Administrata e burgut në Hagë refuzon kërkesën e Hysni Gucatit për vizitë te ish-krerët e UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se i është refuzuar kërkesa për të vizituar në Hagë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim, pa asnjë shpjegim zyrtar për arsyet e këtij vendimi. Gucati tha se ka bërë tri kërkesa për vizitë, të cilat janë refuzuar nga administrata e burgut, jo nga vetë Gjykata Speciale. “Refuzimi më bëhet jo nga Gjykata Speciale, por nga administrata e burgut, që nuk ka ndodhur asnjëherë kjo. Kjo tregon që kjo gjykatë dhe administrata e burgut po i shkelin të drejtat e njeriut”, tha ai. Gucati bëri të ditur se kishte kërkuar të vizitonte Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Pjetër Shalën dhe Sali Mustafën. Ai tha se nuk ishte njoftuar për ndonjë kriter apo arsye të refuzimit, pavarësisht se kishte bërë përgatitjet e udhëtimit. “Sot i jam drejtuar me email për të kërkuar arsyen dhe jam në pritje e sipër të përgjigjes së tyre. Do të bëj kërkesa vazhdimisht, nuk do të ndalem asnjëherë”, shtoi ai. Gucati gjithashtu tha se një vizitë i është lejuar vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi, që sipas tij tregon për një qasje të pabarabartë në dhënien e lejeve për vizita.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi për iniciativën e AAK-së: PDK do ta shqyrtojë rastin për Gjykatën Kushtetuese me ekspertizë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përsëritur akuzat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për …