Brickos

Adil Fetahu

ADIL FETAHU: STATUTI I ‘”ZAJEDNICËS” II

Në dispozitat mbi kompetencat e Asociacionit (neni 13), përcaktohen se ‘’Asociacioni do të veprojë si një forum për bashkëpunimin dhe koordinimin ndërkomunal, përmes të cilit anëtarët do të shqyrtojnë çështjet e interesave të tyre të përbashkëta, të promovojnë  dhe mbrojnë çështjet me interes të përbashkët dhe mbështesin ofrimin e  shërbimeve brenda komunave anëtare; do të angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb në Kosovë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës: nuk do të zëvendësojë, përjashtojë ose zvogëlojë të drejtat dhe interesat e subjekteve tjera juridike që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës për të ndjekur të njëjtat qëllime; koordinon, lehtëson dhe kryen aktivitete kërkimor dhe zhvillimore. Në ushtrimin e këtyre kompetencave organet e Asociacionit miratojnë rregullore, vendime, deklarata. Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore të financuara nga Serbia, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Mund të ushtrojë kompetenca tjera shtesë që mund të delegohen nga Autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin në fuqi (neni 13).

Më tutje. në vazhdim (neni 14-16) rregullon menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të themeluara dhe të financuara nga Serbia. Në këtë fushë, të arsimit dhe shëndetësisë ka kompetenca shtesë, ndonëse thotë se kryerja e tyre do të jetë në pajtim me ligjin .Do të formohet ‘’Rrjeti arsimor serb’’(me diploma të dyfishta: serbe dhe kosovare?) dhe ‘’Rrjeti shëndetësor serb’’, si institucione private serbe, të licencuara në Kosovë.

Në kuadër të kompetencave komunale, Asociacioni do të ketë rolin kryesor për sigurimin e mjeteve dhe  financimin e projekteve në  fushën e zhvillimit të ekonomisë lokale, të planifikimit hapësinor urban dhe rural, në fushën e kujdesit social, kthimit të të shpërngulurve, në promovimin dhe mbrojtjen e identitetit kulturor (neni 19, 20, 21,

Nenet 24 – 37 të Statutit rregullojnë strukturën e organizimit, përbërjen, kompetencat, mandatin e organeve të Asociacionit: kuvendi (i përbërë nga 5 përfaqësues – këshilltarë, të cilët i delegojnë kuvendet e komunave anëtare, plus kryetarët të secilës komunë anëtare; presidenti dhe dy nënpresidentë: Bordi (prej 7 vetash); këshilli konsultativ (30 veta); administrata; zyra e ankesave;  shërbimi i ndihmës juridike; dhe buletini zyrtar në të cilin publikohen aktet e organeve të Asociacionit.

Në nenin 38 përcaktohet se Asociacioni do ta ketë buxhetin e vet, që do ta mbajë në një llogari te një bankë e licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Shpenzimet e buxhetit do t’i mbikëqyrë Bashkimi Europian pesë vjetët e para,  dhe me kërkesën e Autoriteteve Qendrore, apo të Asociacionit, kjo mbikqyrje e BE mund të zgjatë edhe pesë vjet tjera. Financimi i Asociacionit bëhet nga: kontributet e anëtarëve të saj; të ardhurat nga shërbimet e ofruara, nga kompanitë dhe nga pasuritë e saj; nga transfertat e Autoritetit Qendror; nga kontributet, grantet, donacionet dhe mbështetja financiare nga organizata e vende tjera duke përfshirë edhe Serbinë. Auditimin e jashtëm do ta kryejë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.

Kapitulli i gjashtë (neni 40 -44), rregullon marrëdhëniet e Asociacionit me Autoritetet Qendrore dhe mbikëqyrjen administrative. ‘’Në përmbushjen e objektivave (kompetencave.v.j.) të saj, Asociacioni nuk do të cenojë apo anashkalojë autoritetin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të anëtarëve të saj (komunave anëtare, v.j.) dhe në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale të Kosovës. Asociacioni do t’i nënshtrohet procedurave të njëjta të rishikimit administrativ siç zbatohen për komunat në përputhje me Kapitullin 10 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale (neni 40 par.1 dhe 2). Asociacioni do të angazhohet me Autoritetet Qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe shkëmbimit të informacionit dhe integrimit të shoqërisë, dhe në përputhje me ligjin në fuqi (4:2).  Dy vjetët e para të veprimtarisë së Asociacionit, do të monitorohet nga Bashkimi Europian, me mundësi të vazhdimit të monitorimit nëse këtë e kërkojnë Asociacioni ose Autoritetet Qendrore (41:1). Asociacioni mund të marrë pjesë në seancat dëgjimore publike ë lidhje me legjislacionin e ri ose ndryshimet në legjislacionin ekzistues. Nëse ftohet nga Autoritetet Qendrore, do të japë këshilla për hartimin e legjislacionit që ka të bëjë me qeverisjen lokale, të drejtat e komunitetit ose çdo fushe të mbuluar nga objektivat e Asociacionit. Asociacioni ka të drejtë të inicojë ose të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo akti apo vendimi të çdo institucioni që ndikon në ushtrimin e kompetencave të Asociacionit, në përputhje me këtë Statut. Ka të drejtë të emërojë përfaqësues në organet kompetente të Autoriteteve Qendrore! (neni 41:5,6).

