Agim Shahini

Agim Shahini: Mosmiratimi i buxhetit rrezikon ekonominë, presidentja duhet të ndërhyjë

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka paralajmëruar pasoja serioze për ekonominë e vendit në rast të mosmiratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm. Ai i ka bërë thirrje presidentes së vendit që të ndërhyjë dhe të ndihmojë në krijimin e kushteve për funksionimin institucional dhe procedimin e buxhetit në mënyrë ligjore. Shahini theksoi se buxheti mund të procedohet vetëm përmes qeverisë dhe komisioneve parlamentare, jo nga deputetë individualë.
“S’ka iniciativë jashtë kornizës ligjore. Deputetët nuk mund të miratojnë vetë projektbuxhetin, pa u propozuar nga qeveria,” tha ai, duke e cilësuar këtë si shkelje të kushtetutës. Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale po e dëmton drejtpërdrejt ekonominë, bizneset dhe qytetarët. “Është e padrejtë që dikush paradite të jetë ministër e pasdite deputet. Pozicionet janë të ndara, dhe pa qeveri funksionale nuk mund të ketë buxhet,” shtoi Shahini. Ai kërkoi nga presidentja që të nxisë krijimin e një qeverie të re, qoftë edhe me numër minimal ministrash, për të mundësuar procedimin e buxhetit dhe shmangien e bllokadës ekonomike. “Populli, bizneset, punëtorët e studentët po sakrifikohen nga kjo gjendje. Pa buxhet, vendi do të përballet me pasoja të rënda ekonomike,” përfundoi Shahini.

Kontrolloni gjithashtu

Duda Balje

Duda Balje i bashkohet grupit parlamentar të AAK-së

Deputetja boshnjake, Duda Balje, ka konfirmuar anëtarësimin e saj në grupin parlamentar të Aleancës për …