Kosova po përballet me një valë shqetësuese emigrimi, ku vetëm gjatë vitit 2024 mbi 40 mijë qytetarë kanë lënë vendin. Kjo braktisje masive po shkakton pasoja të rënda ekonomike dhe shoqërore, ka paralajmëruar Aleanca Kosovare e Bizneseve. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se qytetarët që po largohen janë kontribuues të rëndësishëm në ekonomi, duke gjeneruar mbi 200 milionë euro në qarkullim çdo vit. “Ikja që dhemb – Kosova po mbetet bosh,” deklaroi Shahini, duke kërkuar nga institucionet masa urgjente për të ndalur këtë trend. Ai theksoi nevojën për investime serioze në krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e sigurisë sociale dhe rikthimin e besimit në stabilitetin politik. Sipas tij, nëse nuk veprohet menjëherë, Kosova rrezikon një krizë afatgjatë me pasoja të pakthyeshme për zhvillimin dhe mbijetesën e saj ekonomike e demografike.
