e Sulit e mori i biri, Foto Xhavella, qysh në moshën 19 vjeçare. Vendimi i Këshillit të  fiseve të Sulit, që kjo detyrë t’i besohet Foto Xhavellës, shkaktoi pakënaqësi dhe përçarje në mesin kapedanëve dhe luftëtarëve të Sulit. Veziri i Janinës që kishe nuhatur këtë përçarje, me mënyrat e veta të joshjes, e bëri për vete njërin nga komandantët e shquar të Sulit, Jorgo Boçarin, me njerëzit e tij, kundër luftëtarëve suliotë.Kalimi o Boçarejve në anën e Vezirit u cilësua si tradhti ndaj vendit të tyre.

Për trimërinë dhe strategjinë e mbrojtjes, kryekomandantin e ri Foto Xhavelën  e quanin ‘’Akili i Sulit’, duke e krahasuar me Akilin e Trojës.

Pasi dështuan dy inkursionet e Vezirit të sulmit kundër Sulit (më 1780 dhe 1792), në Sul mbretëroi një qetësi disavjeçare, si moti para stuhisë. Veziri ndërroi taktikën për t’i nënshtruar suliotët.  Këtë herë bëri rrethimin e Sulit me fortesa e garnizone të vogla të ushtrisë, për ta bllokuar dhe izoluar Sulin, që të mos mund të merrnin ndihma në ushqime dhe armë nga jashtë. Me dredhitë diplomatike dhe me rrethimin ushtarak, Veziri ua mbylli suliotëve të gjitha burimet dhe rrugët e furnizimit.  Kur e vlerësoi dhe mori informata se Suli kishte mbetur pa ushqime dhe pa armë të nevojshme, se edhe gjithë bagëtia ishin sosur,  urdhëroi sulmin më të madh, me një ushtri të madhe të komanduar nga i biri, Veli Pasha. Suliotët qëndruan heroikisht, por mungesa e ushqimit dhe armëve bëri që të detyrohen të bëjnë marrëveshje për ndërprerën e luftës dhe dorëzimin e Sulit. Kushti që shtroi Veziri për ndërprerjen e luftës ishte largimi i Foto Xhavellës dhe shpërngulja e suliotëve nga Krahina e Sulit. Kishte prej suliotëve trima të cilët  edhe pas marrëveshjes e vazhduan luftën dhe nuk u dorëzuan deri në luftëtarin e fundit. Njëqint gra suliote, për të mos rënë në duar të Vezirit, bashkë me fëmijët e tyre  ngryk ose përdore, u rrëpisën shkëmbit të Zallongos deri në fund të humnerës. Murgu Samuel që mbeti i fundit duke ruajtur depon e barotit,  kur u avitën një grumbull ushtarësh të Vezirit, ai i dha flakën barotit dhe u dogj vet e dogji shumë ushtarë të armikut.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga fundi i dhjetorit 1803, suliotët e braktisën Sulin dhe u shpërndanë në qytete të ndryshme të Shqipërisë e të Greqisë. Foto Xhavella me një grup shkoi në Korfuz që atëherë ishte në dorë të rusëve. Por Veziri i Janinës, përmes një agjenti të shtirur si tregtar italian, e helmoi ‘Akilin e Sulit’ nga fundi i dhjetorit 1803. Suliotët e strehuar në Korfuz dhe në ishujt tjerë jonianë, morën pjesë si luftëtarë dhe si komandantë të shquar në revolucionin grek të vitit 1821-1823. Pas atij revolucioni, disa u kthyen në Sulin e tyre, por shumica mbetën të shpërndarë në Shqipëri dhe në Greqi.

                                                ***

Autori i romanit, Panajot Zoto në shtjellimin e ngjarjeve në këtë roman, ka dëshmuar se është njohës i mirë i historisë dhe gjeografisë së Sulit, por edhe i kodit dhe mentalitetit të malësorëve të sulit  dhe të Vezirit të Janinës; zhvillimet politike dhe interesat ndërkombëtare të fuqive të  asaj kohe në Epirin e Jugut dhe në gjithë Shqipërinë. Personazhet e romanit ishin personalitete reale të kohës; sa prej tyre  personazhe pozitive dhe  të tjerë negative. Përmbajtja kryesore e romanit koncentrohet në qëndresën heroike të suliotëve.

Romani është shkruar me një gjuhë të pastër e të rrjedhshme, që të shton shijen e leximit.

Njihuni me autorin: Panajot Zoto (84), lindur në fshatin Muzinë të Mesopotamisë legjendare (rrethi i Finiqit), jeton e punon në Sarandë. Ka mbaruar studimet për filologji-gazetari dhe ka më se 60 vjet që shkruan e boton në gazeta të ndryshme të Shqipërisë; në ndonjërën prej tyre ishte redaktor a kryeredaktor. Krahas punës si gazetar, Zoto ka botuar edhe këto libra (proze); (1) ‘’Mars – ditari i një muaji të trazuar’’ (publicistikë memorialë), 2020; (2) ‘’Rrëmbimi’’ (roman), 2020; (3) ‘’Inspektori K’’ (roman), 2020; (4) ‘’Të jetosh me lajmin, të rrezikosh për të vërtetën’’ (publicistikë letrare), 2021; (5) ‘’Vdekja e një bote’’ (tregime dhe skica), 2021; (6) ‘’Të fortët’’ (roman), 2023;  (7) ‘’Akili i Sulit’’ (roman), 2023; dhe (8) ‘’Andej nga këndon Thëllëza’’ (histori dhe kujtime për fshatin e lindjes), 2025. Panajot Zoto është anëtar aktiv i Klubit letrar-artistik ‘’Let-Art’’ të Delvinës. Për veprimtarinë e tij lerare-artistike është shpërblyer me Mirënjohje nga Bashkia e Delvinës.

Pata kënaqësinë që me autorin Panajot Zoto u njoha në Sarandë, në takimin e paharrueshëm me shkrimtarë e poetë jonianë dhe delvinas.

Kontrolloni gjithashtu

Isa Ferizaj: NË TË ATDHEUT GJOKS, ENVERI, I LAVDIKOMBIT MEDALJON! - Poemë

Isa Ferizaj: NË TË ATDHEUT GJOKS, ENVERI, I LAVDIKOMBIT MEDALJON! – Poemë

Mali kryemal, rrin prore krah me Diell; Ylli kryeyll, dritënor në t’mendjes qiell; Frymon ende …