Agim Aliu mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë qëndruar sot në Komunën e Ferizajt, ku janë pritur në takim nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu. Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës e kanë njoftuar kryetarin Aliu me misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, si dhe me fushatën e mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka shprehur mbështetje të plotë për këtë iniciativë qytetare, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit. “Lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Drejtësia për ata që sakrifikuan për këtë vend nuk guxon të politizohet. I ftoj qytetarët e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për drejtësi të vërtetë për çlirimtarët tanë”, ka deklaruar Aliu. Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, ka vlerësuar mbështetjen institucionale dhe qytetare që, sipas saj, po e gjen kjo nismë në mbarë Kosovën. “Mbështetja nga Ferizaj është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, ka thënë Hoxha.

Kontrolloni gjithashtu

Visar Azemi: LDK në fazë konsolidimi dhe ringritjeje, nevojiten unitet dhe disiplinë organizative

Pas mbledhjes së kryesisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Ferizaj, Visar Azemi …