Pas një pauze dyjavore, deputetët rikthehen në Kuvend me një kalendar të ngjeshur dhe një barrë vendimmarrjeje që lidhet drejtpërdrejt me financat e shtetit. Në tryezë janë disa marrëveshje ndërkombëtare që presin ratifikim, me një vlerë që tejkalon 100 milionë euro, fonde që konsiderohen jetike në kushtet e vështirësimit të qasjes në financat ndërkombëtare. Hulumtuesi Besar Gërgi nga GLPS thekson se këto marrëveshje nuk janë vetëm çështje procedurale, por mundësi konkrete për stabilitet ekonomik dhe forcim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Përfshirja në mekanizma ndërkombëtarë të sigurisë dhe paqes shihet si hap strategjik, por që kërkon vendimmarrje të shpejtë dhe konsensus politik. Megjithatë, ritmi i deritanishëm i punës në Kuvend ka ngritur dyshime nëse këto procese do të përfundojnë në kohë. Çdo vonesë e mëtejshme rrezikon të përkthehet në humbje financiare dhe dobësim të besueshmërisë ndërkombëtare të vendit, në një moment kur stabiliteti ekonomik kërkon vendime të shpejta dhe efikase.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