Sipas dispozitës së nenit 42 të Statutit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore do ta bëjë një komision arbitrazhi, i përbërë nga një përfaqësues prej secilës palë dhe kryetari, të cilin palët e zgjedhin me konsensus, e nëse kjo nuk arrihet, kryetarin do ta emërojë Bashkimi Europian. Vendimet e arbitrazhit, të marrura me 2/3 e votave  do të jenë përfundimtare dhe të detyrueshme. Dispozita e nenit 43, përcakton se kryetarët e katër komunave të Veriut të Kosovës, në emër të Asociacionit, i propozojnë MPB listën e kandidatëve për komandant rajonal të policisë së Kosovës. Asociacioni mund t’i këshillojë anëtarët e vet të kundërshtojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose akteve të Qeverisë që pretendohet se shkelin përgjegjësitë e tyre ose pakësojnë të ardhurat e tyre, kur ligji ose akti prekë ato (44).  Dhe, dispozita e fundit (45) parasheh mundësinë që Asociacioni të miratojë procedura, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi.

                                                                                ***

Nga një vështrim i vëmendshëm i përmbajtjes së Statutit të asociacionit, mund të vërehet se ka risi sa i përket zgjerimit të kompetencave të pushtetit lokal. Ato konsistojnë sidomos në sigurimin e mjeteve, financimin dhe menaxhimin e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale. Formimi i ‘’Rjetit arsimor ’’ dhe i ‘’Rrjetit shëndetësor të Serbisë’’, të pavarur nga sistemi arsimor i Kosovës, sado që thuhet se do të jenë private, janë çështje problematike. Veçmas rrjeti arsimor, me të gjitha nivelet e arsimimit, që është diskutabile se me çfarë programi (të historisë, gjeografisë etj.) do të punojë, kur dihet se Serbia nuk e njeh as historinë as gjeografinë e Kosovës! Problematike do të jetë dhënia e diplomave të dyfishta. Është e papranueshme, dhe nuk është në kompetencën e pushtetit lokal që mosmarrëveshjet me Autoritetet Qendrore të zgjidhen me arbitrazh, derisa ato mund të zgjidhen në mënyrë efikase në procedura gjyqësore, duke përfshirë deri në Gjykatën Kushtetuese. Dokumenti i Ahtisarit këtë çështje ua lë në kompetencë gjykatave të qarkut, të cilat kanë kompetencë territoriale kundrejt komunave të caktuara.

Futja e Rezolutës 1244 të KS të KB në Preambulën e Statutit, nuk ka asnjë arsye as bazë juridike që të ketë lidhje me pushtetin lokal. Ajo Rezolutë duhet të heqet nga Preambula, e në vend të saj të futet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili përmban vërejtjet në kompetencat e caktuara të Asociacionit sipas Marrëveshjes së 25 gushtit 2015.

Ka edhe shumë dispozita sipas të cilave Asociacioni u ofron (jep) këshilla Autoriteteve Qendrore në fusha e segmente të ndryshme të hartimit të ligjeve, programeve e çështje tjera,  dispozita këto që  Asociacionin e paraqesin si një partner të barabartë me Autoritetet Qendrore,  gjë që del si një pushtet paralel, e që është më keq se si pushtet i tretë. Dispozitat e tilla janë   të papranueshme.

Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duhet ta studjojnë me kujdes, analizojnë çdo dispozitë, çdo fjalë e fjali dhe të mos lëshojnë e lejojnë dispozita të cilat do të paraqesin zgjerim të kompetencave, mospërputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe që cenojnë  sovranitetin dhe integritetin e të shtetit të Kosovës. Në disa vende përmendet: ‘’kufijtë administrativ të Asociacionit’’! Nuk ka kufij administrativ të komunave, por ka territore të caktuara të komunave.

Dreqi i madh mund të fshihet edhe pas gjërave të vogla, kur vjen në pyetje interpretimi dhe zbatimi i dispozitave të Statutit. Prandaj – kujdes, kujdes, kujdes!

 

  1. 12. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime …